Rend dhe Ligj

Skena e sherrit mes dy grave të prokurorisë

Prokuroria për Krimet e Rënda vazhdon të jetë e përçarë. Grupi i prokurorëve rebelë nuk ka asnjë komunikim me kryeprokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Situata vazhdon e tensionuar që prej datës 19 shtator, ku 10 prokurorë refuzuan me debat dhe sherr hedhjen e shortit për pretencën në gjyq të grupit “Shullazi”.

Tensionet kulmuan të premten, kur njëra nga prokuroret e transferuara me urdhër të kryeprokurores Arta Markut është konfliktuar fizikisht me shefen e saj, pasi i kërkoi asaj shpjegime se cilat ishin shkeljet që ajo ka kryer. Gazeta “Si” pyeti disa burime, dëshmitarë okularë të “sherrit” mes dy grave prokurore dhe në bazë të këtyre dëshmive kemi ndërtuar të plotë dinamikën e përplasjes.

Gjithçka ka ndodhur rreth orës 17 të së premtes së kaluar. Prokurorja Sonila Muhametaj menjëherë sapo ka marrë vesh nga mediat urdhrin e transferimit në Pukë, pasi ka dështuar në përpjekjet për të takuar Arta Markun ka kërkuar takim me Donika Prelën.

Pasi ka dëgjuar pyetjet e Muhametajt se përse e kishin transferuar, kur ligji u ndalon drejtuesve të përkohshëm që të transferojnë vartësit që punojnë tek Krimet e Rënda, Donika Prela nuk ka thënë asgjë përveçse ka bërtitur - “Dil jashtë”. Prela e ka përsëritur disa herë këtë urdhër, por Muhametaj e ka pyetur: “Nga cila zyrë të dal, nga kjo zyrë që më ka dekretuar Presidenti i Republikës, si prokurore të Krimeve të Rënda?!”.

Me tone të larta, Prela ka vazhduar me kërkesën duke këmbëngulur: “Dil na zyra nga zyra ime!”. Por Muhametaj akuzon sërish eproren: “Kjo nuk është zyra jote! Ti këtu je e caktuar nga prokurorja e Përgjithshme. Ta ka dhënë me qira Arta Marku që të bësh pazare me të”.

Në këtë moment prokurorja e revoltuar i është drejtuar Prelës duke i rrëmbyer telefonat dhe me tone të larta ka vijuar: “Madje këta telefona po t’i sekuestroj. Do t’i çoj për ekspertizë, që të gjej edhe pazaret e tua, çfarë pazaresh bën dhe më kë. Nuk durohet kjo tallje që bëni me prokurorët”.

Kaq ka mjaftuar që Donika Prela të nxehet dhe në një çast të dyja gratë janë sharë me njëra-tjetrën, derisa Prela ka arritur të rrëmbejë aparatet celularë dhe menjëherë ka njoftuar krerët e Policisë së Shtetit.

Një dëshmitar okular i tregoi gazetës se të pranishëm në grindje ishin edhe dy fëmijët e mitur të prokurores Muhametaj , të cilët ajo kishte pak orë që i kishte marrë nga shkolla.

Revolta e prokurorëve

Përplasja e madhe në Prokurorinë për Krimet e Rënda zanafillën e pati nga dosja “Shullazi”, e cila kishte mbetur pezull në gjykatë për shkak të mungesës së prokurorëve për dhënien e pretencës. Pretenca, pra kërkesa e Prokurorisë drejtuar gjykatës se a duhet dënuar Emiljano Shullazi, apo jo dhe nëse duhet dënuar sa duhet të jetë masa, duhej të ishte dhënë që në datën 11 shtator. Por, prokurori i çështjes, Eneid Nakuçi me arsyetimin se u sëmur kërkoi leje 6-mujore në fund të gushtit, ndërsa Elisabeta Imeraj ishte emëruar në krye të Prokurorisë së Tiranës nga Arta Marku.

Për këto arsye, më 18 shtator Donika Prela thërriti mbajtjen e një shorti. Shortin e thërritur nga Donika Prela e kundërshtuan dhjetë prokurorë. Prokurorët Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Olsian Çela, Edvin Kondili, Arenc Çela, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Besim Hajdarmataj dhe Blerim Tominaj u larguan në grup nga mbledhja.

Siç thonë të pranishmit, Prela ka pohuar mes të tjerave se ajo e dinte që prokurorët kanë të drejtë, por edhe asaj i kërkohej llogari për plotësimin e dosjes me prokurorë. Më tej ka vazhduar duke shpjeguar se për çështjen në fjalë prokurorit të autorizuar prej saj do t’i shtoheshin edhe ajo vetë, së bashku me zëvendësshefin Gentian Osmani. Më tej eprorja ju ka thënë 17 prokurorëve se shorti do të hidhej edhe për një të katërt.

Njëri nga prokurorët Olsian Çela, duke i përmendur bazën ligjore dhe duke i thënë se diskutimi nuk duhet të marrë trajta personale ka kujtuar se në fakt çështja nuk është pa prokurorë. Për këtë ka shtuar emrat e kolegëve, që sipas tij, në dijeninë e tij ende nuk kishte vendimarrje që ata të kishin hequr dorë. Por, Donika Prela e ka ndërprerë me urdhërin që “shorti do bëhet, do të bëhet” e më tej ka urdhëruar prokurorin që të përfshihet në shortim. Por, siç thonë pjesëmarësit në një zë kanë qenë edhe prokurorët e tjerë, sipas të cilëve rregullat për shortin nuk përfshijnë shpalljen e pretencës, përderisa asnjëri prej tyre nuk kishte kryer veprime hetimore.

Më e ashpër ka qenë Sonila Muhametaj, që ka deklaruar se prokurorët nuk mund të jenë thjesht lexues të hetimeve të të tjerëve. “Tritoli që është nisur për diku tjetër nuk ka përse të vijë në shtëpinë time”, mësohet të jetë shprehur e shqetësuar prokurorja.

Edhe prokurorët e tjerë, Përparim Kulluri, Eugen Beci, Edvin Kondili kanë kërkuar referencën ligjore, pa marrë përgjigje përveçse urdhërit të Prelës që sekretarja të vazhdonte të shkruante. I fundit ka folur prokurori i autorizuar prej Prelës për Shullazin. Besim Hajdarmataj ka kërkuar shpjegime se përse po ndodhte kjo situatë dhe se përse po hidhej shorti, kur ai nuk kishte kërkuar ndihmës për pretencën dhe as nuk e kishte kundërshtuar autorizimin.

Pyetjes se përse duhen katër prokurorë i janë bashkuar edhe prokurorët e tjerë, ndërsa Hajdarmataj e ka akuzuar shefen “se po bsnte mbledhje si në kooperativë”. Njëri pas tjetrit prokurorët janë larguar duke e lënë Donika Prelën me të besuarit e saj, Anton Martinin e Gentian Osmanin, si edhe me prokurorë të thjeshtë si Manjola Kajanën e Doloresa Musabelliun. Kjo e fundit është çuar në këmbë pasi kolegët e saj ishin larguar në zyrat e tyre dhe duke ju dhënë atyre të drejtë ka shtuar se shorti nuk ka kuptim dhe se edhe ajo po largohej.

Pas kësaj ngjarjeje, ka ndërhyrë Arta Marku që urdhëroi procedimin disiplinor dhe transferimin e tre prokurorëve në rrethe. Kjo masë nuk u prit aspak mirë prej të ndëshkuarve që ju kundërpërgjigjën me një deklaratë ku akuzonin atë dhe shefen e Krimeve të Rënda, Donika Prela se po shkelnin ligjet e reformës në drejtësi, Kushtetutën dhe pavarësinë e prokurorit. Njëra nga prokuroret, Sonila Muhametaj në orët e pasdites ka tentuar një takim me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, por Arta Marku e ka refuzuar.

Pas gjithë zhurmës e sherrit që përçau Prokurorinë për Krimet e Rënda, Arta Marku e zgjidhi situatën, jo me short, por me autorizim. Në seancën e 25 qershorit ndaj Emiljano Shullazit u paraqit grupi me 4 prokurorë të udhëhequr nga vetë Donika Prela, për të vazhduar më pas me Gentian Osmani, Anton Martini dhe Besnik Muçi.

Por, edhe kjo seancë dështoi, këtë herë për mungesën e të pandehurit Endrit Qyqa, që kishte paraqitur deklaratë ku shpreh mungesën për shkaqe shëndetësore dhe refuzonte që në këtë seancë të përfaqësohet nga avokati i tij Vladimir Meçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë