Mendim

“Pse shtyhen negociatat”

Samiti i Berlinit konfirmoi frikën e shumë ekspertëve në Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut se BE-ja nuk është ende gati për të folur për zgjerimin. Ndërkohë që kancelarja Angela Merkel kishte mbledhur liderët e Ballkanit, qarqet diplomatike nga Berlini konfirmuan se vendimi për hapjen e negociatat pritet të shtyhet. Siç mësoi DW nga qarqet politike pranë CDU-së, afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU thanë vendimi i tyre do të shtyhet në shtator.

Nga ana tjetër, Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Fushata për zgjedhjet e Parlamentit Evropian më 23-26 maj ofron një mundësi për diskutimin e
problemeve kryesore brenda unionit. Megjithatë, çështja e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është mbajtur larg rendit të ditës. Siç tha edhe presidenti Macron, Brukseli është fokusuar tanimë në tema të tjera ndërkohë që partitë kryesore dhe ato euroskeptike nuk janë entuziaste për zgjerimin dhe anëtarësimin e Tiranës dhe Shkupit. Ky qendrim duket se ka bërë që kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të shprehet i gatshëm të dorëhiqet nga detyra nëse vendit të tij nuk i hapen negociatat me BE-në në qershor.

Në një analizë të gjatë, Shkolla e Londrës për Ekonominë dhe Politikën (LSE) shkruan se procesi i zgjerimit ka të ngjarë të ngadalësohet. Sipas institutit të njohur kjo është edhe arsyeja përse publikimi i raporteve vjetore të Komisionit Europian mbi progresin e vendeve kandidate është vonuar që nga data e zakonshme në prill deri në fund të majit.

Angela Merkel dhe Zoran Zaev

Fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian tashmë ka filluar, dhe jo çuditërisht, çështja e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, nuk është përmendur fare. Me ngërçin e Brexit dhe një sërë çështjesh të tjera të ngutshme, zgjerimi nuk është prioritet dhe do të mbetet mënjanë, të paktën derisa të formohen parlamenti dhe Komision i ri Europian. Ashtu si thonë burimet diplomatike në Berlin, tema e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka të ngjarë të shtyhet për në shtator.

Qendrimi i Macron nuk është rastësi, pasi zgjerimi nuk është një temë popullore në mesin e publikut europian. Sipas një sondazhi të YouGov, i cili ka shqyrtuar qëndrimet ndaj zgjerimit në gjashtë shtete anëtare të BE-së (Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Suedi dhe Britani të Madhe), shumica e qytetaëve që besojnë se anëtarësimi i Rumanisë në BE ishte një gabim. Anëtarësimi i gjashtë kandidatëve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipërisë, po ashtu shihet me skepticizëm nga publiku në vendet e anketuara.

“Duke u bazuar në këto tendenca në opinionin publik, partitë euroskeptike dhe populiste e kanë gjithnjë e më të lehtë të përdorin 'kërcënimin' që vjen nga zgjerimi në retorikën e tyre kundër BE-së. Për këtë arsye, tema ka gjasa të anashkalohet gjatë kohëzgjatjes së fushatës, si nga partitë kryesore, ashtu edhe nga institucionet e BE-s”, shkruan LSE.

Shumica e partive euro-sekceptike dhe populiste janë kundër zgjerimit të BE-së, por nuk mbajnë një qëndrim të unifikuar për çështje të tjera të politikës së jashtme duke përfshirë njohjen e Kosovës. Po ashtu, partitë si Vëllezërit e Italisë kanë një qëndrim të rreptë kundër pranimit të vendeve ku popullsia është kryesisht myslimane, përfshirë edhe Shqipërinë.

Rumania, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, tha se planifikon të përqendrohet tek negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vetëm pas zgjedhjeve europiane. Po pas zgjedhjeve, kur Finlanda merr përsipër presidencën në korrik, Bashkimi Europian do të jetë tepër i preokupuar me formimin e institucioneve të reja dhe finalizimin (e mundshëm) të procesit të Brexit-it. Procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor pritet të ringjallet plotësisht vetëm kur Kroacia, vetë shteti më i ri anëtar i BE-së të marrë përsipër në vitin 2020.

Si mund të ndikojë Parlamenti i ri Europian në procesin e pranimit?

Edhe pse është Komisioni Europian ai që zhvillon negociatat e pranimit dhe monitoron përmbushjen e kritereve të vendeve kandidatëve, Parlamenti Europian gjithashtu luan një rol kyç, pasi në fund ai do duhet t'i japë dritën jeshile vendve të rajonit.

Emmanuel Macron

Sipas sondazheve të tanishme, parashikohet që Parlamenti i ri të jetë më i fragmentuar, pasi grupet kryesore të djathta, Partia Popullore Europiane (PPE) dhe Socialistët dhe Demokratët përballen me humbje të konsiderueshme.

PPE-ja, e cila me gjasë do të fitojë shumicën më të madhe të vendeve, thotë se mbështet "perspektivën konkrete europiane të Ballkanit Perëndimor" dhe se ndihmon vendet e rajonit të arrijnë përparim në sundimin e ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit ". Partia më e madhe e PPE-së, CDU-ja përkrah Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e tyre drejt BE-së por është kundër çdo zgjerimi deri në vitin 2024.

Edhe Partia “En Marche” e Presidentit francez Emmanuel Macron ka kërkuar vazhdimisht reforma të mëtejshme përpara pranimit të anëtarëve të rinj, duke përjashtuar në mënyrë eksplicite mundësinë e çdo pranimi para 2025.

Në samitin e ardhshëm të Këshillit të Europës në qershor, krerët e BE-së do të vendosin njëzëri për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pas Marrëveshjes së Prespës, tani ka një qëndrim më pozitiv ndaj pranimit të Maqedonisë Veriore. Megjithatë, partitë qeverisëse në Francë dhe Gjermani nuk e mbështesin zgjerimin në periudhë afatshkurtër dhe ka sugjerime se Franca ende po heziton të japë dritën jeshile.

Por sipas LSE-së, nëse samiti i qershorit dështon, BE-ja do të rrezikonte të humbte ndikimin mbi rajon, sidomos mbi dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

“Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor do të marrë kohë, në varësi të përbërjes dhe udhëheqësve të ardhshëm të Komisionit Europian, nga i cili do të zgjidhet edhe Komisioneri i ardhshëm për Zgjerimin dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë. Në përgjithësi, nuk ka gjasa që institucionet e reja të BE-së të ndryshojnë rrënjësisht qasjen e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor. BE-ja do të mbajë një nivel të caktuar angazhimi, por procesi ka të ngjarë të ngadalësohet”, thotë LSE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë