Politike

Kryemadhi: S’i falim tradhtarët!

Rrjedhja më e madhe e kandidatëve për deputetë që nuk iu bindën vendimit të opozitës së bashkuar për të refuzuar mandatet e djegura duket se po ndodh në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Monika Kryemadhi është në dijeni të kësaj, por kryetarja e LSI-së ka me se të mburret.

“Falenderoj të gjithë kandidatët e dalë nga LRI, të cilët nuk u joshën nga paratë e drogës dhe të bankave të vjedhura”, deklaroi ajo në një takim me të rinjtë e partisë në Tiranë.

Kryemadhi foli për përpjekje të mëdha për të joshur kandidaturat e kësaj force politike që të marrin mandatet e lëna në Kuvend si pjesë e strategjisë së opozitës për të rrëzuar Edi Ramën. Për ata që vendosën të kundërtën, duke pranuar mandatet, kryetarja e LSI-së përçoi disa mesazhe, ku kryesori ishte se askush prej tyre nuk mund të përfaqësojë flamurin e kësaj partie në Parlament.

“Ujku qimen e ndërron, por zakonin s'e harron! Ata që kërkojnë të përdorin emrin dhe simbolin e LSI-së, të jenë të kujdesshëm se nuk ka për t’ua falur asnjë. Logoja dhe flamuri i LSI-së janë të paprekshme dhe të pacenushme. Tradhtinë të gjithë e përdorin, por tradhtarin asnjë nuk e do”, tha ajo.

Në radhët e LSI-së janë disa emra për të cilët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë në lëvizje për t’u dhënë mandatet. Të hënën KQZ-ja ka njoftuar se do të zëvendësojë mandatet deputetëve Endrit Braimllari, Floida Kërpaçi të Qarkut të Tiranë, Edmond Haxhinaston për Qarkun e Elbasanit dhe të Përparim Spahiut të Qarkut të Dibrës.

Për Tiranën deputetët e LSI do të zëvendësohen nga Ylli Shehu dhe Edmond Rrushaj, që të dy kandidatët kanë firmosur deklaratën e Dekriminalizimit pranë KQZ-së, duke nënkuptuar se janë pro marrjes së mandatit të deputetit, pavarësisht apelit të LSI-së për të refuzuar.

KQZ-ja ka nisur të zëvendësojë fituesit e listës së tretë dhe të katërt të LSI-së, duke lënë fituesit e vendeve të para si Klajda Gjosha dhe Kejdi Mehmetaj për t’i zëvendësuar për më vonë.Aurora Mara është e renditur e dyta në listën e Qarkut Dibër, ajo ka pranuar që të marrë mandatin e deputetit.

Për qarkun e Elbasanit, KQZ-ja e ka nisur zëvendësimin e mandatit me të dytin në listën e fituesve, Edmond Haxhinaston dhe jo me emrin e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi. Mandatin e lënë nga ish-ministrit Haxhinasto do të marrë Enver Rroshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë