Rend dhe Ligj

Skemë mashtrimi me TVSH në Gjirokastër, 2 në pranga, 3 italianë në kërkim

Gazeta Si - Dy shqiptarë u arrestuan dhe 3 italianë u shpallën në kërkim nga Policia e Gjirokastrës, pasi akuzohen se kanë krijuar një skemë mashtrimi për të përfituar vlera të mëdha monetare.

Policia tha për mediat se të ardhurat përfitoheshin nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së, me anë të kompanive të rreme.

Sipas hetimeve të përbashkëta shqiptaro-italiane, këta persona kishin krijuar tre kompani të rreme me qëllim përfitimin nga TVSH-ja.

LEXO EDHE:
Skemë mashtrimi me TVSH-në, goditet grupi shqiptaro-italian. Sekuestrohen 1.3 milionë euro

Në funksion të hetimeve, personat në fjalë të cilët akuzohen për 4 vepra penale, dyshohet se kanë lidhje me një tjetër shtetas italian i arrestuar në 2009 dhe 2013 në Caltanissetta, për mashtrim tatimor duke përfituar miliona euro.

Disa ditë më parë, policia në Gjirokastër njoftoi se kishte vënë nën hetim 6 persona dhe se ishin sekuestruar 3 llogari bankare me shumat 1 milion e 300 mijë euro dhe 13 milion lekë të rinj.

Sipas policisë, nga kontrollet e ushtruara janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të rëndësishme për hetimet bashkë me 19 vula të subjekteve të ndryshme tregtare që dyshohet se janë mbajtur për të ushtruar aktivitetet kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë