Futboll

Si kurrë më parë, 90 mijë tifozë në Tiranë ditën e finales

Gazeta Si - Kërkesat për të qenë në Tiranë më 25 maj janë shumë të mëdha, përtej parashikimeve. Biletat për finalen e Ligës së Konferencës janë çështja e ditës në kryeqytet, si dhe në Itali e Holandë për tifozët e Romës dhe Fejnordit.

Stadiumi “Air Albania” ka një kapacitet prej 21 mijë vendesh, por për finalen Roma-Fejnord do të jenë 19 mijë tifozët në shkallët e tij. Në Tiranë ndërkohë pritet të mbërrijnë deri në 90 mijë tifozë, siç pohon një nga zyrtarët e FSHF-së dhe përgjëgjësi për stadiumin, Kejdi Tomorri.

Kejdi Tomorri, zyrtar i FSHF-se. Gazeta Si, 10 maj 2022

“Nga kontaktet me kolegë të UEFA-s që kemi pasur dje kemi mësuar se priten nga Italia 60-70 mijë persona. Ata janë pa biletë, vetëm 4000 mijë do të kenë biletë për në stadium. Nga Holanda jemi njoftuar se pritet që 18-20 mijë persona të udhëtojnë drejt Tiranës. Do të jetë një fluks shumë i madh nga tifozët në Tiranë”, - ka thënë Tomorri.

Ai ka prekur pastaj edhe çështjen e shitjes së biletave: “Shitja e biletave është bërë online, vetëm nga UEFA. Është një ndeshje ekskluzive e UEFA-s dhe biletat për tifozët i shet vetëm ajo”.

Më 25 maj në Tiranë ndoshta do të ketë më shumë njerëz se kurrë më parë. Përveç atyre që do të shkojnë në stadium për të ndjekur nga afër finalen, shumë të tjerë do të pushtojnë sheshet dhe lokalet e kryeqytetit për ta parë në televizor ndeshjen. Tifozët po bëhen gati të pushtojnë Tiranën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë