Komunitet

#Të besoj – Instalacioni që rrëfen abuzimet seksuale të të miturve

Isha 7 vjeç, kur një i afërm më dhunoi seksualisht, megjithëse kam kaluar një fëmijëri të qetë, tani që duhet të krijoj një familje kam frikë dhe nuk gjej guxim që të njihem me djemtë. Kam frika nga paragjykimi i tyre dhe i shoqërisë...

Ky është vetëm një prej rrëfimeve mbi siluetën e kaltër të një fëmije. Vajza dhe djem, që në një shoqëri ideale a më së paku normale do të duhet të tregonin se aty pranë ka ndonjë park lodrash, kopësht apo shkollë, kanë zënë Sheshin “Skënderbej” për të rrëfyer.

Kanë gjetur guximin, kanë mbledhur copëzat e thërrmuara të jetëve të njoma që u thyen nga njerëz të afërm, nga fqinjë a të panjohur dhe rrëfejnë të gjitha tmerret e abuzimit seksual.

Instalacioni i titulluar “#Të besoj”, i krijuar nga UNICEF Shqipëri është ngritur pikërisht në ditën, kur Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për Abaz Dogën, roja i shkollës 9-vjeçare, i akuzuar se kishte abuzuar me nxënësen e mitur, duke e shantazhuar më pas përmes një videoje që të kryente marrëdhënie edhe me djem të tjerë, mes tyre një person me emrin Klajdi Poçi dhe dy të mitur. R.O dhe F.B.

Nga deklaratat e të miturës,  65 –vjeçari, baba familjeje dhe gjysh, kishte abuzuar 15 herë me të, ndërsa të akuzuarit  që u lanë në arrest me burg nga Gjykata e kanë mohuar, duke kundërshtuar njëri-tjetrin në dëshmi, ndërsa videoja e turpshme dhe shantazhuese qarkullonte prej kohësh në komunitet, duke kapërcyer edhe më tej, pasi lajmi u bë publik.

Ishte ky rast që solli edhe protestën qytetare rrugëve të Tiranës, ku personazhe të njohur e njerëz të  thjeshtë  u bashkuan të revoltuar ndaj krimeve kundër fëmijëve dhe pedofilisë.

Por kaq nuk mjaftoi për të ndërgjegjësuar shoqërinë e aq më pak  keqbërësit që nuk ndalen së kryeri krime të tilla.  Vetëm dy ditë më parë,  policia e Durrësit arrestoi  në flagrancë njerkun  39 vjeçar, i cili abuzonte seksualisht me  vajzën e bashkëshortes së tij. Vajza ishte vetëm 14 vjeç.

Pak ditë më parë, 46-vjeçari Blerim Bizgjoni nga fshati Vërdovë i Pogradecit, u arrestua pasi prej muajsh kishte abuzuar me një të mitur, 14 vjeçare, shoqen e së bijës dhe fqinjë. Gjykata e Pogradecit dha  masën e sigurisë arrest me burg 40 ditor për të.

Secila siluetë e vendosur në Sheshin Skënderbej,  pasqyron një histori abuzimi seksual të përjetuar nga fëmijët në Shqipëri. Megjithëse historitë nuk përmbajnë informacion që mund të çojnë në identifikimin e viktimës, por ato janë të gjitha të vërteta.

Sipas UNICEF Shqipëri, #Të Besoj synon të promovojnë kulturën për të ngritur zërin kundër dhunës dhe abuzimit, veçanërisht kundër dhunës seksuale të ushtruar ndaj fëmijëve.

Megjithëse prej kohësh flitet rreth këtij fenomeni dhe përgjegjësinë që duhet të kenë edukatorët, duke nisur nga prindërit, tek institucionet e arsimit, psikologu i shkollës, këto histori abuzimi jo rrallë kanë ndodhur në dyert e shkollës apo edhe brenda mjediseve.

Abuzimi i 13-vjeçare në Kavajë, dy vjet më parë nga një grup adoleshentësh, që përdornin videon intime si mjet shantazhi për ta përsëritur aktin, deri në një rreth vicioz, tregoi se në dijeni të tmerrit nuk ishin vetëm bashkëmoshatarët e vajzës në shkollë, por edhe stafi i mësuesve të shkollës “Rilindja”, fakt i zbuluar nga Prokuroria e Durrësit. Madje as Drejtoria Arsimore nuk kishte informuar për rastin në fjalë.

#Të besoj hedh dritë mbi aktet e tmerrshme të dhunës, që përjetohen më shumë nga  fëmijët nga ç’mund të imagjinojmë.

Në një studim,  mbi “Pasojat e abuzimi seksual tek fëmijët”,  psikologia  Aurela Pano thotë se është e vështirë të kuptosh kompleksitetin e pasojave të traumës seksuale tek fëmijët. Si ngacmimi seksual, ashtu edhe abuzimi seksual ndikon zhvillimin e vlerësimit për veten, dëmton zhvillimin e personalitetit, socializimin me të tjerët si në moshen fëmijnore por edhe në moshën e adoleshencës dhe moshën madhore. “Trauma seksuale dëmton zhvillimin konjitiv, arritjet akademike në shkolle dhe në jetën e mëtejshme. Po aq dëmton marrëdhëniet intime në të ardhmen. Fëmijët e traumatizuar në shumë raste kanë tendencën të jetojnë në një botë të fantazisë, kanë probleme me vëmendjen, disociohen shpesh në mënyrë që të mbrohen nga eksperienca e papërballueshme për moshën e tyre”, shkruan ajo, duke shtuar se trauma seksuale mund të japë   efekte shkatërruese tek zhvillimi i fëmijës.

Trauma seksuale dëmton socializimin me fëmijët e tjerë apo me të rinjtë sepse fëmija ndien një frikë të thellë të zbulimit të sekretit të tij nga moshatarët. “Kjo krijon izolim tek këta fëmijë, vetmi dhe dështim të krijimit të rrjetit shoqëror, vetmi e cila e ndjek fëmijën deri në moshën madhore. Ky izolim shkakton më vonë aktet e vetëdëmtimit, qofshin dëmtime sipërfaqësore të lëkurës apo edhe vetëvrasje, probleme më të ushqyerin, sjellje të rrezikshme, abuzimin me substanca të ndryshme dhe probleme të qëndrueshmërisë në marrëdhënieinterpersonale në të ardhmen”.Zakonisht vajzat e abuzuara nuk janë shumë tolerante në marrëdhëniet shoqërore dhe jo të

qëndrueshme në marrëdhëniet shoqërore për një kohë të gjatë. Vajzat ose zhvillojnë agresivitet ose mbyllje në vetvete. Niveli hormonal në vajzat e abuzuara është shumë i ndryshëm nga vajzat të cilat  nuk kanë përjetuar trauma seksuale.“Mungesa e lidhjeve sociale i bën fëmijët të mos zhvillojnë aftësi sociale dhe mungesë të

vetëvlerësimit, mungesë të aftësive negociuese, komunikimit, vënien e limiteve në një marrëdhënie dhe mungesë të pëlqimit apo kënaqësive të jetës. Vetmia, niveli i testosteronit i lartë rrit rrezikun e sjelljeve provokative seksuale, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, dhe shtatzënitë e padëshiruara”, argumenton Pano.

“Isha 13 vjeç, kur u largova nga shtëpia pasi njerka më dhunonte fizikisht dhe emocionalisht.  Streha që gjeta ishte një furrë buke. Pronari më ushqeu dhe më la të qëndroja aty në këmbim të favoreve seksuale. Shumë shpejt u shndërrova në objekt për shfrytëzim seksual”, shkruhet në një tjetër siluetë, që përfaqëson historinë e një vajze.

Sipas psikologes Aurela Pano, tek djemtë vihen re të njëjtat simptoma fizike, dhe ndryshime hormonale dhe më tepër sjellje agresive në shkollë, familje dhe probleme të vëmendjes po ashtu, probleme me shëndetin mendor e cila sjell diagnostikimin e tyre gabimisht me sëmundje të ndryshme mendore si ADHD, ODD, apo çrregullime bipolare. Në moshën e adoleshencës fëmijë të tillë bëhen problem në komunitet apo shkollë, po aq shumë prej tyre "përqafojnë" rrugën e krimit. Trauma shkakton pasoja të renda tek fëmijët, pasoja të cilat përveç se dëmtojnë jetën dhe zhvillimin e fëmijëve në të ardhmen japin efekte tepër negative në shoqërinë ku këta fëmijë jetojnë, efekte negative në familjet që krijojnë apo në mjediset ku do të punojnë në të ardhmen.

“Isha 12 vjeç, kur një burrë shumë herë më i madh në moshë m abuzoi seksualisht dhe që prej asaj kohe kam pasur probleme me seksualitetin. M’u deshën 12 vjet që të flas me dikë”, rrëfehet në një tjetër siluetë të kaltër, djali.

Një  tjetër histori rrëqethëse, që vjen nga një tjetër djalë, fytyrën dhe emrin e të cilit nuk e shohim, por tronditemi nga zëri i tij. “Isha 15 vjeç, kur disa djem më abuzuan seksualisht. Ku u përhapën  lajmet  për këtë ngjarje, burrë të tjera nga komuniteti filluan të më abuzonin  dhe  shfrytëzonin seksualisht. Në ato kohë jetoja me nënën e sëmurë dhe nuk kisha kujt t’i kërkoja ndihmë. Disa punonjës socialë më ndihmuan dhe tani jetoj në një qytet tjetër, edhe pse ende vuaj pasojat e asaj që ndodhi”, shkruhet në gjoksin e tabelës, që pasohet nga dhjetëra e dhjetëra të tjera, përballë të cilave ka kalimtarë që i  shkojnë shpërfillur e të tjerë që ndalen t’i lexojnë, duke lutur ndoshta nën zë “Zot, jo fëmijës sime!”

“Isha tre vjeç, kur njerku më preku në pjesët intime dhe më lëndoi shumë. Pata edhe gjakderdhje.Mamaja më tha që shkuam për vizitë te doktori”, ka kujtuar një nga momentet më traumatike një fëmijë, tashmë ndoshta e rritur që e përndjek hija e ngjarjes, në atë që shkencërisht njohët si  çrregullimi i stresit Post-Traumatik e që  mund të shkaktohet si pasojë e përjetimit ose dëshmimi i dhunës ekstreme gjatë fëmijërisë.

“Isha 4 vjeç, kur njerku më preku në pjesë intime tek po lahesha. Ia tregova mamit sesi i ai më ndiqte në banjë dhe më ngacmonte kur unë lahesha”, vijon një tjetër rrëfim, ndërsa zemra nis të të rëndohet nga aq tmerre që natyra njerëzore është e aftë të shkaktojë, por edhe të kalojë nëpër to.

#Të besoj synon të mobilizojë opinionin  publik në Shqipëri, për t’i dhënë fund dunës ndaj fëmijëve”, shkruhet në pankartën sqaruese të instalacionit, por me rastet e shtuara viteve të fundit, duket se ndërgjegjësimi nuk do të mjaftojë. Ai do të shërbejë më së paku, për të mos e bërë për së dyti a për së treti viktimë, të miturën a të miturin e abuzuar seksualisht, duke i veshur petkat e turpit dhe të fajit, që e ka vetëm keqbërësi dhe jo ai që ka rënë pre e dhunës, keqdashjes e perversionit të tij. Do të duhet që përpara këtyre rasteve, shoqëria ta ngrejë zërin për ligje më të forta, për ndëshkime më të rrepta, për më shumë përkujedes për fëmijët, në ccdo mjedis. Pjesa më e madhe e këtyre krimeve ndodh në familje apo në mjedise ku i dhunuari e njeh dhunuesin.

Ndarja e historive personale, mendon UNICEF Shqipëri, ndihmon që shoqëria të kuptojë seriozitetin e provlemit që kërkon vëmendje dhe veprime të menjëhershme.

Nëse jeni abuzuar ose shfrytëzuar seksualisht dhe dëshironi të merrni këshillim apo mbështetje  mund të kontaktoni,  Linjën kombëtare  të Këshillimit për Fëmijë “Alo 116 111”, ose munde të shkruani në mënyrë anonime në faqen e shërbimit profesional të këshillimit në internet www.nukjevetëm.al

Të tjerët, ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk i është topitur nervi civik i sensit të drejtësisë, ta bëjnë një ndalesë në Sheshin Skënderbej...

Ashtu si në këngën e John Lenon “Imagine”, le ta imagjinojmë një shoqëri më të mirë dhe një botë pa dhunë, për çdo fëmijë./S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë