Para

Punëtorët e ARMO-s viktimat e gjalla të korrupsionit politik

Punëtorët e ARMO-S janë të përçarë. Shumë pikëpytje se pse nuk ekzektuhet vendimi i gjykatës për sekuestrim të pronave dhe shlyerje të detyrimeve. Punëtorët janë të fundit në listën e kreditrëve milionerë që po lujanë gurët për të marrë paratë mbrapsht. A ka një rrugë zgjidhjeje për grevistët?

Nga Sabina Veizaj-Sokol Dautaj ka një frymëmarrje të rënduar tek komunikojmë në telefon.

Ai thotë se sot i ka shkuar tensioni 16, por nuk tërhiqet nga greva e urisë. Sokoli është kreu i Sindikatës së Re të naftëtarëve të Ballshit që sëbashku me nëntë kolegë të tjerë janë futur për herë të dytë brenda vitit në grevë urie për pagat e pa marra prej tre vjetësh nga kompania ARMO sh.a.

Sokol Dautaj, kreu i Sindikatës së Naftëtarëve

“Ne vijojmë të ndjehemi të braktisur. Kemi vendosur të mos flasim më, pyesni institucionet për këtë çështje. Ne do të vijojmë grevën sa të ketë një reagim konkret. Kjo kompani që na ka borxh duhej të ndalonte punën dhe të sekuestrohej që në 2018-ën pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë kërkoi sekuestrimin e aseteve. Por në kompromis me Sindikatën e Vjetër dhe avokatët që e përfaqësoinin vijoi të punonte dhe të mos paguante detyrimet që i rridhnin nga ligji dhe ja ku jemi”- thotë Dautaj në një bisedë telefonike me gazetën “Si”.

Dautaj tregon për një marrëdhënie të korruptuar mes punonjësve të përfaqësuar nga Sindikata e Vjetër asokohe me kryetar Taf Kolecin dhe kompanisë, po u gënjyen nga shpresa se do të paguheshin.

Ai zbulon për gazetën “Si” se një bashkim avokatësh ndërkombëtarë me qendër në SHBA, e cila merret me të drejtat e punëtorëve anembanë globit është interesuar për çështjen e tyre dhe ka dërguar një përfaqësues, avokat shqiptar.

Gazeta “Si” arriti të komunikonte me avokatin Gentian Serjani, pjesë e rrjetit  “The International Lawyers Assisting Workerws”

 Ai shpjegon se janë tre grupe të mëvetësishme punonjësish që kanë hapur proces ndaj kompanisë për të marrë rrogat e papaguara në tre vite.

Një grup prej 505 punëtorësh të përfaqësuar nga avokati i Sindikatës së vjetër do ta përfundonin çështjen tek përmbaruesi gjyqësor ku është vendosur urdhër ekzekutimi në datën s 22.10. 2019 për pagim shume duke kërkuar masën e sekuestros konservative  në aksionet e palës debitore shoqërisë ARMO sh.a , aksionet e së cilës do të të qëndrojnë të sekuestruara deri në një urdhër të dytë.

Avokati Serjani thotë se përmbaruesi privat ka nxjerrë urdhër, por nuk është zbatuar.

“Janë sekuestruar nga përmbarues tjetër sepse ARMO është debitore ndaj disa palëve të treta. Njëra prej tyre ishte një bankë azere, e cila i përdori asetet, mblodhi borxhet dhe iku. Edhe palët e tjera veprojnë njësoj. Kush të marrë më parë dhe të ikë. Punëtorët janë të fundit.”- shpjegon avokat Serjani.

Grupi i dytë janë 160 punëtorë të cilët në mënyrë individuale kanë pajtuar avokat dhe kanë fituar procesin për t’ju njohur nga kompania rrogat e papaguara, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Nga këta, 10 prej tyre janë konsultuar me përmbarues gjyqësor privat për të zbatuar vendimin. Por vendimi nuk është ekzekutuar sepse asetet janë tashmë të sekuestruara.

Pjesa tjetër prej rreth 290 punëtorësh, ku bën pjesë edhe kryetari i Sindikatës së re Sokol Dautaj, kanë paguar nga 5000 lekë secili avokatit të Sindikatës së vjetër asokohe që të ndjekë çështjen për të fituar të drejtën e pagave të marra.

“Edhe punëtorët mes tyre  janë ndarë, përçarë, nuk kanë informacion të saktë, janë në padijeni të zhvillimeve”- thotë avokat Serjani.

Në fakt teksa naftëtarët u futën në grevë në shkurt të këtij viti, në prag të pandemisë, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, Taf Koleci nuk ishte dakord me atë grevë.

Ai do të pranonte se detyrimet për pagat e prapambetura të naftëtarëve të Ballshit janë të shoqërisë ARMO dhe do të tregonte se shuma e tyre, bashkë me kamatëvonesat në vite arrijnë vlerën e 8 milionë eurove.

Detyrimet për paga nisin nga data 1 Gusht 2015 deri më 1 Shtator 2016, periudhë gjatë të cilës rafineria nuk ka punuar.

“Naftëtarët kanë të drejtë 100% që të ngrihen në këmbë. Po luhet keq sepse drejtuesit e organizatës politike në zgjedhjet e ardhshme do të dalin forcë politike në vete dhe do nxjerrin deputetët e tyre më vete. Kanë krijuar sindikata fiktive”- do të shprehej Koleci asokohe.

Mandej greva u mbyll me idenë se ARMO do të privatizohej nga një kompani e re e cila pritej të shlyente pagat e prapambetura, gjë që nuk ndodhi.

Nga ana tjetër, shumë është debatuar këto kohë nëse shteti ka përgjegjësi për zgjidhjen e kësaj çështje të nxehtë apo jo.

Avokati Serjani thotë se “është njëjtë siç kanë thirrur në ndihmë policinë e shtetit për të nxjerrë banorët nga pronat, apo banesat që nuk u takonin.Meqënëse ka vendime të përmbaruesit gjyqësor, qeveria ka të drejtë të ndërhyjë.”

Ish ministri i financave në kohën e qeverisjes socialiste Arben Malaj thotë se në këtë situatë të krijuar ndërhyrja e shtetit është fondamentale.

Arben Malaj, ish Ministër i Financave të Shqipërisë

“Punëtorët janë viktimë e asaj që bëjnë qeveritë. Kompanitë vijnë, vjedhin e ikin dhe nuk i gjen gjë. Përderisa kompania paguan sigurime shoqërore dhe shëndetësore, dhe rezulton që nuk i ka paguar dhe është lehtësisht e verifikueshme përmes listapgesave që shkojnë çdo muaj tek organi i tatimeve, do të thotë që kompania ka bërë evazion fiskal. Shteti nuk ka ndërhyrë dhe gjithë kjo rezulton të jetë një gropë e zezë korruptive. Shteti ka përgjegjësi për këtë. Duhet të sekuestrojë asetet”- thotë Malaj për gazetën “Si”.

Tre ditë më parë në një takim me naftëtarët grevistë, kreu i Partisë Demokratike Lulëzim Basha do t’u premtonte se “pagat e parapambetura do të paguhen nga buxheti I shtetit, I cli do të mbledh më pas këtë detyrim. Çdo qindarkë e grabitur në këto afera nga kompani që vijnë e shkojnë në ortakëri me qeverinë, do t’i kthehet naftëtarëve dhe qytetarëve të Ballshit”.

Është koha që edhe SPAK të nisë hetimet, do të shtonte ai dhe të çojë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me këtë pasuri të madhe dhe me mundin dhe djersën e naftëtarëve.

Adriatik Lapaj, avokat

Kurse juristi Adriatik Lapaj, i cili ka mbështetur edhe protestën e parë të naftëtarëve të Ballshit dhe ka qenë pranë tyre, shpjegon se ka dy momente në këtë çështje: “Kur një kompani private zhvillon aktivitet ekonomik në territorin e një shteti dhe kryen evazion fiskal si në këtë rast duke mospaguar sigurimet shoqërore, apo edhe taksat ndaj shtetit, sekuestron asetet dhe mban pjesën e vlerës që i takon. Kurse raporti mes kompanisë dhe punonjësve rregullohet me instrumente ligjor nga ana e naftëtarëve në gjykatën e Faktit. Shteti drejtpërdrejtë nuk ndërhyn dot për dhënien e pagave punonjësve. Por si në këtë rast kur ka një vendim për sekuestro, shteti i sugjeron naftëtarëve të drejtohen tek përmbarimi shtetëror sepse është një kazus me interes publik.”

Kryeministri Edi Rama do të takohej në 14 shtator me presidentin e Ajzerbaxhanit Ilham Aljev, takim për të cilin do të shkruante në llogarinë e tij në Facebook se “Prekëm konkretisht edhe çështjen e rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin angazhimin e presidentit për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të krijuar nga privatizimi famëkeq I viteve më parë”.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Por kreu i qeverisë do të shtonte në të njëjtën linjë në një konferencë dy ditë më parë tek u pyet nga gazetarët për këtë çështje se gjithçka është pasojë e privatizmit kriminal që në krye të herës. “Qeveria nuk ka tagër të ndërhyjë drejtpërdrejt në çështje sepse ka një marrëdhënie mes punonjësve dhe një kompanie private, por po përpiqet të vijë në ndihmë duke bërë të pamundurën”.

Çështja është e komplikuar sepse shteti në këtë rast i ka duart e lidhura.

Në kompaninë ARMO sh.a shteti ka vetëm 16% të aksioneve, është në minorancë dhe nuk ka asnjë të drejtë vendimmarrjeje. Në të njëjtën kohë nëse qeveria do të vendoste ta hiqte statusin Strategjik kompanisë ndërkohë që është vetë aksionere në këtë kompani, do të rrezikonte arbitrazhin nga mbajtësja më e madhe e aksioneve, kompania azere për ndryshim të mjedisit juridik për interesa të veta.

Ka eskpertë të pyetur nga gazeta “Si” që thonë se e vetmja zgjidhje për të paguar faturën e rrogave që ARMO sh.a u ka borxh rreth 900 punëtorëve, do ishte përmes një ligji të pasaçëm dhe pagesa do të bëhej nga buxheti i shtetit.

“Por, kjo do të krijonte precedent në rast krizash a falimentesh të kompanive të tjera brenda territorit të Shqipërisë, ku shteti është aksioner me 10 e 15% si Air Albania e Albtelecom.”   

Megjithatë punëtorët vijojnë grevën dhe avokati Gentian Serjani thotë se po përgatit një letër në emër të rrjetit ndërkombëtar të avokatëve për të drejtat e punëtorëve (THE INTERNATIONAL LAWYERS ASSISTING WORKERS ) për t’ua dërguar OKB-së dhe BE-së ku kërkohet ndërhyrja e shtetit për ndihmë financiare punëtorëve deri në shlyerje të plotë nga ana e kompanisë, të garantojë rinisjen e punës dhe të të sigurojë që kompania të respektojë të drejtat e punëtorëve përfshi pagat.

Sokol Dautaj, kreu i sindikatës ecën në logjikën e kreut të opozitës Basha kur thotë se  ka kërkuar që çështjen ta shqyrtojë edhe SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë