Nga Gazeta ‘Si‘ -Në përpjekje për të shuar kontestimet rreth Zvërnecit, kryeministri Edi Rama e ‘shiti’ si një mekanizëm sigurie vendimin e SPAK për të mbajtur të ngrira fondet e transaksionit deri në përfundimin e verifikimeve.
Sipas tij, fakti që paratë nuk kalojnë menjëherë te shitësi, por mbeten të bllokuara derisa të provohet origjina e ligjshme e pronës, është garanci se procesi po zhvillohet brenda kornizave të ligjit.
Por shqetësimi nuk duhet të jetë me atë çfarë do ndodhë me paratë në fund sepse fillimisht duhet nisur nga një pyetje më themelore: kush është pronari i tokës dhe si mund të kryhet një transaksion kur ende nuk është e qartë kush është pronari?
Kjo është edhe arsyeja fillestare pse rasti prodhoi reagime dhe protesta në zonë.
Banorë dhe pretendues të ndryshëm të pronësisë ngritën shqetësime se toka e përfshirë në projekt zhvillimi në Zvërnec është objekt konfliktesh të vjetra pronësie, me pretendime që lidhen me trashëgimi familjare, vendime të mëparshme të kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe pasiguri në regjistrimet kadastrale.
Në çdo sistem funksional të pronësisë, logjika është e njëjtë: fillimisht vërtetohet pronësia, pastaj përcaktohet e drejta për shitje, dhe vetëm më pas hapet rruga për kalimin e parave dhe të pasurisë.
Dhe kjo nuk është thjesht një procedurë formale, por është një rend logjik që mbron tregun nga konflikti.
Ndërsa në rastin e Zvërnecit ky rend është përmbysur: transaksioni është lejuar të ndodhë, paratë kanë hyrë në lëvizje, dhe vetëm më pas sipas Ramës nis verifikimi i asaj që duhej të ishte sqaruar në fillim.
Dhe këtu lind paradoksi në këtë rast: Mbi çfarë baze u lejua të ecë përpara një transaksion i tillë? Si mund të verifikosh legjitimitetin pasi ke lejuar fillimisht krijimin e një marrëveshjeje financiare?
Në zona si Zvërneci, ku historia e pronësisë është e ndërlikuar, me mbivendosje dokumentesh, pretendime të vjetra dhe interesa të forta zhvillimore, sqarimi i pronësisë nuk duhej të ishte një hap teknik por duhej të ishte kushti i parë i ekzistencës së tregut.
Nëse nesër rezulton se pronësia është e kontestuar, kush mban përgjegjësi për faktin që transaksioni u lejua të ndodhte që në fillim? Shitësi? Institucionet verifikuese? Apo vetë shteti që lejon qarkullimin e një prone pa u mbyllur më parë çështja e pronarit?
A mund të konsiderohet i sigurt një investim kur vetë objekti i tij është ende subjekt mosmarrëveshjeje? A mjafton ngrirja e fondeve për të garantuar ligjshmërinë e procesit, kur debati kryesor është se kujt i përket prona?
Sepse në fund të fundit, një treg funksional pronash nuk ndërtohet mbi verifikime të mëvonshme, por mbi sigurinë juridike që ekziston përpara se të lëvizë qoftë edhe një euro.
Prandaj, përtej debatit për investimin, përtej diskutimit për fondet e ngrira dhe përtej garancive që përmenden sot, rasti i Zvërnecit ngre një debat të madh për pronësinë.
Dhe derisa të marrë përgjigje pyetja më elementare- kush është pronari i ligjshëm i tokës- çdo mekanizëm i qeverisë mbetet i pamjaftueshëm për të shuar dyshimet që tashmë janë ngritur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje