Histori

Si e “zhdukën” rusët Kremlinin nën hundën e nazistëve

Rusët e përkujtojnë fitoren kundër nazizmit më 9 maj, një ditë pas vendeve të tjera të Perëndimit, ish-aleate në Luftën e Dytë Botërore. Me parada ushtarake, kurora e buqeta me lule nëpër monumentet e vendit si nderim ndaj të rënëve dhe atyre që sakrifikuan jetën në luftën e madhe, kjo ditë risjell gjithmonë në kujtesë edhe një prej mistereve më të mëdha të atyre ditëve.

Gjatë viteve të luftës, Moska, ashtu si pjesa tjetër e qyteteve perëndimor të ish-Bashkimit Sovjetik ranë pre e bombardimeve të ashpra të aviacionit luftarak të Hitlerit. Muze, katedrale, pallate e rrugë ishin në shënjestër të bombave naziste. Nuk pati asnjë ndërtesë që nuk u prek, por çuditërisht Kremlini, kupola e pushtetit të Stalinit shpëtoi paq, megjithëse mbi të u shënjestruan tetë sulme ajrore, 15 lloje bombash shpërthyese dhe mbi 150 bomba zjarrvënëse. Pyetja që bënë rusët dhe të tjerët kur bëhej bilanci i dëmeve, ishte një: si u shpëtoi Kremlini bombardimeve gjermane?

Kremlini i fotografuar nga ura Borovitski gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tek muret rrethuese duken dritaret e improvizuara për ta maskuar kështjellën si bllok apartamentesh banimi

Nikolai Spiridonov ishte komandant dhe përgjegjës i sigurisë në Kremlin nga viti 1938 deri në 1953. Që në ditët e para të ofensive gjermane në frontin lindor ai i shprehu shqetësimin mbi sigurimin e Kremlinit, një kështjellë mesjetare, në rastin hipotetik të një sulmi ajror të gjermanëve. Shqetësimi i ishte shprehur përmes një mesazhi të fshehtë famëkeqi Lavrenti Beria. Ky i fundit mbante postin e Ministrit të Brendshëm dhe urdhëroi menjëherë nisjen e operacionit për mbrojtjen e Kremlinit.

Detyra s’ishte e lehtë. Bëhej fjalë për “zhdukjen” e një territori prej 28 hektarësh, që ndodhej në mes të Moskës. Përveç kësaj ishin edhe kullat, që duheshin bërë të padukshme, mes të cilave edhe ajo e këmbanës së Ivanit të Madh. Më 22 korrik të 1941, një bombë gjermane plot 250 kilogramëshe goditi pallatin, por fatmirësisht nuk shpërtheu.

Plani origjinal i maskimit të ndërtesave të Kremlinit i arkitektit Boris Iofan

Për maskimin u thërrit arkitekti Boris Iofan. Ai propozoi një plan prej gjeniu. Të gjitha kullat e Kremlinit u ngjyrosën me bojëra të ndryshme dhe mbi to u vendosën tenda druri në formën e çative të shtëpive tradicionale ruse. Në shesh u vendosën gjithashtu tenda të tilla, që nga lart krijonin pamjen e një lagjeje të varfër moskovite, ndërsa hapësirat që tregonin kalldrëmin tipik të zonës u mbuluan me rërë. Çatitë false u vendosën edhe në kopshtetet e Kremlinit.

Muzeoleumi i Leninit i maskuar si shtëpi me çatinë e improvizuar prej druri

Bojatisja me ngjyrat e tjera të qytetit dhe çatitë e improvizuara ua vështirësonin shënjestrat pilotëve gjermanë nga qielli, të cilët çorientoheshin. Njëra prej shënjestrave kryesore ishte edhe muzeoleumi i Leninit. Ky i fundit ishte fshehur poshtë një tende të stërmadhe prej druri, megjithëse vetë trupi i udhëheqësit të revolucionit bolshevik ishte zhvendosur prej andej, për t’u rikthyer vetëm në vitin 1945.

Kjo është historia sesi u maskua Kremlini, por Kremlini nuk ishte i vetmi shqetësim. Edhe pjesa tjetër e kryeqytetit të Bashkimit Sovjetik u përforcua me barrikada dhe masa të tjera, ku morën pjesë më shumë se gjysma e 4.6 milionë banorëve që Moska numëronte në atë kohë.

Pjesa më e madhe e tyre ishin trajnuar për betejë në vitet para luftës, por gjatë saj u bënë edhe ekspertë ndërtimi, pasi thuajse në të gjitha zonat e kryeqytetit u ndërtuan banesa “karrem” për aviacionin luftarak nazist.

Burimi: Russia Beyond


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë