Para

Tatimet: ARMO ka detyrime të papaguara, ka nisur mbledhja me forcë e tyre

Çështja e pazgjidhur e A.R.M.O-s mbetet një patate e nxehtë në dorën e qeverisë aktuale në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, edhe pse historia e privatizmit të saj daton në qeverinë paraardhëse.

Ajo rindizet sa herë punëtorët kujtohen për pagat e pamarra prej tre vitesh, edhe pse pavarësisht gjendjes kritike financiare të familjeve të tyre, nuk janë recur të gjejnë punë tjetër, po kanë  vijuar të punojnë edhe pa marrë pagat.

Nga njëra anë ka vendim të përmbarimit gjyqësor për sekuestrim të aseteve të kompanisë, nga ana tjetër ekspertë pohojnë se “ngase A.R.M.O ka detyrime të pashlyera ndaj disa palëve të treta, punëtorëve nuk u bie radha sepse nuk janë në radhë të parët si palë interesi”.

Gazeta “Si” u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëse A.R.M.O ka detyrime të papaguara ndaj këtij organi dhe sa shkonte vlera sipas zërave, duke përfshirë edhe sigurimet shoqërore të punëtorëve, tatimet u përgjigjën se “referuar sistemit informatik C@TS, subjekti “A.R.M.O” që ju interesoheni, ka detyrime të papaguara ndaj organit tatimor dhe rezulton në listën e subjekteve me barrë siguruese dhe hipotekore të publikuar ne web. Infromacion të cilin mund ta gjeni në linkun:  https://www.tatime.gov.al/c/8/129/130/borxhi-tatimor”, citon përgjigjja e tatimeve.

Më tej, në lidhje me vlerën e detyrimeve, tatimet përgjigjen se “Për sa kërkoni informacion mbi vlerën e detyrimeve tatimore të tatimpaguesit, masat dhe vendimet marrë nga Drejtoria e Përgjithëshme e Tatimeve, në zbatim nenit 24 dhe 31 të Ligjit Nr.9920 Datë 19.05.2008. Për Proçeduart Tatimore në RSH , përcaktohet kujt i ofrohet informacion mbi tatimpaguesin dhe  ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave  të  tatimpaguesit.

Neni 31 i këtij ligji përcakton se e drejta për konfidencialitetin e të dhënave të tatimpaguesit;

  1. Çdo tatimpagues ka të drejtën e konfidencialitetit për të dhënat e veta tatimore e financiare, të administruara nga administrata tatimore.”

Tatimet sqarojnë se lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve Administrata Tatimore, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre, bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

Pavarësisht masave, ata që po bëjnë zhurmën, dhe me të drejtë, punëtorët, nuk kanë përfituar deri më tani dhe thonë se do të vijojnë grevën deri në zgjidhje të problemit që do të thotë marrja e pagave që shkon në 8 mln euro për gati 900 punëtorë.

Sipas disa ekspertëve të kontaktuar nga gazeta “Si” “ARMO është shpallur sektor strategjik ..... edhe pse 85 % privat. Kjo nuk lejon falimentimin. Edhe bankat japin me qira asetet. Shteti ka vetem 15 % të aksioneve dhe kjo përqindje e ka vënë shtetin në një pozicion të vështirë, pasi është në minorancë dhe pa të drejtë vendimmarrjeje. Shteti nuk bën dot asnjë shtesë të kapitalit për të paguar rrogat dhe nuk heq dot statusin strategjik për t'i hapur rrugë falimentimit, sepse do të gjendej në një arbitrazh të mundshëm për ndryshim të kushteve të sigurisë juridike”, thonë ekspertët.

Në të njëjtën kohë sipas tyre, nuk ka asnjë vlerë ta shtetezojë sepse duhet të marrë përsipër gjithë borxhet e krijuara nga kompania e mëparshme. Në 2013 vlera e kompanisë, (pra e aksioneve) ishte negative.

Ekspertët sugjerojnë që e vetmja zgjidhje është të bëhet një ligj i veçantë për pagesën e rrogave të naftetarëve, që disa syresh prej ekspertëve e shohin si zgjidhje dhe duhet të bëhet menjëherë, të tjerë nuk janë dakord sepse krijohet precedent për kompanitë ku shteti është pronar në minorancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë