Futboll

Finalja, kaos në Romë me biletat dhe prenotimet për në Tiranë

Gazeta Si - Finalja e parë e Ligës së Konferencës i ka trazuar jo pak tifozët e Romës. Pas shumë vitesh luhet për një trofe kontinental, por para finales së 25 majit ka kaos me biletat dhe prenotimet për në Tiranë.

Në Romë po bëhet një gjueti e vërtetë për bileta për të shkuar në Tiranë. Të gjithë duan të shkojnë në kryeqytetin shqiptar dhe të valvisin flamujt verdhekuq. Problemi është se “Air Albania” mund të presë vetëm 19.000 tifozë.

Shtypi italian i ka bërë elozhe stadiumit në Tiranë, duke e quajtur një xhevahir të arkitektit Marko Kazamonti. Por evidentohet edhe fakti se ky stadium nuk mund të presë eksodin romanist.

"Air Albania", stadiumi ku do të luhet finalja e Ligës së Konferencës. Gazeta Si, 10 maj 2022

UEFA nxjerr sot në shitje biletat për finalen që do të zhvillohet në Tiranë. Janë rreth 10 mijë bileta të lira, ndërsa në internet çështja e biletave ka marrë përmasa ‘të egra’. Biletat që klubi i Romës ka shpërndarë gratis për ata që ndoqën transfertën norvegjeze të Bodos, po rishiten online me shifra astronomike.

Edhe ata tifozë që i kanë fituar biletat si dhurata në konkurse te ndryshme, po bëjnë të njëjtën gjë. Janë rreth 3500 bileta, çmimi bazë i të cilave është rreth 800 euro, por ka edhe raste që po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale, ku një biletë për në Tiranë shkon deri në 10.000 euro.

Nuk është vetëm çështja e biletave. Kërkesat e larta për shtretër në Tiranë kanë shtyrë shumë hotele të anulojnë prenotimet e bëra më parë me shifra shumë të favorshme. Të njëjtat hotele më pas i nxjerrin në shitje dhomat me një çmim shumë më të lartë, deri në 1000 euro. Një ambient i shfrytëzuar nga disa dinakë për të përfituar sa më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë