Vende dhe Udhetime

Shtish-Tufina, fshati i pushimit të bagëtive

Origjina e emrit të fshatit dhe historiku

Të gjithë e njohin si një nga dy varrezat e Tiranës, qysh kur në vitin 1957, atje u varros “tironsi” i parë, burrë i familjes së mirënjohur Bakalli. Bëhet fjalë për fshatin Shtish-Tufinë emri i të cilit lidhet me dy lagjet kryesore të tij.

Por cila është në fakt origjina e emrit të fshatit sipas gojëdhënave apo legjendave urbane?

Sipas banorëve të zonës, Shtish e ka marrë këtë emër, se dikur një banor nga veriu me emrin Tish, i larguar nga vendi i tij, ku kishte rënë një sëmundje shfarosëse e ngriti aty pranë shtëpisë dhe ruajti e shtoi familjen e tij.

Vendi u quajt shtëpia e Tishit, që më vonë u rrit dhe u bë lagje, duke u thirrur shkurt Shtish. Por emri mund të vijë edhe nga thika me majë, që quhet shish e që përdorej për therrjen e bagëtive aty.

Shtëpi në Shtish-Tufinë

I gjithë territori i asaj varreze është nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Pasi lë majtas varrezat, ngjitesh rrugës përpjetë, kalon kodrën e shtufit djathtas, që mban mbi vete një antenë televizive dhe pas një muri të gjatë me blloqe betoni, të hapet përpara rruga me ndriçim e pamje piktoreske e lagjes Tufinë, e grykës së Tujanit dhe mali i Dajtit.

Lagjia Tufinë quhet ashtu se aty grumbulloheshin tufat e bagëtive për një pushim të shkurtër para se të zbrisnin në fushat e Tiranës, ose para kthimit të tyre në kullotat malore, gjatë shtegtimeve të përvitshme. Kështu, fshati kur u rrit u quajt Shtish-Tufinë. Edhe lagjia Shima është aty pranë. Kështu, në fshat mund të përmendim fiset Shima, Qefalitë dhe Zeqirët si më të vjetrit, e midis tyre fiset Barami, Hasmeta, Kurti, Milla, Lala, Shtishi, Doka, Qafëmolla etj.

Në analet zyrtare osmane, në vitin 1431, ky fshat përmendet me emrin Duginë dhe thuhet se kishte nëntë shtëpi me më shumë se një kurorë, kurse 150 vjet më vonë, më 1583 kishte mbetur me katër shtëpi.

Për shkak të vendit të kufizuar nuk ka qenë i populluar shumë, nuk ka pasur kishë, ndërsa banorët aty përdornin si të tillë kishën e Tujanit, që atëherë ishte i madh si fshat. Në vitin 1990 kishte rreth 30 shtëpi, kurse sot janë rreth 50 shtëpi prej të cilave shumë janë të reja, të riparuara ose të përshtatura, të cilat shtohen në mënyrë të natyrshme dhe nga të ardhurit aty, pa përmendur se ka shumë të larguar. Nga qendra e Tiranës deri në qendër të fshatit mund të arrish për 15-20 minuta, aty ku kanë qenë zyrat e kooperativës dhe aty ku sot është bar-kafja e Çimit.

Shkolla e ndërtuar në vitin 1967, sot shkollë 9-vjeçare e riparuar, që ka pasur emrin “Dëshmorët e Tujanit” ka të paktën 200 nxënës në të gjithë klasat. Në sallon disa stenda të njohin me historikun e shkollës në fshat që nga viti 1916, viti 1924 dhe konsolidimi në vitin 1946. Aty ishin emrat e nxënësve të parë, të gjithë meshkuj, midis të cilëve pesë djem të fisit Liçi, dy të fisit Deliu, e pastaj të fiseve të tjera të njohura në fshat, si: Qefalia, Jusufi, Bami, Lala, Kurti etj.

Xhami në Shtish-Tufinë

Pranë xhamisë është një varrezë e vogël, me pak varre. Përveç varrezës pranë xhamisë dhe asaj pranë familjes të madhe të “Qafëmollave” ose të ndonjë varri individual, fshati ka edhe varrezën e tij të përqendruar. Ajo ndodhet aty në rrugën e hyrjes, djathtas, që nuk bie në sy, por që është në një pjerrësi të bukur që shikon nga lindja, ku varret janë të grupuara sipas fiseve.

Në qendër të fshatit ngrihet një lapidar ceremonial jo i vogël, në përkujtim të qëndrimit aty të komandës së korparmatës së parë, në periudhën kur po çlirohej Tirana. Shkronjat prej bronzi mbi të janë hequr prej kohësh, kështu që nga gjurmët aty nuk dallohet se çfarë ka qenë shkruar. Në rrugën midis ullinjve, shtëpi të vjetra po rrënohen, të tjera po riparohen dhe shtëpi të reja ndërkohë po ndërtohen pranë ullishtave.

Lisi qindravjeçar i Qafëmollave

Në një familje afër qendrës me mbiemër Qafëmolla, në shtëpinë plot me portokalle dhe mandarina, qëndron në oborr një lis shekullor, i madh dhe i bukur, që e kanë quajtur “Dushku i Sulbaromve”, kurse sot e këta 200 vitet e fundit quhet “Dushku i Qafëmollave”.

“Aty nga viti 1947-1948, një grup ushtarak erdhi për të ndërtuar në vendin e bregores së lisit një qendër ndërlidhjeje, ashtu siç ishte piketuar në hartë. Midis tyre një specialist sovjetik, kur e pa lisin, pyeti babanë tim, atëherë 80-vjeçar, se sa vjeç ishte pema. Baba u përgjigj se edhe i ati, por edhe gjyshi, po kaq të madh e të lartë e kanë mbajtur mend. Ushtaraku i huaj i ndaloi njerëzit që po përgatiteshin ta prisnin pemën, ndryshoi piketimin në hartë dhe u tha: “Një pemë, kur mbush 100 vjeç, është e ndaluar të pritet.”, - rrëfen një i moshuar i fisit Qafëmolla.

Madhështor dhe i bukur, lisi i madh ka një kurorë 50 metra, me rrënjë të dala në sipërfaqe 10-15 metra gjatësi.

Po aty, nën hijen e lisit të moçëm, pak më tutje, janë varrezat e rrethuara të familjes së madhe Qafëmolla, varre të vjetra me mbishkrime osmanisht, por edhe të reja prej mermeri.

Duke ecur në rrugën matanë xhamisë, ajo të çon në një pjesë kalimi pak malore midis morisë së ullinjve dhe shumë shtëpive të lagjes Shtish.

Rruga, duke gjarpëruar të çon pranë ish-magazinave të kooperativës, për t’u bashkuar me rrugën nacionale të Urës së Brarit. Në fshat ka përveç pemëve frutore edhe shumë ullinj. Dikur, shumë banorë kishin mulli në shtëpitë e tyre për nxjerrjen e vajit nga ullinjtë dhe gurët e tyre të mëdhenj i sheh edhe sot rrugëve të fshatit.

Shtish-Tufina, një nga fshatrat afër Tiranës, i cili dikur ishte pjesë e Komunës së Dajtit, është një vend interesant për t’u vizituar nga vendasit, por edhe të huajt. Shumë thjesht, ai mund të shndërrohet në destinacion turististik mjaft tërheqës, për të gjithë ata që duan të shijojnë natyrën e bukur të zonës përreth, por edhe të njohin historikun e zonës. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë