Lajme

Super Agjencia, Vorpsi: Ligji i ri s’do zgjidhë asgjë për ish-pronarët

Kryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” thekson se me nismën e re Qeveria nuk do të zgjidhë asgjë sa i takon shtresës së ish-pronarëve. Projektligjet “Për Përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për krijimin e Agjencisë së Kadastrës” parashikon shkrirjen e 4 institucioneve, mes tyre ALUIZNIT, Hipotekat dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Nismat janë paraqitur për konsultime nga ana Ministrisë së Drejtësisë dhe pas mbylljes së kësaj faze pritet të miratohen nga ana e Qeverisë.
“Për ne ish-pronarët nuk ka asnjë vlerë një projektligj i tillë, pasi tashmë ne konfliktin nuk e kemi me qeveritë e majta apo të djathta, por me shtetin shqiptar. Beteja jonë është në Gjykatën e Strasburgut”, deklaron Vorpsi për Gazetën SI. Më tej ai thekson se Agjencia e Trajtimit të Pronave po i mbaron afati ligjor për trajtimin e dosjeve për ish-pronarët, duke e nxjerrë jashtë loje si institucion dhe se në muajin Shkurt të vitit të ardhshëm, qeveria duhet të nxjerrë një faturë për kompensimin për subjektet e ish-të shpronësuarve.
“Agjencia e re i duhet kryeministrit ta ketë nën kontroll, pasi edhe më parë ATP-ja ka qenë në varësi të tij, më pas ky institucion kaloi në varësi të Parlamentit. Por kur e shikuan se nuk e zgjidhën si proces, kompensimin e pronarëve ia lënë në kompetencë të ministrit të Drejtësisë. Tani e rikthyen në varësi të kryeministrit, edhe ATP, edhe ALUIZNI-n dhe Hipotekën, për të pasur të drejtën e një firme në këtë proces. Në një kohë kur këto procese kanë pasur kanë kaluar në tre firma, në sensin që janë dhënë mendime të specializuara për çështjet e ndryshme, duke rrahur mendime për zgjidhjen e tyre. Bashkimi i këtyre institucioneve bëhet që të kenë si primare legalizimet dhe dhënien e AMTP-ve dhe jo për ish-pronarët. Shihni çfarë po ndodh më çështjen e banorëve në zonën e Astirit, përplasje që po ndodh për shkak të procesit të  tejzgjatuar të legalizimeve që nuk po gjejnë zgjidhje akoma deri më sot”, shprehet më pas Vorpsi për gazetën “SI”.

A do të shkrihet ATP-ja?
Projektligjet e hedhura për konsultim publik, parashikojnë që kompetencat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP) t’i kalojnë Agjencisë së Kadastrës Shtetërore (AKSH), duke nënkuptuar shkrirjen e këtij institucioni.
ATP-ja në fakt brenda muajit shkurt të vitit të ardhshëm i duhet të mbyllë procesin e vlerësimi të titujve të pronësisë për ish-pronarët, si pjesë e detyrimit ligjor ku brenda 3 viteve duhet ta ketë përfunduar atë. “Brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe sipas përcaktimeve të tij, ATP-ja, vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë njohur të drejtën e kompensimit. Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin, sipas pikës 1, të këtij neni, subjektit i lind e drejta t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji”, thuhet në nenin 15 të ligjit Ligjit 133/2015, për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Nëse këto vendime kontestohen nga ish-pronarët për vlerësimin apo ATP nuk merr vendim për dosjet e tyre atëherë atyre iu lind e drejta për t’u drejtuar Gjykatës .
Pas kësaj ATP ka detyrimin që të realizojë kompensimin financiar sipas skemës të përcaktuar 10-vjeçare.
Kështu pjesa e mbetur do t’i takojë trajtohet nga ana e Agjencisë së Kadastrës, nëse do të mbesë si detyrim ligjore me draftin e ri final që pritet të miratohet nga qeveria. Burime të gazetës SI nga ministria e Drejtësisë bënë të ditur se për dy draftet si pjesë e paketës së reformës në pronësi, do t’i nënshtrohen konsultimeve me ekspertë dhe më pas do të paraqitet për miratim në mbledhjen e qeverisë. Ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia që drafti të pësojë ndryshime për sa i përket shkrirjes së institucioneve apo ushtrimit të kompetencave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë