Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të enjte projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet.
Në projektligj, sipas propozimit që mban firmën e Taulant Ballës dhe Erion Braçes, sponsorizuesit mund të zbresin nga tatimi mbi fitimin deri në 30% të shumës së sponsorizuar, për mbështetjen e sportit, artit dhe kulturës.
Amendamentet parashikojnë gjithashtu që të ardhurat nga sponsorizimi të jenë të patatueshme për përfituesin dhe të mos ndikojnë në klasifikimin e tij sipas shkallëve tatimore.
Përfitimi i lehtësive do të kushtëzohet nga hartimi, depozitimi dhe miratimi i pasqyrave financiare të vitit paraardhës, ndërsa kriteret e zbatimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për të shmangur abuzimet, projektligji parashikon detyrimin për dokumentimin e sponsorizimeve përmes kontratave, raporteve mbi përdorimin e fondeve dhe dokumenteve të tjera financiare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një regjistri elektronik kombëtar të sponsorizimeve, për të garantuar transparencë dhe gjurmueshmëri. Kriteret dhe mënyra e përfitimit të lehtësive do të përcaktohen më tej me vendim të Këshillit të Ministrave.
Një element tjetër është e drejta e ankimit. Nëse administrata tatimore refuzon njohjen e lehtësisë, sponsorizuesi do të ketë 30 ditë kohë për të paraqitur ankim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me mundësi për të ndjekur edhe rrugët e tjera ligjore.
Ligji aktual daton prej vitit 1994 dhe për një kohë të gjatë nuk ka arritur të krijojë stimujt e nevojshëm për kompanitë që duan të investojnë në sport.
Shpesh herë biznesmenë dhe aktorë të tjerë të lidhur me sportin kanë kërkuar me ngulm dhe argument miratimin e këtij ligji por janë përballur me kundërshtinë e qeverisë.
Debati arriti kulmin në vitin 2020, kur Liga Profesioniste bojkotoi kampionatin e futbollit të Superiores, duke vendosur si kusht ndryshimin e ligjit të sponsorizimeve. Bojkoti u mbyll pas premtimeve të qeverisë se kërkesat do të merreshin në konsideratë.
Që prej asaj kohe nisi një seri takimesh mes përfaqësuesve të sportit dhe qeverisë. Në tryeza u përfshinë ministra si Evis Kushi, Anila Denaj, si dhe vetë Kryeministri Edi Rama. Pas çdo takimi, deklaratat ishin të njëjta: diskutime të frytshme dhe premtime për zgjidhje të afërt.
Në një nga këto takime, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, deklaroi se “Ministrja Evis Kushi e priti shumë mirë propozimin tonë dhe do ta ndjekim bashkarisht procesin për të pasur një ligj sponsorizimi në vitin 2022”. Por afatet kaluan dhe ligji mbeti në sirtarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje