Histori

Si dhe pse u ngulën shqiptarët ortodoksë në Ukrainë… dhe një predikim në shqip i Nolit në Odesa

200-300 vjet më parë ishin jo të paktë shqiptarët që emigruan në Ukrainë. Në atë periudhë në pjesë të ndryshme të Ballkanit dhe në Shqipëri sundonte Perandoria Osmane dhe kryesisht shqiptarët ortodoksë ishin nën trysni. Destabiliteti në vend bëri që shumë shqiptarë ortodoksë toskë nga Korça, Përmeti e Kolonja të merrnin udhën e emigrimit e të shpërnguleshin drejt viseve ku mendonin se ishin më të qetë. Shqiptarët fillimisht do të vendoseshin në veri të Odesës, në Ukrainën e sotme. Në afërsi të këtij qyteti dhe në pjesën lindore të Gadishullit të Krimesë, në bregdetin e Detit Azov, ata gjenden sot e kësaj dite, duke ruajtur fort zakonet, veshjet dhe gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe vijon të ruhet edhe në këto fshatra ku gjenden shqiptarë si, Karakurt (Zhovtnjovoje), Taz (Devneskoje), Tyshki (Gjeorgjevka) dhe Xhandran (Gamovra).

Fshatrat ku gjenden shqiptarët në Ukrainë

Sipas historianit Marenglen Verli, jo rastësisht shqiptarët do të shkonin atje, pasi në Moldavi, në kufi me Ukrainën, kishte princa shqiptarë.

“Popullsia që u vendos atje ka qenë e gjitha e përkatësisë ortodokse dhe kur Perandoria Osmane pësonte pas lufte goditje si të thuash siç ndodhte me Austrinë dikur, siç ndodhi me Rusinë në rastin konkret, atëherë mbi këtë popullsi trysnia ishte e tillë që ato shpërnguleshin”, shprehet historiani Marenglen Verli për Gazetën “Si”.

Verli thotë se shqiptarët i kanë nisur këto ngujime apo largime nga fundi i shekullit 17-të dhe në fillim të shekullit 18-të.

“Koha e vendosjes në viset jugore të Ukrainës të shqiptarëve që i gjejmë deri në fund të shekullit të kaluar dhe deri në ditët tona, në afërsi të Odesës dhe në pjesën lindore të Gadishullit të Krimesë, në bregdetin e detit Azov duhet të jenë përgjithësisht pak më të vona. Këto duhet të jenë të periudhës kur në Rusi sundonte Katerina e Dytë, d.m.th, në gjysmën e dytë të shek. 18”, shprehet historiani Verli për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “largimet lidhen me kohën kur mbas konflikteve të armatosura ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë Osmane, e para arriti të shtojë territore, të cilat ia shkëputi Perandorisë Osmane. Ndërkohë kishte konflikte ushtarake që  ndodhnin në viset shqiptare ku jorastësisht u gjallëruan dhe morën formë dy pashallëqet e mëdha, ai i Shkodrës dhe Janinës”.

Historiani Marenglen Verli

Sipas Verlit, shkak që shqiptarët të largoheshin nga Shqipëria ishte destabiliteti në vendin tonë gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.

“Konfliktet dhe mungesa e stabilitetit në zonat e juglindjes bënë që të largoheshin shumë familje dhe të vendosurit në këto zona mbajnë kujtime që i takojnë kësaj zone të Shqipërisë Juglindore që shtrihet në rajonin midis Korçës, Përmetit, Janinës e rreth e qark. Të kësaj treve janë kryesisht me sa duket të vendosurit e gjysmës së dytë të shekullit të 18-të në Ukrainë, bëhet fjalë për vitet 1770-1780, kur ndodhin këto ngjarje që përmenda, qoftë konflikti ruso-turk, qoftë destabiliteti në këto zona shqiptare”, shprehet historiani Verli për Gazetën “Si”.

Edhe historiani Dorian Koçi thotë për Gazetën “Si” se në mes të shekullit 19-të drejt Odesës pati një valë emigrimi nga ortodoksët e Shqipërisë, kryesisht nga Korça, Përmeti e Kolonja.    

“Shqiptarët ishin vendosur që në fillimet e themelimit të qytetit, ku shërbenin si mercenarë dhe tregtarë të vegjël, të njohur si me emrin arnautë. Në mes të shekullit të XIX, drejt Odesës pati një rrymë emigrimi nga shqiptarë ortodoksë nga Korça, Përmeti e Kolonja”, thotë Koçi ndërsa shton se “në atë kohë, qyteti i Odesës ishte një qytet kozmopolit ku gjendeshin të gjitha popullsitë”.

Historiani Dorjan Koçi

Verli thotë se fillimisht ata ishin të pastabilizaur duke zënë vend kryesisht në rajone agrare.

“Në territoret ku ato u vendosën, kryesisht ata të shekullit të 18-të, ndoshta ishin të pastabilizuar me tokat, d.m.th kishin zënë vend në rajone agrare. Dhe një pjesë relativisht e vogël më vonë më vonë konstatohet edhe në qytetin e Odesës”.

Edhe pse numri i shqiptarëve që jetojnë në Ukrainë thuhet se arrin në 5000 veta, Verli thotë se numri nuk mund të thuhet sot me saktësi.

“Gjithsesi nuk duhet të ketë qenë dhe shumë i vogël sepse në fillim të shekullit 19-të ka pasur fluks”.

Sipas Verlit, në këtë kohë përveç fshatrave shqiptarë si fshati Karakurt, apo 3 fshatra të tjerë si: Taz sot Devnenskoje, Tyshki, sot Gjeorgjevka, Xhandran sot Gamovra, kishte shqiptarë edhe në qytetin e Odesës. Verli shpjegon më tej se në fillim të viteve 1990, emrat e këtyre vendbanimeve filluan të sllavizoheshin.

“Rreth vitit 1953 studiues shqiptarë që kanë shkuar në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe, i gjetën këto fshatra ku vazhdonte të ruhej gjuha shqipe. Nga studiues që kanë shkuar atje, mendohet të jenë 7 fshatra”.

Siç shpjegon historiani Koçi, edhe “publicisti Fan Noli në 1911 predikoi shqip në Odesë në Kishën e Trinitisë së Shenjtë ose Shën Triadhës. Ajo ndodhej mes pazarit dhe rrugës Arnauti i Madh në Ekaterinskaya 67”.

Koçi thotë më tej për Gazetën “Si” se në vitet 1823-1824, aty ishte i internuar edhe shkrimtari i madh rus, Pushkin, që do të shkruante se “ajri është i mbushur me Europë”.

“Në qytetin e Odesës ka dy rrugë, Arnauti i vogël dhe Arnauti i madh, të cilat sot quhen Ulica albanske dhe që dëshmojnë praninë shqiptare në këtë qendër të madhe urbane”, vijon më tej Koçi.

Verli ndan edhe një detaj tjetër për pakicat shqiptare ku thotë se në ushtrinë ruse kishte edhe nga shqiptarët e vendosur atje.

“Një pjesë e ushtrisë ruse kishte luftëtarë shqiptarë nga këta të vendosur në zonën e Ukrainës, ashtu siç kishte të tillë edhe në Perandorinë Osmane”.

Duke qenë se koha e shpërnguljes ka qenë jo e largët dhe territori nga ishin rekrutuar ishte i njëjtë, historiani Verli shprehet se “ndoshta edhe njiheshin si banorë të këtij apo atij fshati, të zonës së Shqipërisë Juglindore edhe kanë ruajtur njëri-tjetrin”.

Tashmë shqiptarët e Ukrainës janë kthyer sërish në emigrantë, e ndërsa para 200-300 vitesh u larguan nga Shqipëria për shkak të destabilitetit, tani një pjesë e tyre po largohen nga Ukraina (si miliona ukrainas) për shkak të luftës. Disa prej tyre janë kthyer edhe në atdheun e tyre të parë, në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë