Mendim

Si Edi Rama rrëmbeu skenën në Prishtinë

Edi Rama mund të jetë kryeministri më me fat, sepse në mesin e një krize të rëndë mes Prishtinës dhe Beogradit, u gjend në vendin e duhur, në momentin e duhur, për gjënë e duhur. Atij i mjafton më pak se kaq për të luajtur rolin e një udhëheqësi që kostumi i liderit brenda vendit i rri shumë ngushtë tani, sidomos në mandatin e tretë qeverisës. Jo më një situatë ku ai ekzaltohet për të dhënë më të mirën nga aspekti i imazhit politk.

Pas Presidencës së OSBE-së në një moment krize globale të shktuar nga Covid-19 dhe ku nuk mundi të tregojë veç për dy muaj talentin e negociatorit politik, Shqipëria ka një tjetër shans të artë, atë të anëtarit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku lidershipi i kryeministrit shqiptar pritet të vihet ne një tjetër provë diplomatike.Nëse në të parën, Zoti - dhe Rama ndoshta e beson vërtetë këtë - ia hoqi në dorë shkëlqimin në sallonet e mëdha të politikbërjes, këtë radhë kryeministri shqiptar nuk ka për t'ia lënë në dorë askujt, as Perëndisë, rolin e tij personal në arenën ndërkombëtare.

Kostumi i një udhëheqësi të një vendi të vogël orej kohësh nuk duket se i përshtatet më kryeministrit shqiptar, dhe kjo është parë në më shumë se një rast, në më shume se një ngjarje, dhe në më shumë se një kontekst gjeopolitik, qoftë rajolan siç është edhe së fundi Ballkani i Hapur. Me këtë të fundit Edi Rama ka bërë provat e fundit gjenerale drejt ndërtimit të një profili të vet personal ndërkombëtar, e ku siç thonë thashethemet e korridoreve lidhet me synimin e asaj se çfarë do të dojë të bëjë ai kur të jetë lodhur me sallën e hartave në Kryeministri dhe qeverisjen në Shqipëri.

Pikërisht, në këtë konteks ku ka më mirë se një krizë Serbi-Kosovë për të treguar se ai është ai jo vetëm udhëheqësi i Shqipërisë, por edhe i shqiptarëve në rajon. Brenda një dite, kur shumë syresh kanë muaj që e shajnë dhe e mohojnë.

Me një ftesë formale në xhep nga kryeministri i Kosovës dhe pas 8 ditë përplajesh në kufi, Edi Rama ka lënë çdo takim të fundit në Nju Jork për të rrëmbyer skenën në Prishtinë. Aty ku ka patur më shumë përplasje me udhëheqjen politike, aty ku njeriu që deri pak vite më parë shihej si kloni i tij kosovar, por që më pas deri sot ishte kthyer në problemin e tij, aty ku shumë shqiptarë të Kosovës kishin nisur të shfaqeshin jo vetëm mosbesues, por edhe kritik të ashpër të qëndrimeve të tij.

Për shtatë orë të axhendës zyrtare, që nga takimi me Albin Kurtin deri te ceremonia e dekorimit të Rexhep Qoses, me një intermexo takimin me vëllaun kundërshtar Ramush Haradinaj, Edi Rama rrëmbeu skenën ne Prishtinë. I dha shqiptarëve të Kosovës dhe Albin Kurtit mbështetje maksimale në reciprocitetin me Serbinë, mohoi Aleksandër Vuçiçin me shprehje si "teatër" "gjeneralë të ushtrisë së humbur" dhe rikrijoi frontin e qëndresës shqiptare përpara diplomatëve të huaj pa kundërshtuar projektin e Ballkanit të Hapur. Me të njëjtën lehtësi sikur të ishte në shtëpinë e tij në Tiranë, apo në përurimin e ndonjë shkolle në ndonjë bashki perfierike a fshat të Shqipërisë.

Për një ditë, në një moment, kushdo që e ka ndjekur ndoshta ka menduar se vizita e udhëheqësve kosovarë në Prishtinë ishte shumë e suksesshme, sepse u pritën dhe morën edhe mbështetjen e Edi Ramës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë