Ngjarje

Tabelat provokuese në greqisht, ligji shkelet me dy këmbë

Një ditë pas denoncimit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, policia ka zhvilluar mbëmjen e së shtunës një aksion në Finiq të Sarandës për heqjen e tabelave të vendosura në gjuhën greke dhe poshtë tyre edhe në shqip. Sipas burimeve policore, ndërhyrja e forcave të rendit ka hasur në kundërshtimin e disa banorëve të zonës, por gjithsesi aksioni është cuar deri në fund.

Ndërkohë edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar ka sqaruar aksion që ka ndërmarrë për heqjen e tabelave në gjuhën greke. Në njoftimin e ARRSH thuhet:
"Nisur nga konstatimi për vendosjen në rrugën kombëtare Qafë Muzinë – Sarandë – Konispol, të sinjalistikës rrugore me emertime të qendrave të banuara në gjuhën minoritare të zonës dhe shqipe, Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë mbrëmjes së mbrëmshme, në bashkëpunim me Policinë e shtetit ka realizuar heqjen e 35 tabelave, të cilat ishin vendosur jashtë standarteve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Sa më sipër, çdo palë e tretë jo ent pronar i rrugës, në kushtet kur vendos të ndërhyjë në rrugë apo vendosje sinjalistike treguese për zonat e banuara, duhet t’i referohet “Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” dhe V.K.M Nr.446, datë 05.03.2008 “PËR PËRCAKTIMIN E SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË TABELAVE TË EMËRTIMEVE TË PARQEVE, SHESHEVE, BULEVARDEVE E RRUGËVE DHE TË NUMËRTIMEVE TË NDËRTESAVE”.
ARRSH konstatoi se 35 tabela të vendosura në këtë aks nacional, nuk plotësonin kushtet e përcaktuara në kodin rrugor të RSh për mbrojtjen e sigurisë rrugore të përdoruesve të rrugës, ku shumica prej tyre pengonte shikueshmërinë e tabelave rrugore paralajmeruese në këtë aks. Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi përsa i përket specifikimeve teknike të tyre.
Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi përsa i përket renditjes së emertimëve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.
Si rrjedhojë, duke e konsideruar vendosjen e këtyre tabelave në shkelje të procedurave ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si dhe Policinë Gjyqësore, kanë ndërmarrë gjatë mbremjes se 4 majit masat për heqjen e këtyre tabelave duke eliminuar nga rruga 35 tabela sinjalizuese, të cilat ulnin sigurinë rrugore të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës:.

Në prag të sezonit turistik, Bashkia e Finiqit kishte vendosur të investonte në sinjalistikë rrugore për të orientuar turistë të huaj e vendas në rrugët e zonës. Por, një detaj jo vetëm i pakendëshëm, por edhe antiligjor ka nxitur debat.

Tabelat e vendosura shfaqin emrat e fshatrave dhe qyteteve fillimisht në gjuhën greke dhe poshtë tyre në gjuhën shqipe, duke shkelur ligjin për pakicat kombëtare, e për më tepër duke deformuar toponimet.

Ligji për pakicat kombëtare përcakton se organet e njësive vendore, ku mbi 20 për qind e banorëve i përkasin një pakice kombëtare, krahas gjuhës shqipe mund të vendosin të emërtojnë edhe në gjuhën e pakicës përkatëse, në këtë rast greqisht, emërtimet e rrugëve dhe treguesve të tjerë topografikë.

Kjo do të thotë se gjuha e parë në emërtimet e rrugëve dhe treguesve të tjerë është shqipja dhe më pas gjuha e pakicës. Bashkia e Finiqit nuk e ka respektuar këtë përcaktim të qartë të ligjit dhe si gjuhë të parë në tabelat e vendosura së fundmi prej saj, siç shihet në fotogalerinë e mëposhtme, gjuha e parë e vendosur është greqishtja dhe poshtë saj shqipja.

Pra, në frymën e legjislacionit shqiptar dhe të praktikave ndërkombëtare që ligjet shqiptare u janë referuar, shkelja nuk është tek vendosja e gjuhës greke, por tek radhitja e saj para gjuhës shqipe, kjo pasi në kontaktin e parë, një i huaj lehtësisht do të “turbullohej” nëse ndodhej në territorin e shtetit shqiptar, apo në territorin e shtetit grek.

Përveç kësaj, ky vendim nuk shkel vetëm ligjin për për pakicat kombëtare, por edhe Kushtetutën e vendit tonë dhe bie ndesh edhe me praktikat ndërkombëtare që përcaktojnë të drejtat, liritë dhe detyrimet e minoriteteve.

Shkelja merr përmasa edhe më të mëdha, pasi përveç renditjes antiligjore të gjuhës, tabelat kanë edhe deformime të toponimeve. Kështu, Saranda greqisht është emërtuar “Agios Saranda”, që në shqip përkthehet “Shën Saranda”. Saranda s’është e vetmja. Edhe emri i fshatit Pandalejmon, ku s’ka minoritarë, por që është pjesë e kësaj bashkie, emërtimi ka pësuar deformim të njëjtë, “Agios Panataleimonas”.

Duke patur parasysh këtë shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve shqiptare, autoritetet kanë ndërhyrë duke hequr tabelat. Ndërhyrja është bërë natën.

Mbetet për t’u parë nëse kryebashkiaku i Bashkisë së Finiqit, Leonidha Hristo do të thirret në Prokurori për të dhënë të paktën sqarime, apo nëse vendimi i marrë prej tij dhe këshillit bashkiak është një vendim “naiv”, apo ai ka qenë i mirëmenduar për të nxitur sërish tensione në një zonë, ku disa muaj më parë u shfaqën zërat nacionalistë të ekstremistëve grekë pas vrasjes së Konstantinos Katsifas.

Toponimet, mollë sherri me Greqinë

Emërtimet e deformuara, nëse do të marrim standardin e aplikuar nga vetë shteti grek, nuk ekzistojnë në Republikën e Shqipërisë. Cështja e toponimeve ka qenë një ndër tematikat më të nxehta në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Athina nuk lejon që në Greqi të hyjnë shqiptarët që në pasaportat e tyre kanë të shkruar si vendlindje emrin “Çamëri”.

Si problematikë kjo i është ngritur disa herë ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Gjatë një interpelance përmes platformës “Bashkqeverisja me qytetarët”, Bushati sqaronte në shkurt të vitit të kaluar se çfarë po bënte shteti shqiptar mbi këtë temë.

“Për ne, kjo nuk është fare një çështje e karakterit territorial apo irredentist siç përpiqen ta përshkruajnë politikanë të ndryshëm në Greqi. Për ne, kjo është një çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Pra, është një çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Së dyti, flasim për të drejtën e lëvizjes së lirë në përputhje me parimet e Schengen-it dhe në përputhje me një nga katër themelet, një nga katër shtyllat mbi të cilat qëndron e gjithë ngrehina e Bashkimit Europian në këmbë, sepse ne e dimë shumë mirë që ka raste edhe sot e kësaj dite ku qytetarë me origjinë, apo pjesë të komunitetit çam apo fëmijë, nipër e mbesa nuk lejohen për të hyrë normalisht në Greqi”, deklaronte ai.

Jo vetëm kjo, por pala greke nuk njeh as pasaportat e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që kanë lindur në Greqi, kur vendlindja e tyre shkruhet shqip. Si zgjidhje u arrit mes palëve një marrëveshje në vitin 2014, ku u ra dakord që toponimet e vendlindjes së fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi të shkruhen anglisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë