Politike

Vendimi për negociatat shkakton pështjellim

Vendimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë ka shkaktuar jo pak pështjellim.

“Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua! Lufta vijon”, deklaroi përmes rrjeteve sociale, Kryeministri Edi Rama.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e lexojnë deklaratën e përbashkët të takimit të kryediplomatëve europianë si refuzim të pastër të Brukselit për të negociuar anëtarësimin me një qeveri të lidhur me krimin.

“Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit. Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot. Tani është momenti për një kthesë të madhe për të shpëtuar vendin dhe të ardhmen tonë europiane”, thotë Lulzim Basha.

“Ata (europianët) nuk mund të pranojnë një qeveri që ka zgjedhur që të ketë partner krimin”, deklaroi nga LSI, Luan Rama.

Qasja e ndërkombëtarëve është më e ekuilibruar dhe diplomatike.

“Rrugëtimi drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në qershor të vitit 2019 është i qartë. Një sinjal kyç ky për rajonin se progresi i bërë shpërblehet, sikurse është edhe vendimtar për besueshmërinë e vet BE-së”, shkroi në rrjetet sociale, Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn.

Në Tiranë, ambasada amerikane reagoi një ditë më vonë.

“Përgëzojmë Shqipërinë për vendimin pozitiv në lidhje me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Shqipëria ka bërë përparim domethënës dhe tani nevojitet të rrisë përpjekjet për të përfunduar reformat kyçe. Ne e nxisim Shqipërinë që të rrisë ritmin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar”, thotë ajo përmes një deklarate të shkurtër.

Edhe mediat ndërkombëtare ka qenë të paqarta në lidhje me vendimin. “BE shtyn bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, shkruan EU Observer, ndërsa DW flet për hapje negociatash në artikullin e titulluar “BE do të nisë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, ku në brendësi të tij flet për afatet. Radio Europa e Lirë gjen një rrugë të mesme. “Ministrat e BE-së tregohen të përmbajtur, por japin dritën jeshile”, titullon ajo artikullin në versionin e vet online, ndërsa e njëjta paqartësi e mediave ndërkombëtare u pasqyrua edhe në mediat shqiptare.

Sa për afatet, në skenarin më optimist, Shqipëria pritet që të ulet në tryezë me Bashkimin Europian në fund të vitit 2019, gjithmonë nëse në qershorin e ardhshëm nuk do të ketë një surprizë të pakendshme, nisur nga fakti që në maj në vendet anëtare do të votohet për Parlamentin e ri Europian.

Sondazhet, por edhe rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme në shumë shtete të bllokut sugjerojnë një rritje të ndjeshme të ekstremistëve dhe euroskeptikëve në këtë institucion, çka do të sfidonte jo vetëm strategjinë e zgjerimit, por edhe vetë ekzistencën e BE-së në formën aktuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë