Ngjarje

Sinjalizuesit, 608 njësi raportojnë në një vit vetëm 6 raste të dyshuara për korrupsion

Përgjatë vitit 2020 janë ngritur dhe kanë funksionuar 608 njësi sinjalizimi të Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, që kanë për detyrë të raportojnë rastet e praktikave të dyshuara si korruptive, si në institucionet shtetërore, ashtu edhe në sipërmarrjet private me më shumë se 100 punonjës.

Këto njësi, që përgjithësisht përbëhen nga një person i vetëm ndahen në 168 në institucionet publike dhe 440 në ato private. Në harkun kohor të 12 muajve, sipas raportit vjetor që ILDKPI ka dorëzuar për miratim në Kuvend janë vetëm gjashtë sinjalizime për praktika korruptive.

Pesë prej këtyre sinjalizimeve u përkasin institucioneve shtetërore, përkatësisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, RTSH Gjirokastra, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, pjesë e Ministrisë së Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Ky është bilanci i raportimeve të sinjalizuara nga njësitë/personat e ngarkuar më këtë detyrë, ndërkohë që një numër më i lartë rastësh si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat është raportuar nga persona të jashtëm. Nga të jashtmit janë sinjalizuar 9 raste për praktika korruptive, 7 të ardhura nga institucionet shtetërore dhe 2 nga sektori privat. Në një rast, thotë ILDKP, denoncuesi ka kërkuar mbrojtje.

Të ashtuquajturit “sinjalizues” funksionojnë në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2016, që ka për qëllim parandalimin dhe goditjen e korrupsionit si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Ligji parashikon mbrojtjen e individëve që sinjalizojnë pranë ILDKPI veprime, apo praktika të dyshuara të korrupsionit në vendet e tyre të punës.

Sipas parashikimit ligjor, njësitë e sinjalizimit ngrihen pranë çdo autoriteti publik që ka mbi 80 të punësuar dhe pranë çdo subjekti privat që ka më shumë se 100 persona të punësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë