Njerez

Kush është biznesmeni spanjoll me 310 milionë euro pasuri që u sulmua nga Mihal Kokëdhima

Video e Mihal Kokëdhimës që terrorizoi pushuesit spanjollë duke qëndruar i varur mbi kofanon e një makine, ka bërë tashmë xhiron e botës. Sigurisht që janë mediat spanjolle ata që i kanë kushtuar më shumë rëndësi.
E pikërisht këto media kanë zbuluar edhe kush është familja spanjolle që u terrorizua nga Mihal Kokëdhima. Bëhet fjalë për biznesmenin Eugenio Galdon 69 vjeç, një ndër njerëzit më të pasur të botës. Ai është themelues i “ONO”, kompani spanjolle telekomunikacioni. Kjo kompani u shit në vitin 2015 për 7.2 milionë euro. Vite më parë, Eugenio Galdon ka qenë shef kabineti i ish-kryeministrit spanjoll Adolfo Suarez, si dhe drejtor në grupet mediatike Prisa dhe COPE.
Sipas gazetës spanjolle ‘Expansión’, pasuria e Galdon përllogaritet 310 milionë euro për vitin 2019. Aktualisht, Eugenio Galdon është nëndrejtor ekzekutiv i bankës ‘Morgan Stanley’ në Quebec të Kanadasë. Ai është gjithashtu themelues dhe aksioner kryesor i grupit spanjoll ‘Multitel’, kompania në fushën e telekomunikacionit. Miliarderi spanjoll ndodhej për pushime në Shqipëri së bashku me familjen e tij. Një ditë pas incidentit me Mihal Kokëdhimën, ministri i Turizmit, Blendi Klosi takoi personalisht turistët spanjollë dhe u kërkoi falje për episodin e ndodhur.
Ngjarja nisi më 15 gusht në lokalin “Panorma” të Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo, kur turistët dhe shoqëruesit e tyre shqiptarë u larguan pasi nuk ishin të kënaqur me shërbimin.

Pronari Mihal Kokëdhima i ndoqi nga pas dhe theu xhamin e fugonit të tyre. Për rreth 5 kilometra, ai qëndroi i varur mbi kofanon e makinës në lëvizje. Pas disa minutash tmerri, Mihal Kokëdhima u arrestua nga policia dhe gjykata e ka lënë në burg.
Galdón, së bashku me katër anëtarët e tjerë të familjes së tij dhe dy udhëzues vendas, lanë jahtin e tyre në Porto Palermo. Ata shkuan në restorantin “Panorama”, një vend që pretendon të ketë ushqimin më të mirë mesdhetar në bregdet. Megjithatë, burime pranë Galdón thonë, se shërbimi u vonua më shumë sesa lejohej dhe familja spanjolle zgjodhi të shkonte diku tjetër për të ngrënë. Kjo provokoi sulm nga menaxheri i restorantit, Mihal Kokëdhima, 51 vjeç, i cili doli me vrap në kërkim të Galdón. Ai u kërkoi atyre të mos largoheshin, pasi duhej të prisnin ose të paguanin ushqimin që tashmë po përgatitej, por familja u fut në makinë dhe u largua nga restoranti. Në atë moment, Kokëdhima, plotësisht jashtë kontrollit, u hodh përpara fugonit “Ford” ku ndodhej Galdón. Burime të afërta me biznesmenin tregojnë se të gjithë janë mirë dhe se duan të harrojnë sa më shpejt incidentin për të vazhduar të shijojnë pushimet e tyre.
Familja e milionerit spanjoll deklaron se “si shoferi, ashtu edhe policia lokale, autoritetet qeveritare dhe ambasada kanë treguar shumë interes dhe janë sjellë me përkushtim dhe bashkëpunim absolut, duke kërkuar falje. Shqipëria na pëlqen shumë dhe e konsiderojmë këtë si një incident të izoluar”. / Gazeta Tema/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë