Ka ndodhur

Skemë mashtrimi me TVSH-në, goditet grupi shqiptaro-italian. Sekuestrohen 1.3 milionë euro

Gazeta Si - Tre shqiptarë dhe tre italianë janë vënë nën hetim, pasi dyshohet e krijuan skema mashtrimi dhe përfituan shuma të mëdha nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së, duke krijuar dhe kompani të rreme.

Në kuadër të këtij procedimi penal, në zbatim të vendimeve të Gjykatës, u bë sekuestrimi i tre llogarive bankare me shumat 1 milion e 300 mijë euro dhe 13 milionë lekë të rinj.

Pas kontrolleve, Policia e Gjirokastrës, tha se gjeti dhe sekuestroi 19 vula të subjekteve të ndryshme tregtare, që dyshohet se janë mbajtur për të ushtruar aktivitetet kriminale nga këto subjekte.

Nën hetim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Dhënia e informacioneve të rreme”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” shtetasit:

I. Q., E. B. dhe Z. K., shtetas shqiptarë;

A. D., S. C. dhe S. C., shtetas italianë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar subjekte dhe kanë lëshuar fatura me TVSH fiktive, për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore, për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së.

Këto skema mashtrimi, për të cilat dyshohen shtetasit e sipërpërmendur po hetohen për lidhjet me shtetasin italian V.R., i arrestuar dhe i dënuar në vitin 2009 dhe 2013, nga strukturat e policisë tatimore në Caltanissetta të Italisë, për “Mashtrim tatimor për miliona euro, e kryer nëpërmjet përdorimit të vazhdueshëm dhe metodik të faturave false, për mallra dhe shërbime të pakryera apo të kryera për shuma dukshëm më të ulëta”.

Gjithashtu është konstatuar përfshirja e subjektit të arrestuar nga autoritetet italiane në përvetësimin e rëndë, si dhe në rregjistrimin fiktiv të pasurisë V. R., duke shfrytëzuar rreth 11 kompani të ndryshme duke falsifikuar fatura për shërbime dhe/ose shitje mallrash të pa kryera dhe për t’u rimbusuar me TVSH.

Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore, do të thellojë hetimet duke bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacion e ekspertizë me autoritetet italiane, për grumbullimin e provave, identifikimin e dokumentimin e të gjithë personave të përfshirë në këto skema mashtrimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë