Shendet

Studiuesit: Virusi i ri në Kinë mund të jetë prova që tregon sa shumë viruse kalojnë nga kafshët tek njeriu

Shkencëtarët thonë se nevojiten më shumë studime për një virus të ri të zbuluar në dhjetëra njerëz në Kinën lindore që mund të mos shkaktojë pandeminë e ardhshme, por mund të tregojë se sa lehtë viruset mund të udhëtojnë pa u vënë re nga kafshët te njerëzit.

Virusi, i quajtur henipavirus Langya, infektoi në Kinë fermerë dhe banorë të tjerë, sipas një ekipi shkencëtarësh që besojnë se ai mund të jetë përhapur drejtpërdrejt ose tërthorazi te njerëzit nga kafshët e egra.

Patogjeni nuk shkaktoi ndonjë vdekje të raportuar, por u zbulua në 35 pacientë me ethe në spitalet në provincat Shandong dhe Henan midis 2018 dhe 2021, thanë shkencëtarët, një zbulim që mbështet më shumë parajmërimet e shkencëtarëve se viruset e kafshëve po kalojnë tek njerëzit në të gjithë botën.

"Ne po e nënvlerësojmë numrin e rasteve zoonotike në botë, dhe virusi Langya është vetëm maja e ajsbergut", tha eksperti i viruseve Leo Poon, profesor në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit të Hong Kongut.

Hulumtimi i parë shkencor mbi virusin, i botuar nga një ekip studiuesish kinezë dhe ndërkombëtarë në New England Journal of Medicine javën e kaluar, mori vëmendjen globale për shkak të shqetësimit të shtuar për shpërthimet e sëmundjeve. Mijëra raste të reja me Covid-19 raportohen ende në mbarë botën çdo ditë, gati tre vjet që kur Covid-19 u zbulua për herë të parë në Kinë.

Megjithatë, studiuesit thonë se nuk ka asnjë provë që virusi Langya po përhapet midis njerëzve ose se ai kishte shkaktuar një shpërthim lokal të rasteve të lidhura me njëri-tjetrin.

“Duhen më shumë studime për të kuptuar nëse ky virus përhapet nga njeriu tek njeriu”, tha Poon.

Shkencëtarja e sëmundjeve infektive Linfa Wang thotë se megjithëse virusi i ri nuk është një rrezik në përmasa të mëdha, është një mësim i mirë që na tregon se “ka pafund raste zoonotike që ndodhin, më shpesh sesa mendojmë dhe dimë ne”.

Gjurmimi i një virusi të ri

Të dhënat e para për praninë e një virusi të ri dolën kur një fermere 53-vjeçare kërkoi trajtim në një spital në qytetin Qingdao të provincës Shandong në dhjetor 2018 me simptoma të tilla si ethe, dhimbje koke, kollë dhe vjellje.

Ndërsa pacientja tregoi se kishte pasur kontakte me kafshët, asaj ju bënë ekzaminime shtesë ku u gjet një virus që nuk ishte parë kurrë më parë.

Gjatë 32 muajve të ardhshëm, studiuesit ekzaminuan për këtë virus në pacientë të tjerë që kishin simptoma të njëjta, duke e zbuluar përfundimisht atë në 35 njerëz.

Disa shfaqën simptoma të rënda si pneumonia ose anomalitë e trombocitopenisë, një problem i trombociteve të gjakut, sipas Wang, dhe asnjë nuk vdiq e as nuk u shtrua në ICU. Të gjithë u shëruan dhe asnjë nuk kishte probleme afatgjata.

Wang thotë se nuk kishte asnjë kontakt të ngushtë midis pacientëve.

Pasi e kuptuan se një virus i ri po infektonte njerëzit, studiuesit filluan të punojnë për të parë nëse mund të zbulonin se çfarë po infektonte pacientët. Ata testuan kafshë të zbutura ku pacientët jetonin për gjurmë të infeksionit të kaluar me virusin dhe gjetën një numër të vogël dhish dhe qensh që mund të kenë pasur virusin më parë.

Por zbulimi i vërtetë erdhi kur ata testuan mostrat e marra nga kafshët e vogla të egra të kapur në kurthe dhe gjetën se ato ishin transmetuesit e virusit.

“Ajo që mbetet e paqartë është se si kaloi virusi te njerëzit”, tha Wang.

Reduktimi i rrezikut

Në nivel global, 70% e sëmundjeve infektive në zhvillim mendohet se kanë kaluar te njerëzit nëpërmjet kontaktit me kafshët, në një fenomen që shkencëtarët thonë se është përshpejtuar ndërsa njerëzit kanë filluar të kenë më shumë kontakte me kafshët.

Kina ka parë shpërthime të mëdha nga viruset në zhvillim në dy dekadat e fundit, duke përfshirë SARS në 2002-2003 dhe Covid-19, të dy të zbuluara për herë të parë në Kinë dhe që mendohet se kanë origjinën nga lakuriqët e natës.

Efektet shkatërruese të të dyja sëmundjeve, veçanërisht Covid-19 demonstrojnë rëndësinë e identifikimit të shpejtë të rasteve të viruseve të reja dhe ndarjes së informacionit rreth rreziqeve të mundshme.

“Për shkak se ky henipavirusi i ri mund të mos qarkullojë vetëm në Kinë, është e rëndësishme ndarja e informacionit që çdo vend të bëjë hetime për të”, tha Poon në Hong Kong.

Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë