Ne rrjet

“Si guxon?” Ministrat e Greqisë dhe Turqisë përplasen ashpër në konferencën e “paqes”

Dy kryediplomatët e Turqisë dhe Greqisë janë përplasur ashpër të enjten në një konferencë të përbashkët shtypi në Ankara, e cila u quajt fillimisht si konferenca e paqes me shpresat për përmirësimin e marrëdhënieve, por pëfundoi gati në kërcënime të ashpra nga të dyja palët.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ndodhej në një vizitë në Ankara, ku u takua me Presidentin turk Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Cavusoglu në vizitën e parë kjo mes dy palëve që nga viti i kaluar, kur flotat e dy vendeve ishin në prag të përplasjeve.

Por dy ministrat u përplasën ashpër, kur Dendias tha se shkeljet e sovranitetit grek do të përballeshin me sanksione dhe ministri Çavusoglu i quajti komentet e tij “të papranueshme”. “Ju vini këtu dhe përpiqeni të akuzoni Turqinë, për t’i dhënë një mesazh vendit tuaj. Unë nuk mund ta pranoj këtë,” tha Çavusoglu në përgjigje të komenteve.

Përballja vazhdoi më pas për pothuajse të gjitha çështjet e hapura mes Greqisë dhe Turqisë dhe zgjati më shumë se gjysmë ore, duke sugjeruar që pavarësisht nga deklaratat publike në lidhje me përpjekjen për të vendosur një agjendë pozitive, si gjatë takimit të Dendias me Cavusoglu ashtu edhe atë të mëparshëm me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, mbetet një humnerë e gjerë.

Në të dy takimet, pala turke ngriti çështjen e pakicës myslimane në Trakë, por gjithashtu nevojën për të ngritur komitete të përbashkëta për restaurimin e monumenteve osmane në Greqi. Turqia akuzoi gjithashtu Greqinë për kthimin e 18,000 emigrantëve, diçka që Athina e refuzoi.

Më pas dy kryediplomatët u përplasën për ekspeditat eksploruese të Turqisë në brigjet e Qipros.

"Greqia dhe Turqia janë të destinuara të jetojnë së bashku në një rajon me shumë probleme komplekse," tha Dendias, duke u përpjekur të ulte tensionet. Dendias gjithashtu hodhi poshtë shkeljet "konstante" turke të hapësirës ajrore greke dhe Ligjin e Detit, duke paralajmëruar Ankaranë se veprimet e saj në Egje dhe Mesdheun Lindor po minojnë aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.

"Nëse kjo është ajo që Turqia dëshiron, atëherë ajo duhet të fillojë të respektojë Ligjin e Detit," tha Dendias. “Turqia vazhdon të refuzojë Konventën e OKB mbi Ligjin e Detit, pjesë e ligjeve europiane. Një shembull tipik është memorandumi turko-libian që është dënuar nga Këshilli Evropian, ”tha Dendias.

Cavusoglu gjithashtu tha nga tjetër se drejta e myslimanëve në Traki për "ta quanin veten turq është një e drejtë njerëzore, pavarësisht se si traktati Lozanës i quan ata."

Ai gjithashtu hodhi poshtë komentet e Dendias mbi sanksionet e mundshme të BE si "të papranueshme".

“Turqia ka bërë 400 fluturime mbi territorin grek. Nuk ka asnjë dispozitë në të drejtën ndërkombëtare që lejon fluturimin mbi tokën greke. Unë nuk jam duke folur për detin, ”shtoi ai.

Ministri i jashtëm turk përsëriti gjithashtu thirrjet për çmilitarizimin e disa ishujve grekë në Egje. Dendias u përgjigj megjithatë se ishujt janë militarizuar për një arsye pasi ka forca ushtarake turke në bregun përballë, duke iu referuar kërcënimit të Turqisë për "casus belli".

Në këtë rast, casus belli do të thotë që nëse Greqia shtrin ujërat e saj territoriale në 12 milje detare, Turqia do të shpallë luftë

Mediat greke shkruajnë se Dendiasit iu dha urdhër i qartë për të reaguar në përputhje me rrethanat nëse provokohej nga Çavuşoğlu. Në fund të dy ministrat ranë dakord se dy vendet e tyre nuk bien dakord për asgjë. Ankara tha se dërgimi i anijeve për të kërkuar rezerva të mundshme gazi në ujërat greke nuk ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar. Ndërkohë, Athina këmbënguli se Turqia kishte shkelur të drejtat sovrane të Greqisë.

Burimet diplomatike greke thanë se shpërthimi në konferencën për shtyp erdhi pasi të dy vendet po mbanin një qasje të ndryshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve , duke shtuar se qasja e Greqisë bazohet në vlerat europiane dhe të drejtën ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë