Analize

Si po i përulet Franca Iranit

Nga Gazeta ‘Si’– Çfarë po luan Emmanuel Macron?

Brenda vetëm pak ditësh, tre episode në dukje të palidhura mbajnë gjurmët e presidentit francez.

Ato sugjerojnë se, ndonëse i dobësuar në politikën e brendshme, Macron është i gatshëm të përdorë fuqinë e tij në arenën ndërkombëtare për të ndihmuar Francën të navigojë krizën e luftës me Iranin dhe për të rikuperuar imazhin e tij -edhe nëse kjo i vë në siklet aleatët, përfshirë Britaninë dhe SHBA-në.

Më 2 prill, një anije franceze kontejnerësh u bë e para anije perëndimore që kaloi Ngushticën e Hormuzit dhe doli në Gjirin e Omanit që nga nisja e konfliktit.

Kalimi i sigurt ndodhi pikërisht ditën kur Macron deklaroi se vetëm diplomacia, dhe jo forca ushtarake, mund të hapte sërish këtë korridor jetik.

A ndërhyri Parisi për të siguruar këtë kalim? Është shumë e mundshme.

Në çdo rast, episodi tregon gatishmërinë e Francës për të marrë koston reputacionale të një koordinimi të perceptuar me Teheranin.

Një ditë më pas, Franca iu bashkua Kinës dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të bllokuar një rezolutë që do të autorizonte përdorimin e forcës për rihapjen e ngushticës.

Mesazhi ndaj Iranit ishte i qartë, në një moment kur vendet e Gjirit mbeteshin pa mbështetje të plotë. Në të njëjtën kohë, Parisi tregoi se është i gatshëm të sfidojë edhe një nismë të mbështetur nga SHBA.

Më 7 prill, Macron njoftoi kthimin në Francë të dy shtetasve francezë të ndaluar në Iran prej tre vitesh për akuza spiunazhi. Ata u pritën në Elize me bujë. Pyetja që mbetet: me çfarë çmimi u arrit lirimi i tyre?

Edhe pse këto episode nuk janë lidhur drejtpërdrejt nga mediat, ato duket se ndërthuren.

Duke bërë lëshime ndaj Republikës Islamike, Macron mund të ketë siguruar lirimin e të ndaluarve, një fitore tregtare dhe një sfidë simbolike ndaj Uashingtonit.

Një lojë e rrezikshme, por që deri tani duket se i ka dhënë rezultat, me një rritje të lehtë të mbështetjes në sondazhe.

Me vetëm një vit të mbetur në pushtet, Macron është i dobësuar në politikën e brendshme, por në politikën e jashtme presidentët francezë gëzojnë kompetenca të gjera. Ai po i shfrytëzon këto për të shpëtuar çfarë mundet nga trashëgimia e tij politike, duke luajtur shpesh mbi një ton tradicional dhe një dozë anti-amerikanizmi.

Që në fillim të konfliktit me Iranin, Macron është shfaqur më i vendosur se kryeministri britanik Keir Starmer. Ai ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin ndërkombëtar të luftës, ndërsa njëkohësisht ka demonstruar forcën ushtarake franceze, duke dërguar një grup aeroplanmbajtës në Mesdheun lindor për të mbrojtur interesat europiane.

Nga bordi i aeroplanmbajtëses Charles de Gaulle, ai shpalli rolin e Francës si mbrojtëse e qytetarëve dhe aleatëve të saj – një imazh që u prit mirë nga mediat franceze.

Përplasjet me Donald Trump kanë qenë po ashtu të ashpra dhe personale, duke ushqyer narrativën e Macron si një lider që sfidon hapur SHBA-në.

Në muajt e fundit të mandatit, Macron pritet të vazhdojë këtë linjë të fortë retorike.

Por pas këtij aktivizmi ndërkombëtar fshihen oportunizmi dhe kalkulimi politik. Me kohën që po i mbaron në Elize, ai mund të bëhet edhe më i paparashikueshëm në skenën globale, në përpjekje për të shpëtuar një reputacion të dëmtuar./ The Spectator


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë