Politike

Nga kufiri në kufi, diplomacia që ndan Cakajn nga Bushati

Në mbledhjen e 28 dhjetorit të Asamblesë së Partisë Socialiste, të paktë ishin ata që besonin se ky takim do të prodhonte ndryshime në kabinetin qeveritar dhe akoma më të paktë ishin ata që mendonin se këto ndryshime do të preknin plot shtatë persona.

Largimet e Arben Ahmetajt, Damian Gjiknurit dhe Lindita Nikollës deri diku mund të justifikoheshin me akuzat e vazhdueshme të opozitës për afera korruptive dhe pasojë e presionit të protestave studentore. Por ajo që nuk u prit ishte largimi i Ditmir Bushatit.

Sigurisht, deri në këto momente, Ditmir Bushati mbetet ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe beteja politike pritet të zgjasë edhe disa ditë. Një nga arsyet se përse Meta refuzoi ishte edhe qëndrimi i Cakajt ndaj çështjes së kufijve.

Në një deklaratë të dhënë në ditët e fundit të muajit gusht, pikërisht atëherë kur Presidenti Hashim Thaçi dilte thuajse çdo ditë në konferencë për shtyp dhe lidhje të drejtpërdrejtë përmes faqeve të tij zyrtare në rrjetet sociale për të argumentuar se përse duhej shtruar në tryezë çështja e kufijve me Serbinë, Ditmir Bushati e kundërshtonte si ide.

“Nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës, apo se si do të rehabilitohet ajo në rajon. Jo. Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Shqipëria ka një qëndrim të farkëtuar në vite që buron prej detyrimeve kushtetuese dhe unitetit politik e ndërpartiak. Në këtë prizëm, inkurajojmë vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multikonfesional, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës”, deklaronte ai ndër të tjera për gazetën “Panorama” në atë kohë.

Tipari kryesor dallues i diplomacisë së Ditmir Bushatit në pak më shumë se 5 vite në krye të Ministrisë së Jashtme ka qenë gjuha e kujdesshme. E tillë është edhe në rastin e mësipërm, por mjaftueshëm e qartë për të kuptuar se qëndrimi i tij ishte kundër kufijve.

Dy muaj më vonë, në një intervistë dhënë për “Zona e Debatit” në Klan Kosova fliste i propozuari Gent Cakaj njëkohësisht si shqiptar i Kosovës dhe si zëvendës i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Në bisedë e sipër dhe duke e njohur qëndrimin e shefit të vet, Cakaj distancohet nga pozicionimi i Ministrisë së Jashtme shqiptare në lidhje me çështjen e kufijve dhe flet në emër të vet.

“Për të qenë korrekt në raport me ju po diferencoj veten në raport me qëndrimin zyrtar të Shqipërisë për procesin dhe po jap mendimin tim personal për çështjen e korrigjimit të mundshëm të kufijve”, deklaronte ai.

Pasi e zhveshi veten nga kostumi i zyrtarit, Gent Cakaj thotë në këtë intervistë se ndryshimi i kufijve nuk mund të trajtohet tashmë thjeshtë semantikisht, por duhet parë si një zgjidhje e mundshme.

https://www.youtube.com/watch?v=rkWmTcncgnY&fbclid=IwAR3But9PyFEtTxYLLArKHbw3LTpYIg8Rx9hKhIzlQ0OtzVwZXydZu60xqHY

“Ndryshimi i kufijve, semantikisht nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Cakaj.

Cakaj u përpoq ta argumentonte këtë qëndrim të tijin me politikën e Bashkimit Europian për të importuar në union sherre të ngrira mes vendeve anëtare. Ky qëndrim i BE-së u përforcua pas anëtarësimit të Kroacisë dhe sherrit të Zagrebit me Ljubjanët për kufirin detar, që nuk është shuar ende.

Por, si referencë solli një tjetër kufi detar, atë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Shqipëria ka çështjen e hapur të detit me Greqinë, Kosova çështjen e hapur të kufirit tashme me Serbinë dhe kjo është konceptuar të jetë komplementare me politikat e Bashkimit Europian. Ndonëse natyra e kontesteve është e ndryshme, sepse janë tri lloje të kontesteve bilaterale në rajon, e para është kontestet e trashëguara që prej vitit 1940 kur Greqia miraton ligjin e luftës me Shqipërinë dhe ai formalisht është ende në fuqi. Këto janë konteste të trashëguara prej Luftës së Dytë Botërore, janë konteste e zëmë mes Kroacisë dhe Sllovenisë që sot janë anëtare të BE-së, të cilat trashëguar prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë përkatësisht kontestet e tyre territoriale dhe janë konteste të tjera dhe me funksionalitetin e shtet ndërtimit, siç është rasti i fundit i funksionalitetit në Bosnje dhe shtet ndërtimit në Kosovë”, shprehej.

Cakaj interpreton gjithashtu edhe termin “korrigjim të kufirit”. “Duke e pasur parasysh fokusin e Bashkimit Europian në mbylljen e kontesteve bilaterale, korrigjimi i kufirit është konceptuar si një terminologji, e cila mund të interpretohet kompatibile me trendin e difinimit rigoroz të linjave të kufirit”, vijoi Cakaj.

Në këtë intervistë, ai shtjelloi gjatë idenë e tij se kjo zgjidhje ishte delikate, e nisur nga konjukturat demografike dhe të aseteve natyrore në Luginën e Preshevës dhe Veri të Kosovës ishte e vështirë, por jo e pamundur. Lidhur me zërat se korrigjimi mund të përdorej si precedent për vendet e tjera në rajon, Gent Cakaj kujton refuzimin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1995 në konferencën e Dejtonit për të diskutuar për çështjen e Kosovës, por vetëm për Bosnjen. I njëjti shembull, sipas tij, mund të përdoret edhe në rastin e një konference të ngjashme ndërkombëtare për kontestin mes Serbisë e Kosovës.

Një tjetër sfidë për Gent Cakajn do të jenë edhe bisedimet për kufirin detar me Greqinë. Kur emri i tij u lakua nga Kryeministri Edi Rama si pasues i Bushatit artikujt që vijuan në një pjesë të mediave shfaqeshin me titullin “ministri i bashkimit kombëtar”, apo “ministri që shkrin kufijtë”. Detyra e tij nuk do të kishte qenë e lehtë, jo vetëm në shkrirjen e kufirit Shqipëri-Kosovë, por edhe si protagonist në ngritjen e kufijve detarë Shqipëri-Greqi dhe si zë i Shqipërisë në ndryshimet e mundshme të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për të gjitha këto sfida, përvoja si mbikëqyrës i procesit parapërgatitor (Screening) nga korriku e deri më tani, nuk ka bindur skeptikët se profili i tij është në lartësinë e duhur për këtë post, aq më pak në këtë periudhë kaq delikate. “Nuk kam asnjë kundërshtim në parim, sepse ky është një shtetas shqiptar. Ky e tregon papjekurinë e tij, që kur e pranoi postin. Që këtu e bën aktin e papërgjegjshmërisë dhe e dyta shpërndan kartëvizitën e ministrit”, thotë Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm.

Në diplomaci vetëm koha është ajo që u jep të drejtë qëndrimeve konkrete dhe në këto raste delikate, ajo mund t’i japë të drejtë Ditmir Bushatit, po aq sa mund t’i japë të drejtë qëndrimit personal të Gent Cakajt. Por, një tjetër sfidë për Cakajn, nëse emërohet në këtë detyrë, do të jetë “mbushja e mendjeve”, jo të pakta për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Negociatat janë një proces i koklavitur, pa një standard të unifikuar nga ana e BE-së dhe siç koha ka provuar për to vendoset më shumë sipas konjukturave e kulisave diplomatike sesa sipas meritës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë