Para

Gropa e ARMO-s që ka përthithur të gjithë

Hera e fundit që naftëtarët e Ballshit erdhën deri në Tiranë për të protestuar ishte tre vite më parë. Protesta simbolike nisi me marshimin në këmbë nga Fieri në Tiranë dhe mbërrinte pas disa ditësh ku një pjesë e tyre ishin ngujuar në grevë urie.

Edhe atëherë kërkesat ishin të njëjta: pagat e pamarra. Protesta u shua në fund të 2017-ës me zotimin e kompanisë që zotëronte ARMO-n për të shlyer një pjesë të pagave të prapambetura të punonjësve të saj.

Tre vite më vonë është e njëjta situatë, që ka futur naftëtarët në një rreth vicioz protestash të vazhdueshme. Problematika nuk ka lindur as tani dhe as në 2017. Ajo zë fill që në 2008-ën, kur ARMO u privatizua nga Rezart Taçi.

Deri në këtë kohë, ARMO ishte kompani shtetërore që përpunonte rreth gjysmë milioni tonë naftë në vit dhe mbante me paga me nivel mbi mesatar të kohës mbi 2 mijë punonjës. Pavarësisht mungesës së investimeve dhe administrimit të dobët shtetëror, uzina deri në 2007 raportonte bilance pozitive, që duke i shtuar edhe taksat e tatim-fitimit, sigurimeve shoqërore për punonjësit, taksën e karbonit dhe atë të akcizës së naftës derdhte çdo vit në buxhetin e shtetit mesatarisht 30 milionë dollarë.

Bilancet vjetore relativisht pozitive dhe perspektiva e këtij sektori në Shqipëri tërhoqën vëmendjen edhe të kompanive ndërkombëtare. Qeveria e asaj kohe pajtoi si konsulente kompaninë “Pattom Bogs” për të bërë vlerësimin e aseteve të ARMO-s dhe më pas hapi garën për privatizimin e saj. Në raportin e saj, “Pattom Bogs” e vlerësonte privatizimin deri në 100 mln dollarë. Interes për privatizimin e ARMO-s shfaqën 25 kompani, por në fund vetëm katër dhanë oferta konkrete.

Në maj të 2008-ës, konsorciumi i përbërë nga katër kompanitë “Amra Oil”, “Anika Enterprises & Mercuria Energy Group” dhe “Refinery Associates of Texas”, që në këtë garë përfaqësoheshin nga Rezart Taçi u shpallën fituese të tenderit me ofertën prej 128 mln eurosh dhe premtimin për të investuar edhe 240 mln euro të tjera në aftashkurtër.

Oferta fituese rreth 30 mln euro më shumë nga sa e kishte vlerësuar kompania konsulente e Qeverisë shqiptare qëndronte shumë më lartë nga ofertat e bëra nga kompanitë e tjera që morën pjesë në garë dhe privatizimi i interpretua si një histori suksesi.

“Unë kam kënaqësi të madhe t’ju informoj ju se ekonomia e vendit tonë është sot më e zhvilluar dhe më entuziaste se kurrë. Privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha është një histori e vërtetë suksesi. Ne dyfishuam vlerën e privatizimit të Telekomit. Privatizuam ARMO-n me një vlerë 13 herë më të madhe se qeveria juaj në vitin 2004. Privatizuam KESH-in me dyfishin e vlerës së bilancit të përcaktuar nga KPMG-ja”, deklaronte në një seancë të Kuvendit në vjeshtë të 2008-ës, Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha.

Me privatizimin prej 128 mln eurosh të ofruara nga një konsorcium kompanish, në emër të të cilave fliste Rezart Taçi në maj të 2008-ës dhe zotimin për të investuar edhe 240 mln euro të tjera u premtua se do të rriteshin kapacitetet përpunuese të rafinerisë dhe do të përmirësohej menaxhimi i saj dhe rrjedhimisht rriteshin përfitimet që do të arkëtonte buxheti i shtetit.

Por, gjithçka ishte një iluzion afatshkurtër dhe ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta. Një vit pas privatizimit ARMO raporton humbje dhe borxhe të pashlyera në shtet dhe tek kontraktorët e tjerë privatë, ndërsa Rezart Taçi nisi të akuzohej se qëndronte pas një skeme mashtruese me anë të së cilës kishte shtënë në dorë një prej aseteve strategjike të vendit.

Ai u akuzua se në ofertën e bërë kishte paraqitur vetëm në letra miliona dollarët, si për blerjen ashtu edhe për investimet dhe se menjëherë pasi është shpallur fitues mori kredi 75 mln euro nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, gjysmën e së cilës e zotëron vetë shteti azer.

Pavarësisht mjegullës që shoqëroi këtë privatizim, procedurat ecën përpara dhe vetëm një vit më vonë, kompania rezultoi me borxhe në shtet në formën e taksave të papaguara dhe tek kontraktorët e tjerë privatë që operonin në këtë sektor në Shqipëri. Borxhi rritej vit pas viti, ndërsa nga 2008 deri në 2013 kompania nuk ka dorëzuar asnjë bilanc tek autoritetet.

Pas zgjedhjeve të 2013 dhe pa ndodhur zyrtarisht rrokada PD-PS në Qeveri, Rezart Taçi e shet ARMO-n me një mal me borxhe në shtet dhe privat për vetëm 50 mln euro tek një kompani azere e quajtur “Heaney Assets Corporation”.

Me ndryshimin e Qeverisë u hamendësua se në këtë sektor do të vihej rregull, por sërish shteti u tregua i pafuqishëm që të ndërhyjë. Kompania azere që e trashëgoi rafinerinë nga Rezart Taçi, bashkë me borxhet e akumuluara ndër vite ndërpreu punën deri në gusht të 2014-ës dhe vendosën që ta japin me qira tek dy kompani, “Deveron Oil” dhe “Trading Petrol and Drilling”, që të dyja kompani guackë të regjistruara në parajsa fiskale.

Edhe këto kompani vijuan me bilancet negative rritën me dy herë borxhet që ARMO kishte në shtet dhe në shkurt të 2016-ës detyrimet që rafineria duhej të derdhte në formën e taksave në buxhetin e shtetit që nga viti 2008 përllogariteshin rreth 600 mln dollarë.

Në këtë periudhë hyn në lojë edhe një bankë e nivelit të dytë, ku asete të ARMO-s, përshi këtu asetin e saj më të madh, rafinerinë, ishin lënë si kolateral për një kredi rreth 20 mln euro të marrë nga Rezart Taçi para se ta shiste. Banka sekuestron këto asete, ndërsa azerët largohen nga Shqipëria.

Në nëntor të 2016-ës, banka e nivelit të dytë i nxjerr në ankand këto asete, që vlerësoheshin rreth 25 mln euro. Është po banka që ka fituar po vetë këtë ankand duke “privatizuar” kështu një aset shtetëror në një procedurë të dyshimtë, që nga Ministria e Drejtësisë u cilësua e paligjshme.

Por, megjithëse Ministria e Drejtësisë e vlerësonte si të paligjshme këtë transfertë, Ministria e Infrastrukturës ja njohu bankës këtë aset.

“Kompania në të cilën ka 15 për qind shteti ka qenë kompania që ka mbajtur Rezart Taçi. De facto është kompani e falimentuar, pavarësisht se nuk ka bërë procedura ligjore pasi ka një klauzolë në ligj ku sektorët strategjikë nuk mund të kenë falimentim. Deri në vitin 2013 ka akumuluar borxhe të mëdha që shkojnë në 300 e ca mln euro. Problemi është mbi të gjitha ekonomik dhe social. Ne kemi ndërhyrë jo se kemi larë duart në atë sektor. Ajo që kemi bërë ne është roli që ka qeveria të lehtësojë. Banka menaxhon këtë aset”, deklaronte Damian Gjiknuri në fillim të 2018-ës në cilësinë e Ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës.

Çudia merr përmasa absurde, pasi vetëm dy muaj para kësaj manovre të bankës, në shtator të 2016-ës, ministra të kabinetit qeveritar u ndalën në këtë rafineri për të njoftuar rifillimin e punës nën menaxhimin e ri nga kompania “Ioninan Refining and Trading CO”. Arben Ahmetaj, në atë kohë ministër i Financave dhe Niko Peleshi zv.Kryeministër thanë se kompania e re ishte amerikane.

“Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati -gati në skllevër të papunë për disa vite. Vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë”, premtoi Ahmetaj.

Mes premtimeve të Ahmetajt ishte edhe rikthimi në punë i 1200 punonjësve të cilëve u ishin ndërprerë kontratat.

Por, ajo që ndodhi edhe me “bekimin” e Qeverisë ishte që banka e nivelit të dytë lidhi një kontratë kalimi pronësie me rezervë me kompaninë “Ioninan Refining and Trading CO”. Por, edhe menaxhimi i ri prodhoi të njëjtin rezultat: shtim të borxheve të akumuluara në shtet, që kulmuan në 2017 deri me vonesa disamujore për pagat e punonjësve.

Në 2018 në publik doli emri i “Allum Enterprises”, një tjetër kompani e regjistruar “offshore”, që në Shqipëri ka hapur degën e saj sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit në gusht të 2017-ës. “Allum Enterprises” hyri në një marrëveshje siguruese me Bankën Credins për 17 mln euro. Marrëveshja është depozituar në QKB në nëntor të 2017-ës.

“Allum Enteprises”, sipas ekstraktit të saj në QKB është krijuar në gusht në vitit 2017 me pronar “Allum Enterprises LTD”, kompani e regjistruar në Angli dy muaj para se të hapej dega e saj në Shqipëri, pra në qershor të vitit 2017. Nga kërkimet në internet për këtë kompani nuk gjen asnjë të dhënë, duke vijuar tradita e kompanive të regjistruara “offshore” që shfyrtëzojnë ARMO-n. Ajo që mësohet nga QKB është vetëm administratori i saj për Shqipërinë, me emrin Jeton Bajrami.

Aktualisht, borxhi që ARMO i ka shtetit shqiptar që nga 2008 vlerësohet në mbi 700 mln euro. Për 12 vite, Qeveritë shqiptare kanë qenë të paafta që ta gjejnë zgjidhjen në Tiranë, tani po e kërkojnë në Baku të Azerbajxhanit. Azerët zotërojnë 85 për qind të aksioneve të ARMO-s dhe 15 për qind të tjera zotërohen nga Ministria e Energjitikës.

Për këtë qëllim, Kryeministri Edi Rama u takua në vizitën e fundit në Turqi edhe me Presidentin azer, Ilham Aliev, i shoqëruar nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, Rama ka lajmëruar se gjatë takimit në Turqi u vendosën disa piketa mbi bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe turizmit. Rama shkruan gjithashtu se u prek edhe çështja e Rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin e Presidentit, sipas tij, për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi famëkeq i viteve më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë