Shendet

Tabela e pozitivitetit: Pse u ulën shifrat e Covid-19 në Shqipëri?

Që prej dy javësh në Shqipëri vihet re një ulje e numrit të infektimeve dhe të vdekjeve për shkak të Covid-19. Duke marrë për shifrat zyrtare, Gazeta “Si” analizoi përqindjen e pozitivitetit, që është raporti mes testimeve dhe rasteve të reja në një ditë; nga çka rezulton se shifrat kanë ardhur në rënie.

DataRasteTestimePozitiviteti
27 dhjetor499216523.04%
28 dhjetor318150821.08%
29 dhjetor574268221.4%
30 dhjetor581268121.6%
31 dhjetor589235025.06%
1 janar407185821.9%
2 janar268102526.1%
3 janar447230919.3%
4 janar185128114.4%
5 janar660342419.2 %
6 janar725390618.5 %
7 janar697366819%
8 janar673392717.1%

Në datën 27 dhjetor pozitiviteti ishte 23.04%, ndërsa duke marrë të dhënat e ditës së premte (8 janar) përqindja ka arritur në 17%. Ekspertët e shëndetit publik në vend, ua atribuojnë uljen e ndjeshme të pozitivitetit masave të marra përpara festave. Por sipas Erion Dashos, ekspert i Shëndetit Publik në Gjermani, deri më tani situata në Shqipëri mbetet e pashpjegueshme, sepse nga njëra anë kemi pasur masa të lehta dhe një sërë protestash të cilat nuk u reflektuan në shifra infektimesh. Dasho thotë për Gazetën “Si” se situata në Shqipëri është e pabesueshme, sepse numri i testimeve ka qenë i ndryshueshëm vazhdimisht. “Sigurisht që nuk kemi një besueshmëri të rasteve të diagnostikuara. Kemi pasur ditë me 150 raste si kemi pasur ditë me 700 raste dhe e gjithë kjo ka ndryshim dhe variacion. Kjo i dedikohet numrit të ndryshëm të testeve”, shpjegon eksperti.

Ndërkaq dy javë pas protestave për vdekjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, më datën 8 dhjetor ndryshe nga çfarë pritej në logjikën epidemiologjike, në një kohë që grumbullimet janë të ndaluara, shifrat filluan të binin. Sipas Shefit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj përdorimi i maskës dhe distancimi social po jep rezultat të mirë. Në intervista televizive mjeku Brataj është shprehur se pavarësisht këtij fakti ka ende qytetarë që nuk tregojnë se kanë sëmundjen, njësoj si në fillim të pandemisë.
Në mbledhjen që Komiteti i Ekspertëve mbajti në fillim të vitit, drejtoresha e ISHP, Albana Fico deklaroi se situata është e qëndrueshme. Sipas saj incidenca dyjavore ishte 227 raste për 100.000 banorë, ku grupmosha më e prekur ishte 55-64 vjeç.
Por sipas ekspertit Dasho, qëndrueshmëria e vërtetë në fakt është në spitale, sepse ka një tendencë në rënie në numrin e rasteve që trajtohen në spitalet COVID.
“Për mendimin tim kjo ndodh sepse gjithnjë e më tepër raste që nuk janë në gjendje të rëndë, po trajtohen në spitalet rajonale. Kjo ka bërë të mundur që të ulet kongjestioni i spitaleve COVID,” shton eksperti. Sipas tij, duhet të shohim më tepër si do të vijojë situata.
Duke bërë një projeksion për fundin e muajit, mjeku Brataj ndërkaq mendon se në fund të janarit shifrat mund të pësojnë rritje pikërisht për shkak të grumbullimeve gjatë festave.
Kjo përkon me një kohë kur është premtuar nga autoritetet shëndetësore se do të nisë edhe vaksinimi në vendin tonë.
Ndërkaq në vorbullën e shifrave, nga Akademia e Shkencave ditë më parë u tregua se përqindja e pozitivitetit në kryeqytet ka arritur në 50% të popullatës, ndërsa në pjesën tjetër të vendit 25%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë