Politike

Skenari socialist me 84 mandate pa opozitën reale në Parlament

Opozita është në pritje të vendimit të KQZ-së për djegien e mandateve, ndërkohë që rruga e vetme ligjore më pas, është zëvendësimi me personat që janë në listat e kandidatëve.
Procesi duket se do të zgjasë në kohë dhe se beteja për dorëzimin e mandateve apo dhe mungesa e opozitës në Parlament, ka vënë në lëvizje mazhorancën, e cila po kërkon të sfumojë disi vendimin politik të opozitës për të mos qenë pjesë e Parlamentit.
Partia Socialiste mblodhi Kryesinë e saj për të diskutuar situatën e re politike të krijuar nga lëvizja ekstreme e opozitës. Mësohet se kryeministri Edi Rama u ka dhënë deputetëve porositë tij, duke theksuar se “pavarësisht largimit të opozitës nga Parlamenti duhet të vijojë puna normalisht për seancat parlamentare të të enjteve, dhe mbi të gjitha, puna për organizimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit”.
Por mungesa e opozitës në Parlament do të përbënte një shqetësim për vetë mazhorancën. Socialistët duket se shpresojnë që një pjesë e kandidatëve në listat e PD-së, LSI-së, PAA apo PR-së, të refuzojnë thirrjen dhe vijën e partisë dhe të pranojnë të bëhen deputetë
Aktualisht brenda radhës së opozitës dy deputetë kanë deklaruar refuzimin për të djegur mandatin, Lefter Koka i LSI dhe Myslym Murrizi i PD-së. Ndërsa e pavendosur është demokratja Rudina Hajdari. Opozita është në pritje të vendimit edhe të kryedemokristianit Nard Ndoka, i cili për shkak të një vizite në Belgjikë nuk ka hedhur ende firmën për të dorëzuar mandatin e deputetit.
Parlamenti aktualisht ka 79 deputetë që janë pranë mazhorancës. PS-ja ka 75 deputetë gjithsej. Tre deputetët e PDIU-së, Dritan Bici, Reme Lala dhe Elena Xhina nuk pranuan që të dalin në opozitë, por bashkuan votat me PS-në. Bici i është bashkuar zyrtarisht grupit parlamentar të PS-së, ndërsa dy deputetet e tjera janë të pavarura, por mbështesin çdo nismë të qeverisë në Parlament. Në Parlament është edhe Gjetan Gjetani, i zgjedhur nga lista e PS-së për Lezhën, por që u përjashtua nga grupi për shkak të qëndrimeve që ka mbajtur kundër Ministrisë së Brendshme.
Me mosdjegien e mandateve nga Koka dhe Murrizi, Kuvendi efektivisht ka 81 deputetë.
Mazhoranca, sipas burimeve, shpreson që lista e refuzimit të dorëzimit të mandateve të shtohet akoma më tej me zëvendësimin që pritet të realizojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kështu në listën e Beratit, emri fitues është ai i Lefter Maliqit. Kandidati i PD-së në listë tashmë ka kaluar me PS-në dhe aktualisht është zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Socialistët mund të synojnë që të arrijnë një Parlament në funksion me 84 deputetë, duke krijuar kështu mundësinë e pasjes së disa deputetëve të opozitës. Tre ose katër deputetë në radhët e opozitës që do të refuzonin djegien e mandatit, mund të krijonin një Kuvend që do të ishte në gjendje të votonte edhe ligjet me shumicë të cilësuar votash. Ligje të tilla mund të jenë Kodi Zgjedhor, apo ndryshime të tjera që lidhen me Reformën në Drejtësi.
Kështu një opozitë dhe pse jo reale mund të ishte në Parlament, duke bërë që PS-ja të dalë përpara faktorit ndërkombëtar duke tundur flamurin me idenë se "Parlamenti është në funksion dhe madje duke miratuar ligje me shumicë të cilësuar votash".

Mandatet në Parlament
75 deputetë PS
2 deputetë PDIU
1 deputet PSD
1 pavarur, po me PS-në
Kanë refuzuar dorëzimin e mandatit
Lefter Koka LSI
Myslym Murrizi PD

Në pritje të vendimit
Rudina Hajdari- PD
Nard Ndoka PDK


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë