Ekonomi

Tabaku: Skema si do të bastisen bizneset dhe qytetarët me fiskalizimin

Ish deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku shkruan në llogarinë e saj në Facebook kundërshtitë që ka me sistemin e ri të fiskalizimit duke shpjeguar se si do të rëndojnë kostot shtesë tek bizneset dhe qytetarët.

Jorida Tabaku

Sipas saj barra që do të rëndojë tek bizneset shqiptare për formalizimin në këtë mënyrë është disa fish më e madhe se në çdo vend tjetër të rajonit dhe Europë.

“Implementimi i sistemit të ri tatimor do të prodhojë jo vetëm paqartësi ligjore por edhe kosto shtesë dhe të fshehura për biznesin. Këtë mendim kishim që ditën e parë që dëgjuam dhe dolëm në deklaratë kundër PPP-së 16 mld lekë që u fitua nga kompania kroate në mënyrë anti-ligjore një vit më parë. Qeveria, më saktë ish ministri, nuk guxoi të mohonte faktet por vazhdoi të hidhte baltën e përhershme ndaj të vërtetës.”- shkruan Tabaku duke vijuar më tej “Sa më shumë kohë kalon aq më e qartë është paligjshmëria, vjedhja dhe abuzimi me sistemin e ri të fiskalizimit. Sot një vit pasi ky tender i kaloi në mënyrë anti-ligjore kompanisë kroate NEOS askush nga fusha e biznesit apo ministrisë nuk ka dijeni se çfarë do të ndodhë me programin e ri dhe se si do të zbatohet tek biznesi.”

Sipas saj, përtej paqartësive ligjore që nisin nga mungesa e një legjislacioni e deri tek mungesa e protokolleve teknike për implementimin e programeve dhe gjuhën e implementimit, një tjetër problem për biznesin lidhet me koston e fshehur.

Për Tabakun, transferimi i procedurave në një sistem do të thotë kosto për biznesin, jo vetëm në blerjen e sistemeve apo adaptimet e tyre, por edhe në koston e trajnimit të punonjësve të tyre.

Një nga kostot e fshehura që nuk përmendet nga qeveria, shpjegon ish deputetja e PD-së, lidhet me atë që quhet “Firma Dixhitale”, e cila ndodhet në një USB. Qeveria Rama përmes VKM-së të datës 12/01/2018 do të përcaktonte krijimin e “Firmës Dixhitale” që do të vendosej brenda një USB Token, kjo firmë do të kishte vlerën e 7300 lekësh dhe do të ishte e vlefshme për 1 vit kalendarik. Implementimi i sistemit të ri fiskal do të shoqërohet pashmangshmërisht edhe me firmën dixhitale që do të firmosë faturat e transportit.

Sipas një përllogaritje të saktë dhe të thjeshtë për një biznes i cili ka 6 punonjës në kasë do t’i duhet minimalisht 6 USB Token (Frima Dixhitale) në vit. Kosto vjetore e këtij biznesi do të rritej me 43.800 lekë në vit. Në rastin e shembullit më sipër nuk është marrë një biznes kompleks që nis me prodhimin, magazinimin dhe shpërndarjen e produktit por një biznes i thjeshtë dyqan shitjeje.

Kjo kosto e lartë e cila i shtohet peshës së rëndë të kostove të biznesit në Shqipëri është shumë herë më e madhe se sa në Kroaci apo Itali.

Në rastin e Kroacisë kohëzgjatja e firmës dixhitale është 3 vjet dhe jo një vit siç është në rastin tonë.

Sipas Tabakut, biznesit do t’i duhet ta blejë këtë kasë që me gjasë do të jetë Monopol i AKEP (ky i fundit do ta marrë me tender nga një tjetër monopol) dhe kështu mbi 100 mijë biznese në Shqipëri do t’i duhet të nxjerrin para të tjera nga xhepi për të paguar koncesionet dhe tenderat e qeverisë. Por pa qenë të sigurtë nëse këto USB Token (pra Firma Dixhitale) do të jenë të përdorshme edhe në kasat aktuale fiskale.

“Këto e shumë faktorë të tjerë që lidhen me hapësirën që i kanë dhënë kompanisë kroate për të kryer ndryshime ligjore, ndryshimin e sistemit të kasave, kostot e mirëmbajtjes 60 deri në 80 euro në vit e bëjnë këtë një aferë më të madhe se ajo që kishim parashikuar.”- shkruan Tabaku.

Ajo e cilëson këtë sistem të një kurth të qeverisë aktuale që në emër të luftës kundër informalizimit i shton barrën biznesit. Ne do të luftojmë për të formalizuar dhe dixhitalizuar transaksionet financiare të biznesit, nënvizon Tabaku, por fushata të tilla që mbulojnë korrupsionin dhe sisteme korruptive të cilat gjobisin e bastisin biznese thjesht për të justifikuar vjedhjen me sistemin e ri të tatimeve janë thjesht vjedhja e rradhës. Të cilën kësaj radhe do ta paguajnë shqiptarët dhe bizneset!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë