Histori

Si e zbuloi një dentist vendndodhjen e betejës detare më të rëndësishme të Antikitetit

Për shekuj me radhë historianët besonin se çdo provë fizike e betejës vendimtare të Agatëve ishte zhdukur…deri kur një dentis i ndihmoi në zbulimin e madh që çoi në gjetjen e dhjetra mbetjeve anijesh në fund të detit.

Dentistët zakonisht nuk ndryshojnë historinë, por një dentist në Siçili luajti pa dashje rolin e vet në ndryshimin e historisë së një prej betejave më të rëndësishme të Europës.

Në fillim të viteve 2000, arkeologu i ndjerë Sebastiano Tusa vendos të rregullojë dhëmbët te një klinikë dentare në qytezën e Trapanit. Aty vuri re një copë metalike prej bronzi, që e identifikoi menjëherë si pjesë të anijeve romake, e quajtur ‘rostrum’. Metali ishte copëz e një mekanizmi më të madh, që përdorej nga anijet romake si dash në beteja për të shkatërruar anijet kundërshtare.

Dentisi i tha se metalin ja kishte dhënë një peshkatar, si formë pagese me një artefakt antik. Dentisti nuk e dinte domethënien e këtij zbulimi, ndërsa Tusa dyshoi se copa e bronzit mund të ishte mbetje e betejës së famshme të Agatëve, që ndodhi në vitin 241 para Erës Sonë mes flotës së Romës dhe të Kartagjenës.

Është beteja e vetme detare mes Romës e Kartagjenës e zhvilluar në ujërat siçiliane, pranë Trapanit dhe ajo ngjarje ishte fundi i Luftës së Parë Punike dhe fillimi i dominimit romak në Mesdhe, që do të zgjaste për thuajse 700 vjet.

Historianët shpresonin të kuptonin Betejën e Agatëve përmes rrëfimeve të historianëve antikë. Ata hamendësonin se çdo mbetje fizike nga ajo betejë mund të ishte zhdukur. E vërteta qëndronte ndryshe. Arkeologët thjesht nuk kishin kërkuar aq sa duhet dhe aty ku duhet.

Mundësia iu dha Sebastiano Tusas pas episodit te klinika e dentistit. Ai kontaktoi me peshkatarin që i kishte dhënë copën e bronzit dentistit dhe pasi mësoi koordinatat dhe vendin e saktë se ku ishte gjetur metali nisi një ekspeditë arkeologjike rreth Siçilisë me një sukses të pashembullt.

Ekipi i arkeologëve dhe zhytësve kanë nxjerrë deri më tani me dhjetra relike të anijeve, duke u mundësuar rindërtimin më të saktë të mundshëm të betejës së famshme.

“Asnjë betejë detare nga antikiteti nuk është e dokumentuar më mirë se sa kjo betejë”, thotë Ferdinando Maurici, arkeolog dhe drejtues në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore dhe Identitetit në Siçili, përgjegjëse për ruajtjen e artefakteve të zbuluara rreth Siçilisë.

Ngritja e Romës

Lufta e Parë Punike nisi në vitin 264 para Erës Sonë. Në dekadat pararendëse, Republika e Romës ishte zgjeruar në mënyrë agresivë dhe në këtë kohë kontrollonte thuajse të gjithë Gadishullin Italian. Por, Mesdheu kontrollohej nga Kartagjena.

Ajo kishte vendosur koloni që shtriheshin në Afrikën veriore, Spanjën Jugore, Sardenjë dhe kishte një rrjet të zhvilluar tregtar përmes flotës detare. “Ishte përfitimi ekonomik që e shtyu Kartagjenën që të eksploronte dhe pushtonte territore të reja dhe të ngrinte koloni të reja”, shpjegon Francesca Oliveri, historiane.

“Roma dhe Kartagjena ishin rivale për dominim në Mesdhe, një pellg plotë me burime dhe materiale që këto dy superfuqi të botës antike kërkonin t’i përvetësonin”, shton ajo.

Në vitin 264 para Erës Sonë, ky rivalitet nisi të shfaqej në Siçili. Pjesa perëndimore e ishullit kontrollohej nga Kartagjena prej shekujsh, ndërsa lindja ishte e pushtuar nga koloni greke. NJë grup i vogël mercenarësh, të njohur si Mamertines ishin të stacionuar në Messana (sot Mesina). Për shkak të përplasjeve të vazhdueshme me grekët e Sirakuzës ata kërkuan ndihmë si nga Kartagjena, ashtu edhe nga Roma. Ky ishte momenti që shkatërroi balancën delikate në rajon dhe nisi një luftë 23-vjeçare.

Roma kishte një ushtri më të përgatitur dhe më të fortë. Por, ata kishin luftuar vetëm në tokë. “Në fillim të ekspansionit, Roma nuk e pa të nevojshme ndërtimin e një flote detare dhe nuk ishte e përgatitur për luftën në det me Kartagjenën. Nga ana tjetër, kartagjenasit kishin një flotë të fuqishme tregtare që shndërrohej shpejt në një flotë ushtarake”, thotë Oliveri.

Për të dyja palët, arma kryesore në betejat detare ishte dashi ‘Rostrum’. Me peshë disa qindra kilogram, ata shkaktonin dëmë të mëdha anijeve që godisnin. Në disa raste, qëllimi ishte fundosja, në të tjera dashi përdorej si çengel që mbante anijen armike në vend deri kur në bordin e saj hipnin ushtarët që e merrnin nën kontroll.

Vitet e luftës ishin ekstremisht të kushtueshëm si për Romën, ashtu edhe për Kartagjenën. “Pati një kosto të lartë, si në terma njerëzore, ashtu edhe në terma ekonomikë. Në fazën e fundit, Roma u detyrua që të kërkonte hua nga familjet e pasura për të ndërtuar anije të reja”, sqaron Oliveri.

Beteja që i vuri kapakun luftës së parë punike ndodhi në ujërat rreth Ishujve Agatë në perëndim të brigjeve siçiliane. Romakët interceptuan anijet kartagjenase me ndihma jetike për trupat kartagjenase të rrethuara në Monte Erice. Kjo nuk i la rrugë tjetër ushtrisë së rraskapitur veçse të dorëzohej te romakët. “Dhe Siçilia përfundoi nën kontrollin e Romës”, thotë Oliveri.

Historiania shpjegon se shumë faktorë ndikuan në fitoren e romakëve, që nga forca dhe drejtimi i erës. Nëse rezultati do të ishte tjetër, historia do të ishte krejtësisht ndryshe. “Nëse do të fitonin kartagjenasit, Roma do të mbetej brenda gadishullit, ndërsa Kartagjena do të zgjeronte edhe më tej kolonitë e veta në Mesdhe, madje deri në Lindje në kufi me Perëndorinë Perse dhe në veri, ndoshta deri në Britani”, thotë Oliveri.

Për shekuj me radhë historianët që studionin këtë betejë bazoheshin te rrëfimet e shekullit të dytë para Erës Sontë të historianit grek Polibi. Fatkeqësisht, rrëfimet e tij janë të turbullta dhe pa detaje thelbësore se ku saktësisht u zhvillua beteja.

“Te këto shkrime citohen Ishujt Agatë, por nuk specifikonte vendndodhjen e saktë”, thotë Maurici.

Sipas gojëdhënave, beteja ka ndodhur pranë vendit të njohur si Cala Rossa në Favignana, një ishull shkëmbor, më i madhi i grupit të ishujve. Emrin e ka për shkak të ngjyrës së kuqe të shkëmbinjëve, që rrëfimet thonë se ishin për shkak të gjakut të ushtarëve kartagjenas që vdiqën në luftë. Në të vërteta, ngjyra e kuqe është prej algave dhe këto rrëfime janë të pabaza.

As Sebastiano Tosa nuk e besonte këtë variant dhe nga dentisti e peshkatari mësoi se dashi i bronzit ishte gjetur në brigjet e ishullit Levanzo, në veri të Favignanas.

Frymëzuar nga kjo gjetje, Tusa ndërmori misionin e kërkimit në Levanzo në fillim të viteve 2000. Jo vetëm që zbuluan artefakte pafund, por gjetën edhe rrënojat e anijeve që u fundosën në këtë betejë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë