Analize

Studimi i Rockefeller: Ballkani i Hapur minon Procesin e Berlinit

Nisma 'Ballkani i Hapur' e mbështetur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, mund të ketë ndikime negative domethënëse dhe në aspektin e bashkëpunimit të mirëfilltë në të gjithë rajonin, thotë një analizë e Fondacionit të Rockefeller Brothers

Nisma parashikon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave nëpër vendet e rajonit. Për më tepër, marrëveshjet do të lehtësojnë çështje të tilla si investimet, vendbanimin dhe njohjen e kualifikimeve, duke kërkuar gjithashtu përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Studimi i përpiluar nga fondacioni zbuloi se ndërsa tre vendet e përfshira në këtë nismë thonë se ajo shkon paralelisht me Procesin e Berlinit dhe madje e përshpejton këtë proces dhe rrit bashkëpunimin rajona, autorët e studimit nuk mendojnë kështu.

“Përfshirja e gjysmës së vendeve të Ballkanit Perëndimor në nismën e Ballkanit të Hapur mund të ketë ndikime negative në aspektin simbolik dhe bashkëpunimin real në rajon”, zbuloi studimi, duke shtuar se nisma rrezikon të zëvendësojë qëllimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë e Procesit të Berlinit.

“Megjithëse nisma e Ballkanit të Hapur nuk lindi domosdoshmërisht nga zhgënjimi për çështjet e zgjerimit, udhëheqësit e përfshirë duket se e mirëpresin idenë se nuk duhet të adresojnë standardet europiane brenda saj,” thotë studimi.

Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi aktualisht nuk janë pjesë e kësaj nisme dhe mbeten skeptike, duke e cilësuar ‘Ballkanin e Hapur’ si kërcënim për procesin e integrimit europian. Në rastin e Kosovës shqetësimet lidhen me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kundërshtuar haptazi nismën dhe qëllimet e saj dhe udhëheqësit e Bosnjes kanë thënë se ajo kërcënon pavarësinë e vendit. Mali i Zi iu afrua nismës me Kryeministrin Dritan Abazoviç, por zhvillimet e fundit politike në Podgoricë nuk sugjerojnë bashkimin e vendit te ‘Ballkani i Hapur’.

Autorët e studimit pohojnë se ‘Ballkani i Hapur’ mund të rrisë më tej ndarjet rajonale, veçanërisht midis Serbisë dhe Kosovës, ose Malit të Zi dhe Serbisë, madje mes tre vendeve anëtare dhe tre të tjerave që nuk janë pjesë.

Ndërkohë, BE-ja është treguar e kujdesshme në komentet e saj për nismën, duke përshëndetur rritjen e bashkëpunimit rajonal, por ka shfaqur rezerva për mënyrën e ndjekur. Në vjeshtën e vitit 2021, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e përshkroi iniciativën si “konkurrencë jo të shëndetshme” me procesin e integrimit në BE.

Burime të tjera në Bruksel kanë përsëritur qëndrimin e mbajtur më parë nga BE-ja se bashkëpunimi rajonal është gjithmonë i mirëpritur. Megjithatë, në këtë rast, projekti mbetet i mangët për sa kohë përfshin vetëm Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe lë jashtë Kosovën, Bosnjen dhe Malin e Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë