Politike

‘Ballkani i Hapur’ mblidhet sot në Beograd, marrëveshje për tregtinë pa kufizime të ushqimeve

Gazeta Si - Në samitin ‘Ballkani i Hapur’ që pritet të mbahet këtë të enjte në Beograd, do të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve mes vendeve të kësaj nisme.

Në këtë takim do marrin pjesë, kryeministri Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Në takimin e Beogradit, do të marrin pjesë edhe kryeministri malazez Dritan Abazoviç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës Zoran Tegeltija, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe minstri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Liderët e Ballkanit do të takohen me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për tërheqjen e investimeve në kuadër të nismës ”Open Balkan”.

Nga ora 12:00 deri në orën 13:00, drejtuesit do të takohen me përfaqësues të grupeve të krizës të Iniciativës për Furnizimin me Ushqim dhe Energji.

Nënshkrimi i dokumenteve dypalëshe dhe një konferencë e përbashkët për shtyp janë planifikuar për në orën 13:00.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Tri nismëtarët e “Open Balkan”, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë