Propozim i SI

Si do të ishte bota pa nuhatje

Aroma e  parfumit apo kundërmimi nga qesja e mbeturinave, pak rëndësi kishte. Tashmë hunda nuk ishte në gjendje të bënte dallimin. Temperatura ishte stabilizuar dhe të ftohtët nga ethet kishte lënë pas rrëke djersësh, duke marrë me vete nuhatjen.

Kishin lajmëruar mjekë e shkencëtarë, qysh në ditët e para të pandemisë se një nga simptomat që sjell virusi i ri tek ata që prek ishte pikërisht ajo që sapo më kishte kapluar.

Po kujt në stinë gripi a virozash apo edhe alergjish nuk i ka ndodhur t’i zbehet disi nuhatja, kur sinuset rrëmbushen nga mukozat?!

E megjithatë, asgjë e ngjashme me këtë ndjesi humbjeje. Që në shenjat e para të pafuqisë, shoqëruar me dhimbje muskujsh u izolova në shtëpi, por as temperatura që në rastin tim nuk i kaloi 37.7 gradë celsius nuk ma dha bindjen se isha prekur nga koronavirusi. Humbja e nuhatjes ishte ajo që më dha pohimin përfundimtar, në ditën e katërt apo të pestë të sëmundjes, që sipas shenjave ishte e lehtë në të moderuar.

Pas kësaj mësyu një ndjesi ankthi. Po sikur... nuhatja të mos kthehej më?

Nisa të testoj, nervoze, nëse kishte mbetur qoftë edhe një përqindje aftësi për të nuhatur.I hoqa tapën një shisheje alkooli dhe sado që mundohesha të nuhasja fort, veç një ndjesie gudulisje të lehtë në flegra, nuk kishte kurrfarë erëmimi. As ai parfumi që në raste të tjera më jepte dhimbje koke nga fragranca e fuqishme me përzierje lulesh ekzotike, nuk la asnjë gjurmë.

Hudhra e shtypur, ajo që unë e quaj aroma e zemrës së kuzhinës, dukej e pajetë, thuajse artificiale. Ai vaji esencial i eukaliptit, mendova, do ta çlirojë bllokimin e hundëve. As ai nuk bëri asnjë punë.

Me nuhatjen,  kishte ikur edhe shija. Nuk kishte ndryshim nëse kafshoja një mollë apo përtypja një mandarinë, nëse gjerbja supë apo haja një pjatë pasta... Uji nuk ndryshonte nga lëngu i frutave dhe çaji i malit ishte thjesht lëng me ngjyrë.

“Është njësoj si të kisha humbur të parët apo të dëgjuarit!” , iu ankova sime mëje, e cila besëtyte luajti nga vendi e më qortoi për krahasimin.

Më erdhi turp, pasi e dëgjova veten. Si mund të krahasohej drita e syve apo forca e tingullit, me shijen dhe nuhatjen?  Por prapë nuk mund t’i shpëtoja ngërthimit të  mendimit  se si do të qe jeta, nëse nga ky çast do të kisha humbur nuhatjen... Me të do të zhdukeshin sa e sa kujtime. A nuk  thonë se aromat ngacmojnë shpesh ngjarje të harruara?

Por edhe jeta e përditshme nuk mund të qe e njëjta, pa nuhatje. Po ndieja pendesë pse  vetëm pak ditë më parë, më përzihej nga aroma e gatimit apo nga zbutësi i rrobave.

Këto pyetje, gjeta që i kishte shtruar e shtjelluar një autor i huaj, në librin “Një botë pa nuhatje”.

Si shijon ushqimi pa aromat dhe si ta shmangësh ngrënien e ushqimit të keq? Si ta mbash veten, rrobat dhe shtëpinë të pastër nëse nuk ka aroma që të tregojnë se gjërat janë të pista?

Autori Lars Lundqvist rrëfen rreth jetës anosmike, sesi është të jetosh pa nuhatje, në një botë ku të gjithë rreth tij perceptojnë një dimension që për të nuk ka ekzistuar.

Anosmia është një gjendje e padukshme. E vëren shpejt kur dikush  është i verbër apo i shurdhër, por si ta vësh re që dikush është anosmik?  Nuk duket së jashtmi dhe as në mënyrën sesi anosmikët sillen. Një i tillë komunikon në të njëjtën mënyrë si të tjerët, ha të njëjtin ushqim dhe duket se funksionon si kushdo tjetër.

Ka dy lloje anosmie; e përftuar, që do të thotë se e humbet shqisën e nuhatjes në një pikë të jetës dhe e lindur, që do të thotë se lind pa shqisën. Autori në fjalë rrëfente se është një anosmik i lindur dhe e ka jetuar të gjithë jetën pa shqisën e të nuhaturit. Anosmia tek të prekurit, ndikon edhe në perceptimin e tyre për kohën e hapësirën, shkakton zemërim, frustrim dhe keqardhje tek ata.  Ja si e përshkruan gjendjen e tij, ai:

****

...Isha ulur me laptopin në prehër duke punuar, kur më shkrepi se ishte një ditë normale jave ku punoja nga shtëpia, përveç një aspekti. Gruaja ime nuk kishte ardhur nga puna dhe të thoshte diçka për ajër mbytës apo aromë të keqe në shtëpinë tonë. Mirë!

Çfarë? Nga erdhi kjo mirë?

Reagimi më habiti. Nuk kisha menduar se komentet rreth aromave do të më bezdisnin, por reagimi im më bëri të kuptoja se në fakt më shqetësonte, në një mënyrë që nuk e kisha kuptuar. Kështu nisa të analizoja gjëra që kishin ndodhur në të shkuarën, gjëra që ishin thënë gjatë viteve dhe sesi i kisha menaxhuar situatat e  ndryshme,  që përfshinin aromat.

Dhe befas kuptova se megjithëse im shoqe, fëmijët e mi, vëllezërit e motrat, prindërit, të gjithë pranë meje, e dinin se nuk kisha shqisën e të nuhaturit, ata nuk e dinin se ç’do të thoshte kjo. Ata nuk e kuptojnë pasojën e fundme të të jetuarit në një botë pa aroma dhe,  sesi unë nuk kuptoja asgjë rreth tyre.  Por ajo që më tronditi ishte kur e kuptova se as unë vetë nuk e kisha kuptuar këtë.  Rashë në dysheme, duke qarë.  Ishte pjesërisht për shkak se më në fund i pranova vetes se nuk kisha kuptuar vërtet asgjë  rreth nuhatjes, por ndoshta më shumë sepse kuptova se,  askush nuk mund ta kuptonte sesi ndihesh i përjashtuar nga një dimension i tërë i botës, që të gjithë të tjerët e përjetonin.

***

Rrëfimi i  Lundqvist-it veçse do të ma shtonte më shumë ankthin, se kjo përvojë mund të mos ishte thjesht kalimtare. Dhe kishin kaluar vetëm 24 orë nga humbja e nuhatjes dhe shijes...

Historia e këtij anosmiku suedez do të më ndërmende një personazh krejt të kundërt, edhe pse të trilluar. Jean-Baptiste Grenouille, vrasësi  dhe parfumieri  në librin “Parfumi”, të gjermanit Patrick Süskind. I lindur në Francën e shekullit të 18-të, Grenoulle kishte dhuntinë e jashtëzakonshme të të dalluarit të një game të gjerë aromash.

***

Në periudhën për të cilën flasim, në qytete mbretëronte një kutërbim, zor i rrokshëm për ne burrat dhe gratë moderne. Rrugët qelbeshin nga plehu, oborret me urinë, shkallët nga druri i kalbur dhe të pëgëra minjsh, kuzhinat me lakër të prishur dhe dhjam delesh; sallonet e paajruar me erën e pluhurit të ndenjur, dhomat e gjumit me çarçafë të yndyrshëm, dyshekë me pupla të lagësht dhe aroma shpuese e oturakëve. Kutërbimi i sulfurit ngrihej nga oxhakët, ai i lëndëve gërryese shtrihej nga fabrikat e lëkurëve dhe nga thertoret vinte kutërbimi i gjakut të ngrirë. Njerëzit kutërbonin djersë dhe rroba të palara; nga gojët dilte kutërbimi i dhëmbëve të prishur nga barqet ajo e qepëve dhe nga kurmet e tyre, nëse nuk ishin më aq të rinj, vinte kutërbimi i djathit të prishur dhe qumështit të thartuar dhe sëmundjeve tumorale. Lumenjtë qelbeshin erë, tregjet qelbeshin, kishat qelbeshin, qelbej pranë urave dhe në pallate. Fshatari qelbej si edhe prifti, çiraku si edhe e shoqja e mjeshtrit, e gjithë aristokracia qelbej, edhe mbreti vetë, qelbej si një luan i mykur dhe mbretëresha  si një dhi e vjetër, dimër dhe verë.  Sepse në shekullin e 18-të nuk kishte asgjë për të sprapsur bakteret  të zëna me dekompozimin dhe nuk kishte veprimtari njerëzore, qoftë ndërtuese apo shkatërrimtare, asnjë manifestim lulëzimi apo kalbje jete që nuk shoqërohej me kutërbim.

****

Romani eksploron shqisën e të nuhaturit dhe marrëdhënien me  kuptimet emocionale që ato mund të kenë.

Rikthimi tek faqet e librit më ndërmendi pisllëkun jo të Parisit të 1700, por atë të Napolit. Ishte vera e 2018-s, ku në mbrëmje vonë treni nga Roma na ndali në stacionin pranë sheshit “Garibaldi”. Temperaturat e larta e kishin theksuar edhe më kutërbimin e urinës në kalldrëmet e asaj lagjeje napoletane, që nga filmat e vjetër e kishim idealizuar. Ishte aq shpues sa kishte depërtuar edhe brenda dhomës që kishim marrë me qira, ku shtrojat dhe peshqirët kutërbonin gjithaq era urinë. Më shumë se bukuritë arkitekturore dhe ato natyrore të Capri-t apo Amaflit, ajo që nuk më shqitej për një kohë të gjatë ishte kutërbimi  dhe pisllëku, me kosha të tejmbushur plehrash, ndërsa vendasit ecnin të patrazuar, thuajse të privuar nga nuhatja.

A nuk thashë se aromat ngacmojnë kujtimet?  E thotë në fakt, shkenca.

Aroma është një thërrmijë kimike që pluskon në hundë e drejt gjëndrave nuhatëse të trurit, ku ndjesia përpunohet në atë formë që është e lexueshme për trurin. Qelizat e trurit, pastaj e transportojnë atë informacion në amigdalë,  ku emocionet përpunohen   dhe më pas drejt hipokampusit, ku ndodh formimi i të mësuarit dhe kujtesës.

Aromat janë të vetmet shqisa që udhëtojnë në një shteg kaq të drejtpërdrejt në qendrat emocionale dhe të kujtesës, në trup. Të tjerat udhëtojnë në talamus, që shërben si një central që mbledh informacion rreth gjërave që shohim, dëgjojmë e ndiejmë për pjesën tjetër të trurit, thotë John McGann, profesor i asociuar në departamentin e psikologjisë në Universitetin Rutgers, në Nju Xhersi. Por aromat e kapërcejnë talamusin dhe e arrijnë amigdalën dhe hipokampusin në një apo dy sinapse.

Rezultati është një lidhje intime mes emocioneve, kujtimeve dhe aromave. Ndaj edhe kujtimet e ngacmuara nga aromat, ndryshe nga shqisat e tjera “përjetohen si më emocionale dhe me jehuese”, thotë Rachel Herz,  asistente profesore e psikiatrisë dhe sjelljes njerëzore në Universitetin Brown, në Rhode Island dhe autore e librit “Aroma e Dëshirës”.

Një aromë e njohur, por e harruar prej kohësh, mund edhe t’i përlotë njerëzit, shton ajo.

Në një kërkim të botuar në korrik,   me 55 pacientë me Covid-19,   që kishin përjetuar probleme me nuhatjen. Shumica raportuan se nuhatja u rikthye apo përmirësua   katër javë më pas, por rreth 11 përqind raportuan se simptomat ose nuk ishin përmirësuar, ose ishin përkeqësuar.

Nëse do t’ju duhej të  hiqnit dorë nga një prej shijeve, cilën do të zgjidhnit? Shikimin, dëgjimin? Prekjen? Por nëse zgjedhja do  të ishte mes nuhatjes dhe shijes, cilëndo të zgjidhnit?,  pyet një dokumentar i National Geographic. Nëse do të mendonit se në botën moderne, që jepet gjithnjë e më shumë pas teknologjisë dhe virtualitetit, mund të bënit pa  aromat... Në fakt, sipas kërkimeve shkencore rreth 80 përqind e shijes, përbëhet në fakt nga nuhatja.

Imagjinoni të zgjoheni në mëngjes...me sytë e mbyllur të mund të perceptoni botën jashtë përmes tingujve, por të jeni të privuar nga aroma e kafes, edhe pse avujt mund të kenë fluturuar deri tek flegrat tuaja apo të mos ndieni dhe shijoni atë bukën e ngrohtë që sapo ka dalë nga furra.

Është vetëm dita e dytë pa nuhatje dhe e ndiej sikur kam humbur një pjesë të madhe të kuptimit të vetes dhe të botës. Me ankthin se nuk do të kthehet, por më shumë me shpresë se pas disa ditësh gjithçka do të jetë si më parë, mendoj që kujdesi nuk do të jetë i tepërt, qoftë edhe për t’i kursyer vetes privimin nga shija dhe nuhatja. /S.Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë