Politike

Wadephul i CDU/CSU “rrëzon” Ramën: Vendimi për negociatat në shtator

Bundestagu gjerman do të japë vendimin për negociatat me Shqipërinë në muajin Shtator dhe jo në Qershor. Ky është qëndrimi i mbajtur nga nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul i dhënë nëpërmjet një interviste ekskluzive për Deutche Welle. Zyrtari i partisë së kancelares Merkel ka folur pas takimit që pati në Berlin me kryeministrin Edi Rama, duke bërë të qartë se vendimi për Shqipërinë nuk do të merret në fund të muajit të ardhshëm, por do të pritet pas zgjedhjeve europiane.
“Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t'i organizojmë konsultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel evropian”, deklaroi Wadephul.
Gjithashtu ai u shpreh i rezervuar nëse Shqipëria i ka përmbushur kushtet ose jo, pasi më parë duhet pritur raporti zyrtar i Komisionit të BE-së. “Unë këtë nuk e njoh. Duhet ta lexoj dhe të shoh situatën në vend. Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet”, thekson ai për DW-en.


Wadephul duke folur për DW

Një ditë më parë Wadephul zhvilloi një takim në Berlin me kryeministrin Edi Rama, kjo në kuadër të lobimit që po ndërmerr Tirana zyrtare për të bindur të lëkundurit si partia e djathtë CDU për të votuar pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.
“Dy takime shumë pozitive mbi Shqipërinë me kryetaren e SPD, Andrea Nahles, dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU, Johann Wadephul. Mesazh i qartë: Shqipëria meriton njohjen e arritjeve të derikëtushme, përmes çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim”, do të shkruante Rama në Twitter pas takimit.
Ndërsa në një postim të më vonë do të sulmonte të gjithë ato media që po rrëzojnë sipas tij dhënien pozitive të vendimit për çeljen e negociatave, duke iu rikthyer etiketimit të medias. “I mahnitur nga kazanët e nga ligësitë e të dëshpëruarve që duan me patjetër dështimin e Shqipërisë dhe dështimin me çdo kusht të procesit të dialogut Kosovë/Serbi gjithashtu! Por Shqipëria s'do të dështojë kurrsesi dhe dialogu do vazhdojë pa kushte e as paragjykime nga askush”, do të shkruante kryeministri.


CDU edhe kundër qëndrimeve të Bashës
Zyrtari i CDU-së gjithashtu ka qenë tejet kritik për linjën që po mban Partia Demokratike në raport me krizën politike që u agravua pas dorëzimit të mandateve dhe braktisjes së jetës institucionale parlamentare. Ai u bën thirrje lidershipit të PD-së që të arrijnë kompromise.
“Zgjidhje ka gjithmonë. Zhvillimi aktual është i keq. Është problematike që PD-ja nuk mund të marrë pjesë në parlament me deputetët që janë zgjedhur në të vërtetë. Dikur ajo duhet të guxojë një fillim të ri. Unë besoj se është e rëndësishme që Shqipëria të gjejë veten. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë”, thekson Wadephul.
Ndërsa ka një mesazh të qartë në drejtim të partisë simotër në Shqipërisë, PD-së që të mos mbyllet një herë e përgjithmonë, duke e ftuar të marrë pjesë në zgjedhje.
“Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha, janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci”, thekson zv.kryetari i grupit parlamentar CDU/CSU.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë