Mendim

Spanjollët “i shpëtoi” Blendi Klosi, po neve?

Mentor Kasa - Mihal Kokëdhima e pagoi shtrenjtë “kapriçon” personale me turistët spanjollë. Ai sot është në arrest me burg dhe restoranti i doli ndërtim pa leje dhe iu prish. Nga distanca, kjo duket si një nga ato pak histori e ngjarje shqiptare, ku drejtësia vendoset në vend.

Por, Mihali vs Spanjollët është një pikë uji në oqean në krahasim me morinë e rasteve dhe problematikave të këtij lloji me të cilat përballen turistët, shqiptarë dhe të huaj. Thuajse kudo nëpër pikat kryesore turistike në Shqipëri gjen pronarë “gangsterë”, si, apo më keq se Mihali dhe po ashtu edhe turistë e vizitorë “gangsterë”, që kur sfidojnë “Mihalët” kërcet pistoleta.

“Gangsterët” e këtij soji përfundojnë në lajme, por nuk janë shumica. Shumica janë njerëz të thjeshtë e normalë, që sidomos periudhën e gushtit e shfrytëzojnë për t’u shkëputur nga përditshmëria e punëve të një viti. Ky grup njerëzish, kur vihen përballë tipave si Mihali priren që t’u shmangen telasheve duke sakrifikuar nga xhepi i tyre.

Kjo është rruga që zgjedhin për t’u shmangur sherreve shumica, përfshirë unë, me vetëdije se pronari “ua futi” dhe mosbesues se të drejtën mund të gjejnë tek institucionet, pasi jo të gjithë kanë fatin e spanjollëve, që pas një konflikti të marrin një tufë me lule dhe ndjesën publike nga vetë ministri i Turizmit, Blendi Klosi.

Tani, neve kush na ndihmon nëse testohemi në një situatë të ngjashme, apo të përafërt me atë të turistëve spanjollë?

Edhe nëse vetë ministri do të kishte dëshirën dhe vullnetin për ta na zgjidhur këtë hall dhe për të na kërkuar ndjesë një nga një, koha fizike nuk do t’i mjaftonte. Por, ajo që ka në dorë ministri dhe kabineti ku ai bën pjesë janë institucionet dhe vënia e tyre në shërbim të turistëve. Rasti i Mihal Kokëdhimës tregon se këto institucione, ose mungojnë në terren, ose bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh, kur ligji shkelet me të dyja këmbët.

Puna mund të nisë, si shembull, që nga identifikimi dhe klasifikimi sipas shërbimit të ofruar i restoranteve dhe hoteleve, sidomos përgjatë vijës bregdetare dhe bërja publike e këtij klasifikimi edhe për turistët e huaj. Një ndihmë për këtë mund të japë “TripAdvisor”, ku prej vitesh ishin sinjalizuar nga turistët “cenet” e shërbimit të ofruar në restorantin e Mihal Kokëdhimës.

Deri atëherë, këshilla më e mirë për turistët është një vizitë në “TripAdvisor”. Edhe spanjollët, nëse do ta kishin bërë një gjë të tillë para se të shkelnin në restorantin e Mihal Kokëdhimës, vështirë se do të pranonin që të ndalonin aty.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë