Analize

Si Rusia u përpoq të spiunonte NATO-n dhe SHBA-në nga Shqipëria

Shqipëria e ka gjetur vetën në qendër të një skandali spiunazhi i cili synonte NATO-n dhe SHBA-në. Edhe pse Rusia ka mohuar raportet, dy spiunë mësohet se hynë në Shqipëri në maj për të marrë informacione mbi armët dhe mjetet e përdorura në stërvitjen ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Ministria e Jashtme e Rusisë të premten akuzoi mediat shqiptare për "nxitje të zhurmës rreth hetimeve te hapura nga prokurorët shqiptarë kundër dy rusëve që dyshohen për spiunazh", duke e quajtur këtë çështje një propagandë të NATO-s".

Në fund të qershorit media në Shqipëri njoftoi se dy shtetas rusë ishin nën hetim nga Prokuroria në Tiranë për spiunazh gjatë stërvitjes ushtarake Defender 21 të mbajtur në Shqipëri në prill dhe maj.

Një prej rusëve që kishte hyrë në Shqipëri më 12 maj, iu gjet një dron spiun dhe u kap në Durrës, ku po zhvillohej stërvitja. Sipas Euronews, ai ishte një nga dy shtetasit rusë që hynë në Shqipëri dhe po hetoheshin nga Prokuroria e Tiranës. Më pas prokuroria njoftoi se ishte ende duke hetuar mbi këtë çështje.

Drejtoria e Antiterrorit i ka kërkuar Prokurorisë që të hetojë dy shtetasit rusë, Georgi Budanov dhe Vladislav Cherkasov, të cilët kanë vizituar Shqipërinë para dhe gjatë stërvitjes ushtarake “Defender 21”, dhe janë të dyshuar për spiunazh.

 Drejtoria e Antiterrorit i ka kërkuar gjithashtu Prokurorisë të hetojë dyshimet mbi 5 shtetas çekë. Këta qëndruan në Shqipëri për 10 ditë, në kohën kur në vend zhvillohej stërvitja ushtarake e trupave të NATO, Defender 21. Dyshimet se çekët janë spiunë, janë ngritur për shkak se ata qëndruan pranë bazës ushtarake në Urën Vajgurore.

Sidoqoftë, Ambasada Ruse në Shqipëri tha se i kishte dërguar një kërkesë Ministrisë së Jashtme shqiptare. "Incidenti duket të jetë një ushtrim në propagandën #NATO," përfundoi ajo.

Por si qëndron çështja e dy spiunëve rusë?

Georgi Budanov hyri në Shqipëri përmes Qafë Thanës në 1 mars 2021. Ai u prezantua si biznesmen që ishte i interesuar të investonte në qytetin e Vlorës.

Por veprimtaria e tij megjithë informacionin sekret shikohet e dyshimtë nga hetuesit që dyshojnë se Budanov qëndroi në Orikum gjatë kohës që në Vlorë kryhej Defender Europe, një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake e zhvilluar në Europë. Rusi u dëbua nga policia kufitare qendrore në datën 10 maj, nën argumentin se nuk përmbushte kushtet e qëndrimit në Shqipëri.

Rusi i dytë Cherkasov hyri në 12 maj përmes Muriqanit. Edhe ai u intervistua, dhe nuk u lejua që të fuste në vendin tonë dronin që posedonte. Ai u mbajt nën vëzhgim gjatë tre ditëve qëndrimi dhe çdo lëvizje e tij dhe e personave qe ka takuar është referuar në prokurori. Cherkasov u vëzhgua në distancë nga antiterrori shqiptar.

Nga informacionet rezulton se ai qëndroi në një hotel luksoz në Tiranë, pa u regjistruar me identitetin e tij të vërtetë, e më pas u zhvendos në Durrës, ku dhe qëndroi vetëm tre ditë për t’u larguar më pas nga Shqipëria.

Marrëdhëniet diplomatike midis Tiranës dhe Moskës kanë qenë të ftohta prej disa kohësh tashmë. Në janar, Shqipëria dëboi një diplomat rus, Aleksei Krivosheev, për mosrespektim të rregullave COVID-19.

Në 2018, Shqipëria shpalli dy diplomatët rusë "non grata", duke pretenduar se veprimtaria e tyre nuk ishte në përputhje me statusin e tyre diplomatik. Rusia më pas dëboi dy diplomatë shqiptarë nga ambasada shqiptare në Moskë.

Mediat ruse e kanë cilësuar “Defender of Europe 2021” si një përpjekje tjetër e dyshimtë e aleancës për të demonstruar gatishmërinë e saj kundër Rusisë. Gazeta ruse “Krasnaya Zvezda përmend dhe Shqipërianë dhe faktin që një pjesë e madhe e trupave do vendosen në vendin tonë. “Një pjesë e pajisjeve ushtarake të Ushtrisë Amerikane nga bazat në Gjermani do të transferohen në Shqipëri. Disa baza në Slloveni dhe Kroaci janë rezervuar për shkarkimin e pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura Britanike”, shkruan gazeta ruse, duke shtuar më tej se shumë avionë e anije do qëndrojnë në Detin e Zi, duke “sfiduar” Rusinë.

“Numri i trupave që do të marrin pjesë në stërvitje, stërvitja e cila sipas amerikanëve "nuk synon kundër Rusisë" është e habitshme. Vitin e kaluar, SHBA synoi të transferonte 40 mijë trupa, rreth 20 mijë njësi armësh dhe pajisje ushtarake... Këtë vit në këtë stërvitje është planifikuar të marrin pjesë rreth 40 mijë ushtarë dhe rreth 15 njësi ushtarake të vendeve anëtare të NATO, të cilët do të vendosen në kufi me Rusinë... Në të njëjtën kohë, zhvillimi i skenarëve të luftës me Federatën Ruse është qartë i dukshëm”, theksonte gazeta më tej.

Skandali me vendin tonë vjen tre muaj pasi një oficer i marinës italiane, u arrestua duke i shitur informacione të klasifikuara diplomëtëve rusë në Romën. Dokumentet ushtarake italiane të klasifikuara nga Shtabi i Mbrojtjes si "shumë konfidenciale", por edhe informacione të ndjeshme të ndara midis aleatëve të aleancës së Atlantikut dhe të klasifikuara si "NATO SECRET", niveli i tretë i klasifikimit nga katër, janë vetëm disa nga dokumentet sekrete të shitura nga kapiteni i fregatës italiane për spiunët rusë.

Komandanti Suprem i NATO-s në Europë ka ngritur se fundmi alarmin se situata e sigurisë në Ballkan është shumë e brishtë, duke paralajmëruar se vendet e rajonit janë shënjestra kryesore të ndikimit malinj të Rusisë. Curtis M. Scaparrottit thotë se Ballkani është një rajon me rëndësi strategjike si për Perëndimin ashtu edhe aktorët e tretë si Rusia dhe Kina. Në dëshminë e tij para komitetit për Forcat e Armatosura, gjenerali amerikan, ka thënë po ashtu se Rusia është konkurrenti më i madh strategjik në Ballkan, që i sheh Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën e NATO-s si kërcënim kryesor për ambiciet e saj gjeopolitike.

“Moska synon të shtrijë ndikimin në vendet periferike, për të minuar solidaritetin e NATO-s dhe për të shkelur rregullat në të cilat bazohet rendi ndërkombëtar” ka thënë gjenerali.

Aktivitetet ushtarake të Moskës në rajon dhe sidomos në Ballkan u bënë të qarta që në vitin 2016, kur Moska tronditi me Malin e Zi me një grusht shteti. Me ndihmën e një komandoje speciale, presidenti afatgjatë i vendit, Milo Djukanović, që ishte angazhuar fort për anëtarësimin në NATO duhej të mënjanohej. Komploti me pjesëmarrje të njerëzve të shërbimit sekret  serb dhe rus u zbulua, Mali i Zi megjithë ndërhyrjen e Moskës u bë anëtar i aleacës ushtarake. Edhe në Maqedoninë e Veriut, Rusia paraqitet si fuqi e fortë. Nuk është sekret, që partia e ish-kryeministrit që u arratis në Hungari, Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE është e lidhur fort me Kremlinin. Që vendi u pranua në NATO ishte një dështim tjetër i Rusisë në Ballkan.

Në një kohë që Moska po dislokon trupa para Ukrainës, në Ballkan përdoren metoda më të rafinuara. Kështu qeveria e Malit të Zi së fundmi propozoi një ndryshim të së drejtës për nënshtetësinë, ku të huajt që jetojnë në mënyrë të vazhdueshme në vend kanë mundësi të bëhen qytetarë malazez, mes tyre edhe serbët dhe rusët. Me këtë mund të kemi ndryshime masive në popullsi dhe drejtimin politik, paralajmëroi analisti Zlatko Vujovic, shumica properëndimore e Malit të Zi do të eliminohej kështu me një dorë. Kështu në mënyrë "legale" do të forcoheshin forcat anti-perëndimore dhe proruse. Pas protestash pasive, qeveria u tërhoq nga këto plane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë