Kinema

“Sonila” e Suela Bakos- Njeriu përballë pamundësisë dhe korrupsionit

Pasi kishte përfunduar së dhëni këtë intervistë për Gazeta Si, ajo dëgjoi lajmin se disa prej miqve, aktivistë në rezistencën më shumë se dy vjeçare në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ishin ndaluar nga policia dhe shpejt në rrjetet sociale u përhap lajmi se mbi ta ishte ushtruar dhunë, në komisariat.

“Oh, si nuk kam një grusht, t’fuqishëm, malit që s’b’zan mu n’zemër me i ra...”, shkruante ajo mbi foton e një prej arkivistëve me shenja të dukshme dhune në fytyrë, pasi ishte lënë i lirë nga policia.

Aktorja dhe regjisorja Suela Bako, vetë pjesë e kësaj rezistence qytetare për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, së bashku me të shoqin, aktorin Romir Zalla ishin të pamungueshëm në lëvizje çdo natë, por duke zgjedhur të mos merrnin protagonizmin me mikrofon në duar, për të folur mbrëmjeve në agora, por duke folur me prani dhe me aktrim deri në fund.

Në sallën “Goethe” të Teatrit Eksperimental ajo vuri në skenë një projekt të vjetër, shumë  të dashur prej saj, dramën “Tri gra me Misugi” - duke interpretuar tri role dhe regjinë -, ndërsa jashtë protestohej për ta ruajtur atë ndërtesë të fundviteve ’30, me muret që kishin brenda sy kujtese. Po ashtu, edhe i shoqi, Romiri, do të interpretonte në shfaqjen “Jul Cezari” në oborrin mes teatrove, kur brenda ishin ndaluar shfaqjet...

Aktorja dhe regjisorja Suela Bako

“Sot ndoshta do të kishim një hall më pak e një teatër më shumë”, thotë Suela Bako  duke imagjinuar skenarët sikur e gjithë qytetaria të ngrihej më herët se ajo paradite maji e këtij viti, kur godina u rrëzua, duke ngritur një re të madhe tymi e bashkë me të dëshpërimi e revolte.

Të ndjerët e mundur nga shteti, është diç që ajo e njeh mirë. Është filli i filmit të saj me metrazh të shkurtër “Unë quhem Sonila”, ku ajo rrëfen paaftësinë dhe absurditetin e burokracisë së punonjësve të shtetit, madje edhe paragjykimin e tyre, për ta ndihmuar.

Në dukje një histori e thjeshtë ajo e një gruaje të re, së cilës xhepistët e urbanëve të Tiranës i vjedhin portofolin, filmi zbërthen disa nënshtresa, nga ajo mangësive të institucioneve të shtetit – ku nuk mungojnë detajet që ia shtojnë groteskun -, deri tek përballja me një pasqyrë ndërgjegjeje e morali për gjithsecilin:  A bëjmë ne sa duhet si qytetarë për të denoncuar keqbërjet kur i dëshmojmë ato apo ngremë zërin dhe luftojmë vetëm kur përballemi vetë me to?

Filmi ka fuqinë të depërtojë, duke u bërë konkret dhe absurd njëherazi. Policia në filmin tënd është aq absurde sa hetuesit në procesin e Kafkës, po aq edhe të paaftë. Është policia që njohim, që humbasin në burokracitë, të ngecur në një lloj dembelizmi dhe mungese qytetarie, por edhe në pamundësitë e infrastrukturës që i ofron shteti. Sonila, e vetme, duket thuajse njësoj e dhunuar nga policët, që rreken ta ndihmojnë, po aq sa xhepistat në urbanët e Tiranës.

Si të mos mjaftonte kjo, hapur shfaqet paragjykimi dhe mizogjinia, nga vetë njerëzit me uniformë. Gruaja e shqetësuar, pra Sonila, shihet si histerike nga policia, që në këtë rast janë të gjinisë mashkullore. Por edhe në jetën konkrete se edhe figurat femërore në polici janë po aq maskiliste e ndonjëherë me një tis talljeje, kur kërkon shërbimin dhe mbrojtjen për çështje që ata i konsiderojnë “të vogla”.

Sekuencë nga filmi "Unë quhem Sonila"

Në fund të tetorit, filmi ishte pjesë e një festivali të ri filmi, “Dardan Fest”, i organizuar në mjediset e kinema “Millenium”,i cili kishte në fokus qytetërimet dhe urbanizimin.

Një grua e re, në një kaos urban, na përçon parehatinë dhe ankthin të gjithëve që e shohim.

Realizuar me kamera dore, për të sjellë pikërisht vizionin që regjisorja kishte – në fakt skenari i filmit është vetë ndodhi nga jeta e Bakos – filmi i saj  mundet të jetë në të ardhmen, dëshmues i mirë i një periudhe urbanizimi. Lagjet, periferitë, por edhe vetë zona qendrore nuk i ngjajnë asaj të propaganduarës Tiranë që fiton çmime urbanistike dhe arkitekture... Edhe kamera shoqëron me lëvizjet, trazimin e një gruaje që duket e humbur, ndërsa nw fakt është duke kërkuar ata që e kanë vjedhur... Në fund, dorëzimi i Sonilës, që përsërit frazat burokratike të policisë, tregon jo vetëm dorëzim, por edhe një ndjenjë pashprese për qytetarin...

Sipas meje Sonila vërtet dorëzohet në fund, por jeta e saj nuk do jetë më e para. Ajo guxoi të kërkojë të drejtën e saj, por burokracia me të cilën u përball e mundi. Sonin nuk e mundi hajduti, e mundi shteti.

Suela Bako

Por filmi i Bakos, i nisur në krye të herës si triptik, por që vijon tashmë jetën fare mirë i ndarë, po bën xhiron e festivaleve të filmave,  në këto kohë të vështira pandemie.

Vetëm pak ditë më parë  mori pjesë në “Bosnia Herzegovina Looks Around International Film Festival”, në Francë, ndërsa më herët ka bërë xhiron jo vetëm në Francë, si në edicionin e 42 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Montpellier apo të 15-tin Festival të  Grave Mesdhetare të Filmit, gjithashtu në Francë, kushtuar këtë vit  regjisoreve nga jugu i Mesdheut, edicionin e 31-të të Festivalit të Filmit në Rennes për të kaluar më pas në Linde me edicionin e 60 të Festivalit të Filmit në Krakovë të Polonisë apo Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Frankofon në Acadie, Kanada. Suela  Bako , e cila ka realizuar edhe disa filma të tjerë me metrazh të shkurtër si “Darka”, “Mëngë Këmishe” apo dokumentarin “Dritë” për fotografin shqiptar Gjon Mili, rrëfen sesi erdhi në jetë ky film dhe rrugëtimin e tij sa në festivale ndërkombëtarë aq edhe introspektiv për publikun që e sheh...

Suela Bako në rolin e Sonilës, në filmin me regji të saj "Unë quhem Sonila"

Më  duket sikur kjo kohë revoltash, pas ngjarjes që përfshiu policinë në vrasjen e një të riu,  sikur e bën edhe më konkret filmin tuaj. Ai  ka fuqinë të depërtojë, duke u bërë konkret dhe absurd njëherazi. Policia në filmin tënd është ajo  njohim, që humbet shpesh në burokraci, e ngecur shpesh në një lloj dembelizmi dhe mungese qytetarie, por edhe në pamundësitë e infrastrukturës që i ofron shteti.  Më thatë se filmi është triptik, por qëndron edhe më vete, si “Unë quhem  Sonila”...

“Unë quhem Sonila”, është një film i xhiruar në  Tiranën e 2017-ës. U projektua si fillim pjesë e një triptiku, të quajtur PROCEDURAT,  me tri regjisore dhe tri histori të ndryshme,  të cilat do t’i lidhte një fill: njeriu përballë pamundësisë dhe korrupsionit. Premiera për Tiranën u bë, më  2018-n. Filmi, mbërriti në dyptik dhe dy regjisorët që realizuam punët tona ishim unë me filmin e lartpërmendur dhe Ergys Meta me “Me duar në xhepa”.

Pas këtij momenti, filmat tanë filluan jetën e tyre si filma të pavarur. Dhe prej janarit të  këtij viti, unë jam në një prezantim të  azhdueshëm në një qark festivalesh, në Europë dhe jashtë saj. (Filmi u shfaq në Francë 18-20 dhjetor, në “International Film Festival Bosnia  Herzegovina Looks Around” dhe në janar na presin të tjera lajme. Filmi është prodhim i Erafilm Production me producente Sabina Kodra dhe Robert Budina. Me këmbënguljen  tyre, pjesë e produksionit u bë dhe “Takami Film Production”, si bashkëprodhues, gjë e cila i mundësoi filmit një post-produksion me standard të lartë dhe u bë distributor i filmit në festivale dhe më gjerë. Siç duket, janë vite të tëra pune. Edhe pse duket sikur është bërë me një frymë.

Pra ky është deri më tani rrugëtimi i filmit, nga premiera shqiptare në atë franceze, ku deri më tani ka marrë pjesë në tre festivale ndërkombëtare, vetëm në Francë, pa llogaritur të tjerat. Po cila ishte ngasja që solli ngjizjen e filmit? Janë këto ndodhi që shpesh na ndodh t’i shpërfillim apo harrojmë shpejt, por kur ndeshemi me to në një produksion artistik, si në rastin e filmit tuaj, na bëjnë ta përjetojmë parehatinë në lëkurë. Sikur të ishte duke na ndodhur ne...

Filmi është mbështetur në një histori të vërtetë, që më ka ndodhur mua rreth tre vite,  përpara se të xhiroja filmin. E dija që në krye të herës që kjo do të ishte një histori që do e filmëzoja. Gjurma që më la ndodhia ime ishte aq e madhe sa nuk mund ta lija pa e shfrytëzuar, për më tepër ishte e mbarsur me elemente dramaturgjikë, të së papriturës, karaktereve, të zhvillimit, etj. Sa më shumë zhytesha në historinë time aq më shumë e dija që sendi im nuk do gjendej kurrë,  por filmi i realizuar për këtë rast do të ishte “hakmarrja” ime, ndaj nuk doja të humbisja asgjë nga procesi…

Edhe qasja  e realizimit teknik, duket tejet realiste, duke na sjellë me gjithë kaosin, dhe mbytjen e vet, Tiranën apo çdo qytet tjetër të përpirë nga tranzicioni urban ku njeriu  rrezikon të humbasë e të duket fare i vogël dhe i pafuqishëm

Siç, ju e keni vënë re, filmi paraqitet si një “kronikë qytetase” pa “ndërhyrë” në mjete artistike, pasi qasja realiste dhe dokumentareske është pikërisht zgjidhja artistike dhe estetike, për ta treguar atë histori. Qëllimi është për ta lidhur publikun pas personazhit, për ta njehsuar me të, të përjetojë atë që personazhi përjeton, të përpëlitet si Sonila, e me këtë rast të kuptojë thellësisht, se vjedhja e një portofoli nuk është një akt i vockël, i ca djemve të paudhë, por është cenim i dinjitetit të një njeriu, do shkoja dhe më tej, cenim i personales , i shpirtit, i asaj që është vetëm e  jotja… dhe, kur as shteti nuk të përgjigjet për ta vendosur këtë dinjitet në vend për të ndihmuar në procedimin e keqbërësve, për t’i lehtësuar jetën qytetarit duke madje nëpërkëmbur dhe përfolur sikur po kërkon gjënë e huaj, atëherë këtu kemi një problem të madh, Por nuk është vetëm kaq.

Filmi si edhe akti i Sonilës, është një ftesë për reflektim për katarsis. Sonila, kish parë në autobus se si dikush kishte  vjedhur, dhe e pazonja për ta ndalur (ka një mori arsyesh pse) nuk reagoi, nuk e ndaloi. Pasi asaj ndodh t’i vjedhin sendin e saj, nevoja për të vënë drejtësinë në vend është, një mënyrë për të kërkuar ndjesë dhe sipas meje përmes filmit për të ftuar në reflektim katarsis. Qasja thellësisht realiste dhe pa mbajtur aspak qëndrim, është për ta bërë publikun pjesë, për ta bërë sa më të prekshme dhe të vërtetë. Për ta jetuar thellësisht, duke qenë krah Sonilës.

Frymëzimi i Suela Bakos për filmin të ndërmend disi shkrimtarin e regjisorit Christofer Nolan  që kërkonte ngjarje për t’i ndezur muzën e të shkruarit, në trilerin neo-noir, “Following”, me të cilin regjisori britanik edhe debutoi në kinematografi më 1998-n. Por ndërsa shkrimtari naiv tërhiqet  në vorbullën e keqbërësit, duke përfunduar vetë në vrasës i “detyruar” nga Cobb-i mashtrues, i cili zhduket në turmë duke u bërë njësh me të, edhe protagonistja e filmit shqiptar, Sonila tërhiqet në vorbullën absurde dhe qesharake të policisë së shtetit. Ndërsa shkrimtari i Nolan, thotë në fund si i vetmja alibi “Cobb dit it!”, Sonila e dorëzuar se tashmë sendi i saj nuk do të gjendej më dhe gati-gati duket si e marrë peng nga policia që kërkon të ngulmojë, edhe kundër çdo gjase në favor të saj, efikasitetin, përsërit pas shefit të policisë pyetjet burokratike, që tashmë i mësoi përmendësh dhe veç shkresave nuk pa asnjë aksion...

Suela Bako, Kaltrin Zalla dhe Marilda Furxhi në filmin "Unë quhem Sonila"

Filmi ka gjithashtu edhe rrëfenjën e tre brezave, por edhe hendeqet mes tyre. Gjyshja me antiken, besëtytnitë dhe vajza, një sfungjer që përthith me kuriozitet. Ndërsa mamaja qëndron disa hapa pas. A keni dashur të tregoni që në familjet shqiptare, kryesisht patriarkale, janë gjyshet ato që shpesh marrin rolin e nënave dhe edukimi i fëmijëve bëhet një sfidë më vete, kur nga një anë janë angazhimet e përditshme profesionale, për t’u siguruar jetesën ekonomikisht dhe nga ana tjetër meraku për t’u mos edukuar me metodat e vjetra “të gjysheve”? Si i shihni marrëdhëniet mes brezave në Shqipëri?

Unë vij nga familje tradicionale.  Jam  formuar dhe jam pjesë e traditave dhe vlerave që një familje tradicionale promovon, duke gjetur hapësirën time sigurisht. Thellë brenda vetes e dua dhe e vlerësoj shumë atë që një familje përfaqëson për ne, por sigurisht kam dhe vërejtjet e mia për mënyrën dhe rregullat se si kjo e ashtuquajtur familje tradicionale qëndron në këmbë. Një film i shkurtër është shumë pak për të thënë shumë gjëra por ka qenë e rëndësishme për mua, të prek marrëdhënien mes tre brezave. Doja që Sonila të zgjohet dhe të reflektojë për jetën e saj. Sipas meje Sonila vërtet dorëzohet në fund, (sot do e mendoja dy herë dorëzimin…), por jeta e saj nuk do jetë më e para. Ajo guxoi të kërkojë të drejtën e saj, por burokracia me të cilën u përball e mundi. Sonin nuk e mundi hajduti, e mundi shteti.

Jeni regjisore dhe interpreton vetë, kam qenë gjithnjë kurioze të di në terma konkretë e teknikë si gërshetohen të dyja njëkohësisht?

Unë jam aktore dhe të jem e sinqertë e shijoj pafund procesin aktorial, laboratorin, adrenalinën. Prej disa vitesh tashmë kërkoj të vërtetën time në fushën e regjisë së filmit. Kam një sfond profesional televiziv si pasojë e punës prej 13 vitesh si regjisore televizive. Kam realizuar një shfaqje teatrale si regjisore “Tri Gra dhe Misugi”, ku luaj vetë. E bëra këtë prezantim për t’ju thënë se aktrimi dhe regjia janë bërë dy forma të shprehjes,  të cilat ndonjëherë i ndaj më vështirësi tek vetja. Janë shumë të ndryshme disiplinat teatër dhe film. Po, ndaloj tek “Unë quhem Sonila”.  Siç ju thashë është një ngjarje personale, një zgjidhje regjisoriale, dokumentareske (kamera në dorë, plane shumë të gjatë, lokacion urban spontan,  i atypëratyshëm) cila më mirë se unë mund ta realizonte, këtë rol? Si më mirë se në këtë mënyrë unë mund të drejtoja një aktore, në kushtet e një filmi më një buxhet aq të vogël, ku çdo lokacion është real dhe aspak i stisur? Unë mora përsipër sfidën e të drejtuarit (të bërit regji) nga brenda dhe jashtë kuadrit, që filmi të merrte frymë me mua.

Suela Bako dhe Romir Zalla në shfaqjen "Tri gra dhe Misugi"

Përsa i përket pyetjes suaj, më duhet të jem e sinqertë në faktin se këto të dyja gërshetohen duke hequr copa nga vetja herë dy, në çdo etapë të realizimit. Por duke qenë se i dua shumë të dyja këto, e kam shijuar shumë procesin dhe sot që flasim nuk kam asnjë dyshim se kjo ka qenë zgjidhja më e mirë. Unë nuk ia fërkoj kokën vetes lehtë; këtë film doja ta tregoja përmes lëkurës sime dhe kam bërë mirë. Në shfaqjen që ju përmenda, është e njëjta arsye, atë histori doja ta tregoja përmes zërit tim, dhe regjisorja e vetes u bëra prej dëshirës së madhe për ta ndarë atë histori. Në terma teknikë procesi është shumë simbiotik dhe ndarja, fillon vetëm tek elementët e tjerë si skenografia, kamera, ndriçimi, ku aktorja “fle” dhe regjisorja është sy e veshë. Mund edhe të çmendesh, por herët akoma…

Si aktore, Suela Bako ka interpretuar një sërë rolesh në teatër dhe kinema, por në shfaqjet dhe filmat me regji të saj zgjedh të punojë me bashkëshortin, Romirin, duke qenë ndoshta nga të paktët çifte që thyejnë klishetë se është e vështirë të bashkëpunosh profesionalisht me partnerin në jetë. Bashkë interpretuan tek “Tri gra dhe Misugi”,  në filmin me metrazh të shkurtër “Mëngë Këmishe”, “Darka”  dhe,  Zalla shfaqet edhe në fund të filmit “Unë quhem Sonila “ si shefi i policisë.  Në të tre filmat, Suela Bako ka angazhuar edhe të bijën Kaltrin, e cila duket që tashmë po ndjek hapat e prindërve në fushën e aktrimit.

Suela Bako dhe Romir Zalla në sheshin e tashmë ish-godinës së Teatrit Kombëtar

Për t’iu kthyer realitetit. Si i ke përcjellë ngjarjet e fundit? Ti vetë ke qenë pjesë e rezistencën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe pikërisht në atë shesh pas muaj më vonë qytetarët vihen përballë shtetit dhe dhunës policore. A mendon se ky është kulmimi i një dhune të përshkallëzuar të policisë, pra të shtetit ndaj qytetarëve?

Unë e shoh si shumë të ulët qëndrimin e shtetit ndaj qytetarëve të vet,  në disa dimensione dhe të shtrirë në kohë. Kam qenë pjesë e rezistencës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe shembja e tij ka shembur brenda meje çdo shpresë se ndonjëherë e drejta do jetë me qytetarin dhe zhvillimin. Me sa duket e drejta do jetë gjatë në dorën e pusht-etit dhe parasë. Nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë lëvizje më fisnike se Lëvizja për Mbrojtjen e Teatrit dhe,  sipas meje,  kulmimi do ish realizuar më herët nëse qytetarët do të ishin ngritur më herët dhe nuk do e kishin lejuar të ndodhte… E mbase shumë gjëra sot do ishin ndryshe, mbase do ishim ne qytetarët ata që do kishim futur pushtetarët në birucë e sot,  në këtë situatë absurde,  kaq të vështirë dhe të paimagjinueshme për të gjithë do kishim një hall më pak dhe një teatër më shumë. / Intervistoi S.Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë