Para

Grabitja e shekullit në Binance

6.3 miliardë dollarë janë vjedhur nga Binance, platforma më e madhe në botë për tregtimin e kriptomonedhave, në atë që konsiderohet si një nga sulmet më të mëdha kibernetike në historinë e këtij sektori.

Sipas kompanive amerikane pas sulmit dyshohet se qëndrojnë hakerë të lidhur me Korenë e Veriut.

Autorët kanë goditur kuletat digjitale të Binance duke arritur të transferojnë pjesën më të madhe të fondeve brenda vetëm 20 minutash.

Kompania njoftoi se ka arritur të ngrijë rreth 3 miliardë dollarë nga asetet e vjedhura, ndërsa bashkëthemeluesja Yi He deklaroi se platforma do të mbulojë të gjitha humbjet e përdoruesve.

Sipas hetimeve paraprake sulmi mund të ketë nisur nga një kompjuter i hakeruar i një prej inxhinierëve të kompanisë.

Lajmi shkaktoi tronditje në tregjet e kriptomonedhave. Bitcoin dhe Ethereum humbën më shumë se 3 për qind të vlerës, ndërsa edhe monedha BNB regjistroi rënie.

Ndërkohë, kompanitë Tether, Circle dhe Ripple kanë bashkëpunuar për ngrirjen e fondeve të lidhura me sulmin.

Ngjarja ka ngritur shqetësimet për sigurinë e aseteve digjitale dhe rrezikun që paraqesin sulmet kibernetike për miliona investitorë në mbarë botën.

Kjo vjedhje mund të ketë ndodhur shpejt, por përpjekjet për të rimarrë kriptomonedhën mund të vazhdojnë për një kohë shumë më të gjatë.

Joe Hancock, kreu i rrezikut kibernetik dhe hetimeve komplekse në firmën ligjore “Mishcon de Reya”, thotë se pret një proces të zgjatur pastrimi parash: “Pastrimi ka gjasa të zgjasë me javë ose muaj, në mos më gjatë.

“Asetet që mund të ngrihen do të zhvendosen fillimisht, të ndjekura ndoshta nga një konsolidim në Bitcoin dhe një transferim jashtë zinxhirit (off-chain) përmes ndërmjetësve të ndryshëm ose kanaleve bankare të paligjshme.”

Regjistrimet publike të transaksioneve mund t’i ndihmojnë hetuesit të ndjekin gjurmët e parave, por gjurmimi dhe rikuperimi i tyre mbeten sfida më vete.

“Kriptomonedhat janë një objektiv kryesor për hakerët. Natyra e tyre si monedhë elektronike i bën këto lloj transferimesh më të lehta për t’u kryer dhe shumë të vështira për t’u anuluar. Gjithashtu, është e vështirë të rikuperohen fondet, përveç rasteve kur ato kalojnë në një pikë daljeje nga ekosistemi i kriptomonedhave, siç është një platformë shkëmbimi,” tha Hancock.

Ndërkohë, premtimi i “Binance” për të kompensuar klientët krijon një sfidë të veçantë financiare. Asetet e ngrira duhet të kthehen, ndërsa çdo shumë që nuk mund të rikuperohet duhet të zëvendësohet.

Besimi do të varet nga fakti nëse “Binance” do të dëshmojë se i ka përmbushur këto detyrime dhe se klientët mund t’i tërheqin realisht fondet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë