Politike

Shtyrja pa afate e negociatave, përfundimisht ngelëm në vjeshtë

Negociatat nuk ishin qëllimi kryesor i samitit të Berlinit dhe këtë e bëri të qartë Angela Merkel kur tha se vendimi për hapjen ose jo të tyre me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është në dorën e Gjermanisë, por në dorën e Këshillit Europian.

Por, megjithëse Angela Merkel iu shmang një përgjigjeje të drejtpërdrejtë kësaj teme nga Berlini u përhap lajmi se të paktën për Shqipërinë, vendimi do të shtyhej për në vjeshtë. Lajmin e parë e dha Deutsche Welle, zëri zyrtar i Gjermanisë.

DW deklaronte se nga qarqet politike pranë CDU-së, partisë së Angela Merkel afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të KE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për arsye teknike për të marrë një vendim për çeljen e negociatave, ndaj burime nga CDU/CSU i thanë DW-së vendimi i tyre do të shtyhet në shtator.

Lajmi u mor dhe u pasqyrua në mediat shqiptare. Në një pjesë të tyre kjo u interpretua si një tjetër shtyrje, ndërsa nga opozita flisnin për refuzimin e radhës ndaj qeverisë “Rama”, që e akuzon për lidhje me krimin.

Edhe vetë Edi Rama arsyet e shtyrjes i gjen teknike. “Ka vetëm një detaj, që lidhet me procesin e brendshëm të Bundestagut që duhet ta shqyrtojë çështjen bazuar në raportin e Komisionit”, deklaroi ai në një intervistë për Top Channel.

Ky detaj teknik ndryshoi edhe afatet kohore të shqiptuara nga Edi Rama, duke i çuar ato deri në dhjetor.

“Kush thotë që u mbyllën dyert për negociatat, apo që Shqipëria nuk do t’i çelë zyrtarisht negociatat këtë vit, thjesht thotë atë që dëshiron. Fatkeqësisht, njerëz të dëshpëruar, të cilët duan patjetër dështimin e Shqipërisë, ashtu siç edhe duan dështimin e dialogut me Serbisë dhe Kosovës nga ana tjetër, por që me siguri gabojnë dhe duke i mishëruar u them të gjithëve që Shqipëria nuk do të dështojë dhe ne do t’ia dalim” thotë ai.

Pas 28 qershorit të 2018 Edi Rama fliste me bindje të plotë se qershorin e 2019 hapeshin negociatat. Bindja u lëkund edhe për shkak të kontureve të brendshme të vetë Bashkimit Europian, pasi koha e vendimit përkon me zgjedhjet parlamentare, ku forcat tradicionale prozgjerimit janë nën presionin e vazhdueshëm të populistëve në rritje.

Këtë e di mirë Presidenti francez, Emanuel Macron, që gjatë samitit të Berlinit u tregua me i drejtpërdrejtë se Kancelarja Merkel. Ai kërkoi që të mos flitej për zgjerimin para zgjedhjeve, ndaj në fund u ra dakord që të mos binin dakord përmes një deklarate që veç muzikës së zakonshme të BE-së për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, nuk përmban asgjë tjetër.

https://twitter.com/ediramaal/status/1123168931932528640

Rama u tregua i përmbajtur në gjuhën kundër BE-së, por jo kundër mediave në Shqipëri.

“I mahnitur nga kazanët e nga ligësitë e të dëshpëruarve që duan me patjetër dështimin e Shqipërisë dhe dështimin me çdo kusht të procesit të dialogut Kosovë/Serbi gjithashtu! Por, Shqipëria s'do të dështojë kurrësesi dhe dialogu do vazhdojë pa kushte e as paragjykime nga askush”, deklaronte Kryeministri.

Pra, afati i pranuar tashmë edhe nga Kryeministri nuk është as shtatori, por dhjetori. Por, as në vjeshtë nuk mund të merret si i mirëqënë vendimi pozitiv. Në mes janë zgjedhjet për Parlamentin Europian. Populistët majtas e djathtas janë forcuar ndjeshëm, e po ashtu edhe forcat anti-europiane. Kjo do të reflektohet me shumë gjasa edhe në përbërjen e Parlamentit të ri, megjithëse mazhoranca prozgjerimit pritet që të konfirmohet sërish.

Një tjetër sinjal se shtatori nuk duhet marrë si fakt i kryer i hapjes së negociatave mbërrin nga Gjermania dhe pikërisht nga grupi parlamentar i Angela Merkel.

“Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet”, deklaroi për DW, Johann Wadephul, nënkrytar i grupit parlamentar CDU/CSU.

Nga qershori në qershor

Këshilli Europian do të mblidhet në fund të muajit qershor për të vendosur mbi rekomandimin e Komisionit Europian. Ky i fundit e ka dhënë njëherë propozimin pozitiv se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave në maj të vitit të kaluar dhe pritet që të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë vit.

Më 28 qershor të 2018, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian shqyrtuan propozimin. Në fund, vendimi i marrë ishte një rrugë e mesme mes bllokimit dhe hapjes së negociatave. Bllokimi kërcënohej nga Holanda, Danimarka dhe Franca. Nën presionin e vendeve të tjera që ishin pro hapjes së tyre, dokumenti fillestar fliste edhe për hapje negociatash, edhe për shtyrje të tyre. Në deklaratë njihej progresi që kishte bërë Shqipëria, por njihej gjithashtu se ky progres ishte i pamjaftueshëm, ndaj si afat u caktua fundi i qershorit 2019.

Dyzimi në formulimin e vendimit të Këshillit Europian shkaktoi pështjellim. Edi Rama deklaronte se vendi ynë kishte marrë një datë konkrete.

“Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE, Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar! Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë! Një betejë tejet e vështirë u fitua lufta vijon!”, shkruante Rama në Facebook.

Po përmes rrjeteve sociale reagoi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai fliste për shtyrje të tyre dhe si shkak shihte krimin dhe korrupsionin të lidhur me qeverinë.

“Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit. Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot. Tani është momenti për një kthesë të madhe për të shpëtuar vendin dhe të ardhmen tonë europiane”, deklaronte Basha.

Ditmir Bushati, në ato ditë ministër i Jashtëm ishte i vetëdijshëm se vendimi i Këshillit Europian mund të interpretohej sipas kendvështrimit dhe interesave të ditës të politikës.

“Leximi ynë është si vijon: A. Këshilli i është përgjigjur pozitivisht rekomandimit të Komisionit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. B. Ka përcaktuar një kalendar, një kuadër kohor deri në qershor 2019. C. I ka kërkuar Komisionit Europian një punë ndërvepruese me Shqipërinë dhe ofrimin e instrumenteve, siç është dhe procesi i “screening”, apo i punës analitike që pritet të nisë, besoj që në javët e korrikut mes Shqipërisë dhe Komisionit Europian”, deklaronte ai në një intervistë të asaj kohe.

Pak javë më vonë mbërrinte në Tiranë Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, i cili gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama kërkonte fillimin sa më parë të punës përgatitore.

Qershori erdhi dhe në tryezë sërish nuk është vetëm hapja e negociatave me Shqipërinë, por edhe me Maqedoninë e Veriut. Deri para marrëveshjes së Prespës për çështjen e emrit me Greqinë, mundësitë që Shkupit t’i çelej drita jeshile konsideroheshin më të vogla se ato të Shqipërisë. Por, pas kësaj marrëveshjeje, Maqedonia e Veriut shihet një hap përpara. Kryeministri Zoran Zaev mendon se vendi i tij i stërmeriton negociatat, ndaj gjatë samitit të Berlinit kërcënoi me dorëheqje. Testi i fundit për vendin e tij janë zgjedhjet presidenciale dhe nëse edhe ky test kalohet me sukses, atëherë Zaev nuk pret as më pak dhe as më shumë përveç hapjes së negociatave që në qershor.

Pyetja që ngrihet është nëse nga “shantazhi” i Zaev me dorëheqje do të përfitojë edhe Shqipëria, apo që të dyja vendet do të përcillen me lajkat e përhershme për në vjeshtë? Tre janë mundësitë. E para që procesi të ndahet, pra Maqedonisë t’i hapen negociatat në qershor dhe Shqipërisë t’i shtohen për në vjeshtë. Skenari i dytë është hapja e negociatave për të dyja vendet që në qershor dhe skenari i treti shtyrja e negociatave si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut në vjeshtë.

Skenari i parë do të rrëzonte alibinë teknike të mungesës së kohës së Bundestagut për të shqyrtuar raportin e Komisionit Europian. I dyti, ka pak gjasa që të ndodhë, të paktën nisur edhe nga sinjalet e përcjella përmes deklaratave të lëshuara nga Macron dhe Merkel në samitin e fundit. Skenari i treti, pra ai që shtyn hapjen e negociatave për në vjeshtë, e ndoshta edhe përtej saj, konsiderohet si më i realizueshmi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë