Histori

“Si më ndryshoi jetën një çorap i humbur…”

Gati pesë vjet më parë, gjeta një çorap në hyrjen e ndërtesës sime me një shënim të ngjitur në të që shkruante: "Ky çorap u nda nga familja e tij dhe e gjeta duke u endur i frikësuar dhe i humbur në lavanderi".

Shënimi më bëri të qesh aq shumë sa postova një fotografi në Facebook me shkrimin “Kushdo që e shkroi këtë është fqinji im i preferuar".

Një mik komentoi: "Zbulo nëse është beqar!"

Një tjetër shkroi: "Unë e dua këtë person!"

"Edhe unë", iu përgjigja. "Kush harxhon kohë për ta bërë këtë? Është thjesht një veprim aq i lezetshëm”.

Nuk mund ta kuptoja kush ishte pasi asnjë nga fqinjët e mi nuk dukej aq njeri gazmor sa të bëjë diçka të tillë.

Burri im dhe unë e kishim blerë apartamentin tonë katër vjet më parë. Ne kishim dy fëmijë të vegjël dhe asnjë para shtesë dhe gjërat nuk ishin të shkëlqyera mes nesh, por unë shpresova se kjo lëvizje do të pakësonte tensionin në martesën tonë.

Qiramarrësit e mëparshëm po zhvendoseshin në një hyrje tjetër në të njëjtën ndërtesë dhe menjëherë para se të transferoheshim, ata na ftuan në festën e ditëlindjes së fëmijës së tyre, në mënyrë që të takonim disa nga familjet e tjera në ndërtesë. Unë nuk e kuptova derisa mbërritëm se festa nuk ishte në një hapësirë të përbashkët, por në të vërtetë në apartamentin tonë të ri, të cilin ata duhej ta kishin liruar deri atëherë.

Ne u ulëm ngushtë në dysheme, duke vënë pjatat me tortë në gjunjë.

Pjesa kryesore ishte kur bëra një bisedë të shkurtër me një nga fqinjët tanë të rinj, Jeffrey, një baba beqar i turpshëm me një buzëqeshje të lezetshme. Bisedimi ynë bëri që një ndjenjë e fjetur të zgjohej tek unë, por u ndjeva shumë e çoroditur për ta identifikuar si flirt.

Gjatë tetë viteve që kam jetuar aty, e pashë Xhefrin vetëm disa herë, kryesisht në ashensor. Është një ndërtesë e madhe, ne jetonim katër kate larg, fëmijët tanë ishin të moshave të ndryshme dhe oraret tona ishin të ndryshme. Herë pas here, ne qëllonim bashkë në ashensor dhe bënim kontakt me sy, buzëqeshnim dhe shikonim nga ana tjetër, duke u skuqur.

Aty ishim të gëzuar dhe rehat por gjithsesi tensionet u rritën me bashkëshortin tim. Nuk na zgjidhi punë as terapia në çift.

Një ditë e pashë Xhefrin në ashensor dhe kuptova se ishte shumë i sëmurë. Ai dukej i zbehtë, i mungonte buzëqeshja e tij e zakonshme e ndritshme. Një fqinj tjetër më tha se kishte kancer. Doja t'i dërgoja diçka, një pjatë të nxehtë?

Nuk dija çfarë të mendoja pasi përballë kisha një burrë që kishte një sëmundje të rëndë dhe po luftonte për jetën ndërsa unë mendoja se në jetën time po luhej një tragjedi vetëm për shkak të marrëdhënieve me bashkëshortin.

Pas dy viteve, një e njohura ime më tha se miku i saj më i mirë jetonte në ndërtesën time dhe doli që ishte Jeffrey.

Ajo më tha se duhej të dilnim për të pirë një kafe një ditë me të dhe unë mendova se kjo ishte ideja më e keqe që më është thënë ndonjëherë pasi kisha një martesë për të shpëtuar.

Përfundimisht, pas 15 vitesh së bashku, burri im dhe unë i dhamë fund gjërave dhe unë u largova. Nuk kishte asnjë shpërthim të madh, asnjë tradhti, pothuajse asnjë dramë fare.

Mora me qira një vend disa rrugë larg. Rreth tetë muaj pasi u largova, Jeffrey më ndoqi në Instagram.

"Oh, përshëndetje!" i thashë me zë të lartë, dhe pastaj vazhdova të shfletoj të gjithë Instagramin e tij ku dhe zbulove se kishte rreth 80 talente. Ai ishte piktor, kuzhinier, ilustrues, tenist, gdhendës në dru, fotograf etj.

Elizabeth dhe unë kishim një plan për t'u takuar dhe ne përfunduam duke përfshirë edhe Jeffreyn. Prania e tij më bëri nervoze. Piva shumë dhe shumë shpejt e gjeta veten duke bërë shaka dhe lojëra fjalësh me to. Nuk isha ndjerë ka shumë kohë ashtu por gjithsesi nuk doja të përfshihesha me askënd, fare.

Që nga fundi i martesës sime, isha bërë një eksperte për të qëndruar e shkëputur nga bota dhe njerëzit.

Megjithatë, ai dhe unë vazhduam t'i shkruanim njëri-tjetrit dhe përfundimisht e ftova për një pije shoqërore që rezultoi të mos ishte aq shoqërore. Dolëm shumë bashkë dhe filluam të njohim njëri-tjetrin.

Ndërsa po njiheshim, mësova se ishim të dy në një kohë të keqe dhe po tentonim të bënim njëri-tjetrin të lumtur.

Ne bëmë biseda të gjata për jetën, dashurinë dhe filozofinë që më bënë të ndihem sikur një pjesë e fjetur e trurit tim po ringjallej.

Një nga fiksimet e tij të shumta është shpëtimi i bimëve kryesisht të thara, që njerëzit i kanë lënë në trotuar pa ujë. Kishim një muaj që ishim bashkë kur kuptova: A isha unë një lule e tharë që e gjeti ai në trotuar?

Ai tha jo, por nuk jam aq e sigurt.

Njohja me dikë nga ndërtesa ime e vjetër ishte, natyrisht, jashtëzakonisht e çuditshme.

Jeffrey dhe unë jemi përpjekur të mos e mendojmë shumë çuditshmërinë, jemi përpjekur t'i marrim gjërat ngadalë. Një ditë të shtune, teksa po ecnim bashkë në park, po përpiqesha t’i thoja se nuk jam gati për një lidhje të vërtetë por si duket ai më lexoj mendjen dhe më tha që duhet të jetojmë të sotmen, pa menduar për të ardhmen.

Unë mendoj se lufta me kancerin (ai tani është shëruar) e bëri të mos mendonte shumë gjatë për të ardhmen plus që pandemia e bëri të shijonte momentin.

Po rrinim të dy bashkë kur ai filloi të qeshte ndërkohë që po shikonte një fotografi në telefonin e tij.

“Më parë gjeja çorape teke dhe I lija në cep të ndërtesës me një shënim, për këdo që e kishte humbur”, më tha ai.

Ai më tregoi një fotografi të tre çorapëve të rreshtuar me shënime të vogla të bashkangjitura.

"Çfarë!" thashë.

Shkova nëpër arkivat e mi në Facebook për të gjetur çorapin që kisha fotografuar dhe postuar vite më parë. "Shiko," i thashë. "Kam postuar në lidhje me të!"

Sigurisht që ishte ai. Kjo është pikërisht ajo lloj gjëje që ai bën. Duke i kushtuar kohë dhe përpjekje një projekti të çuditshëm pa asnjë arsye tjetër përveçse t'i sjellë një të huaji një sekondë gëzimi. Ai gjithashtu kalon orë të panumërta duke përgatitur ushqime të bukura ("Por ju e dini që ne thjesht do ta hamë atë, apo jo?" Unë shpesh mendoj, por ende nuk i kam thënë), dhe ai mund t'i kushtojë muaj kohë pikturave në pjesën e poshtme të skateboard, ku nuk i sheh njeri.

Kur u tregoj njerëzve për Jeffreyn dhe shënimin e çorapit, të gjithë më thonë "beshert", një fjalë jidish që do të thotë fat, ose shpirt binjak. Unë nuk e di nëse është kështu, thjesht mendoj se Çorapi dhe gjithë kjo histori më bëri ta shoh dhe më të veçantë historinë tonë dhe të mendoj për një të ardhme, gjë që nuk e kisha bërë deri tani.

Burimi: The New York Times. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë