Ngjarje

Finalja e Conference League në Tiranë/ ‘Një lojë e turpshme me çmimet e hoteleve’ ku Shqipëria do të dalë e humbur

Nga Megi Iskurti - Nata finale e Conference League mes Romës dhe Feynord që do të zhvillohet më 25 maj në Tiranë, bashkë me euforinë, ka sjellë me vete edhe një valë atipike çmimesh të kripura në hotelet rreth kryeqytetit.

Mjafton një vëzhgim në platformën e “Booking.com” për të konstatuar se në datën e finales dhe të nesërmen e saj, çmimet në disa hotele variojnë nga 500 deri në 3000 euro duke u rritur dhjetë herë më shumë. Ndërsa pas ndeshjes, çmimet rikthehen sërish në normalitetin e mëparshëm.

Në kushte normale, një natë në hotelet e Tiranës në dhoma standarde arrin tipikisht deri 140 euro ndërsa çmimet e fryra, pronarët e hoteleve i justifikojnë më faktin që kanë shumë kërkesa nga turistët.

Stadiumi “Air Albania” mund të presë 21 mijë spektatorë, por për arsye sigurie në finale do të jenë 19 mijë, ku tetë mijë prej tyre do të jenë në total tifozët e dy ekipeve finaliste.

Në vëzhgimin që Gazetasi.al bëri sot (9 maj) në platformën e Booking, konstatoi se në datën 25 maj një apartament me vetëm një dhomë 400 metra larg qendrës së Tiranës, kushton gati 2 milionë e 200 mijë lekë të vjetra shqiptare.

I njëjti, lajmëron në Booking që ka mbetur vetëm një dhomë e lirë për këto dy data.

Hoteli ndryshe nga disa të tjerë që kanë rritur çmimet dhe e tregojnë këtë rritje, nuk të lejon ta shikosh se sa ka qenë çmimi në ditë normale.

Për të qëndruar në një hostel tjetër, i cili edhe në parim si strukturë supozohet të ketë çmime më të lira, gjatë atyre datave duhet të paguani më shumë se 900 euro për të dyja dhomat.

Edhe tek ai, ka mbetur vetëm një dhomë e fundit për të rezervuar sepse të tjerat, janë zënë të gjitha.

Çmimi i hostelit në datat 25-26 maj

Trendin duket se do e ndjekin edhe hotelet që ende nuk i kanë rritur çmimet. Filozofia alla-shqiptarçe “të kem dhe unë atë që ka komshiu” nuk do të kalojë si pa gjë, sidomos këtë herë.

Pronarët thonë se hoteleria ka qenë njëri nga sektorët më të goditur gjatë pandemisë për shkak të kufizimit të udhëtimeve dhe mungesës së turistëve ndaj e shohin këtë si një mundësi shumë të mirë për të kompesuar ca humbje.

Me egoizëm, retorikisht pyesin:“nëse e ka rritur ai tjetri, përse të mos e bëj dhe unë?”

Nga ana tjetër, ka edhe pronarë që e dënojnë këtë abuzim dhe mendojnë se ky përfitim i tanishëm, do t’u shërbejë mirë xhepave të tyre vetëm për tani, ndërsa në afatgjatë do të jetë dëmtim i turizmit dhe imazhit të Shqipërisë në sytë e turistëve.

Klensen Gjoni, pronari i “Centrum Hotel” i cili ndodhet në zonën e Galerisë, tek ish-Kinema 17 Nëntori, është një prej tyre që mendon kështu. Edhe pse hoteli i tij ndodhet në qendër, në një pikë shumë të mirë gjeografike, ai thotë për Gazetasi.al se çmimet i ka mbajtur të pandryshuara.

“Është e turpshme e gjithë kjo që po ndodh vërdallë nëpër Tiranë. Të të luhet një finale në kryeqytet është promovim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë sepse një pjesë e konsiderueshme e turistëve të huaj, nuk e dinë as ku ndodhet shteti ynë.

Në vend që ta shfrytëzojmë për mirë këtë promovim dhe të përfitojmë në afatgjatë nga ai, po bëjmë të kundërtën”, shton Gjoni ndërsa thekson se të gjitha dhomat janë zënë për ndeshjen me çmimin standard që varion nga 20 deri në 38 euro, varësisht hapësirës së dhomës.

Duke njohur tipologjinë e turistëve pasi prej vitesh punon në këtë sektor, ai shton se italianët janë njerëz të qetë që nuk bëjnë diskutime për çmimin, por shton se në rast se tifozët hollandezët humbin, pas disa birrave të konsumuara atëherë situata mund të dalë jashtë kontrollit.

“Nuk arrijnë ta përmbajnë veten sepse kanë natyrë impulsive dhe në rast të një humbje të ekipit të tyre, do fillojnë të ankohen për pagesat e larta”, shton ai për Gazetasi.al.

Alarmin për çmimet e nisi Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, i cili në një status në rrjetet sociale shkroi se me këtë rritje çmimesh, loja do të cënojë imazhin e turizmit në vend.

 “Po shiten dhomat e hoteleve për datat 25-26 maj me çmime nga 600-9000€/nata për një ndeshje sporti që duhet të jetë një manifestim i vlerave të Kryeqytetit të Rinisë 2022. Ftoj z. Veliaj dhe Ministrinë e Financave të angazhohet seriozisht për të kthyer normalitetin. Ky është abuzim i pastër që do dëmtojë rëndë imazhin e Shqipërisë”, shkroi ai.

Në prag të sezonit turistik, kur Shqipërisë i duhen sa më shumë turistë të qendrueshëm në vijim, tur-operatorët shprehen me shqetësim për këtë situatë.

Ata e konsiderojnë si një lojë të turpshme çmimesh nga e cila Shqipëria vetëm e fituar nuk do dalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë