Politike

Statuti, Basha mund të drejtojë “part-time” dhe i paraprin rasteve kur PD mund të humbasë sërish zgjedhjet

Në asnjë proces ndryshimi të statutit të PD-së qysh prej themelimit të saj nuk është diskutuar asnjëherë (e jo më të zyrtarizohet) përfshirja e një rregulli që lidhet me vakancën e gjatë në drejtim të kryetarit të partisë.

E ka bërë kësaj herë Lulzim Basha përmes propozimeve që ai i paraqiti fillimisht komisionit statutor, më pas Kryesisë për të kaluar  në fund formalisht në Kuvendin Kombëtar.

Lulzim Basha krahas mandatit të pakufizuar, mungesës së një pike në statut se kur duhet të japë dorëheqjen, apo edhe sa përgjegjësi duhet të mbajë në rast humbje të zgjedhjeve, ka shtuar një pikë që lidhet drejtpërdrejtë me mundësinë e një mungese të gjatë nga ana e tij në drejtimin e partisë (koha nuk përcaktohet se sa) dhe delegimin e kompetencave nënkryetarit ose Sekretarit të Përgjithshëm.

 Në statutin  e deri para tre ditëve të PD-së sanksionohej se kryetari i partisë zgjidhej me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktoheshin nga rregullorja e brendshme e partisë.

Me statutin e ri, neni për kryetarin përpos disa rregullimeve gramatikore dhe sintaksore, por që nuk ndryshon në thelb nga ai i vjetri, ka shtuar një pikë në përmbajtje të së cilës përfshihet edhe rasti kur ai jep dorëheqjen, por që mund të rikthehet në parti.

Pak a shumë një kryetar “i ngrirë” që sa duket do të lidhet me rezultatet e mevonshme zgjedhore, por jo vetëm.

Pa përcaktuar arsyet se kur dhe sa kohe, kryetari i partisë mund të mandatojë nënkryetarin të drejtoje partinë deri sa të kthehet.    

“Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”, thuhet në pikën 4 të nenit 46 të statutit të ri.

Statuti i PD Ishte

Neni 51

Kryetari i Partisë

1. Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare.

2. Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Partisë në varësi të problematikave apo çështjeve specifike mund të ngrejë struktura ndihmëse apo të caktojë koordinatorë apo të deleguar, të cilat merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre, apo drejtimin e procesit të ngarkuar.

3. Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH.

4. Kryetari i Partisë në përmbushje të funksioneve të tij dhe garantimit të mbarëvajtjes së punës në parti, nxjerr urdhra dhe udhëzime, në bazë dhe për zbatim të këtij Statuti, si dhe të vendimeve të organeve drejtuese të Partisë.

Statuti i PD bëhet:

Neni 46

Kryetari i Partisë

1. Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare.

2. Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen në aktet nënstatutore.

3. Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Partisë në varësi të problematikave apo çështjeve specifike mund të ngrejë struktura ndihmëse apo të caktojë koordinatorë apo të deleguar, të cilat merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre, apo drejtimin e procesit të ngarkuar.

4. Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri.

5. Kryetari i Partisë në përmbushje të funksioneve të tij dhe garantimit të mbarëvajtjes së punës në parti, nxjerr urdhra dhe udhëzime, në bazë dhe për zbatim të këtij Statuti, si dhe të vendimeve të organeve drejtuese të Partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë