Politike

Ndryshimi i kufijve në Ballkan, Rama: Cakaj nuk ka folur kurrë!

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sonte në takimin me trupin diplomatik bashkë me ministrin e Jashtëm të shkarkuar prej tij. Rama shprehu falënderim për Ditmir Bushatin, duke paralajmëruar se mund ta mbajë sërish në qeveri: “Ai dha më të mirën e tij dhe do të vijojë të jetë në familjen tonë qeverisëse dhe politike”, – tha z.Rama.

Më tej ai u ndal te çështja “Cakaj”: “Mllefi i injorantëve ka bërë për të, prezantimin më të rrejshëm publik, para se ai vetë të hapë gojën si ministër. E kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për tre arsye: Sepse është shumë i ri, pra nuk i përket botës së tyre të vjetër, sepse është shumë i pastër, domethënë nuk mund të akuzohet për asgjë, sepse është nga Prishtina, domethënë se një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë, - vijoi Rama. - Por unë nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar, por si një shqiptar pasionant për politikën dhe për atdheun tonë të përbashkët, i cili prej kohësh tanimë punon për mua, shtetas i Shqipërisë që fillimisht punoi si këshilltar dhe më pas si zëvendësministër i Jashtëm”.

Më tej Rama shtoi se “Cakaj nuk ka folur asnjëherë gjëra që bien ndesh me politikën tonë të jashtme” dhe se “ai kurrë nuk ka folur për ndryshime kufijsh në Ballkan. Dua ta bëj të qartë se Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të garantohet nga SHBA dhe BE. Të tjerat janë fukarallëk mendjesh dhe maskarallëk. Nuk di si mund t’ua përkthej këtë fjalën maskarallëk”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë