Njerez

Vështirësi për dokumente kur ndërrojmë vendbanimin

Anila jeton në një nga zonat qendrore të kryeqytetit, por nëse i duhet të marrë qoftë edhe një dokument të thjeshtë, që vërteton vendbanimin e saj, ajo nuk mundet.

Ajo nuk mund të sigurojë një kontratë qeraje për shtëpinë ku është zhvendosur së fundmi  dhe me letra figuron ende si banore e Laçit, atje ku është lindur dhe ka jetuar për vite me rradhë.

Por rasti i Anilës nuk është i vetëm. Në situatë të ngjashme me të ndodhen me dhjetëra qytetarë, që për arsye nga më të ndryshmet nuk mund të vërtetojnë vendbanimin e tyre real.

Për të përfituar shërbimet shtetërore, individët që ndryshojnë vendbanimin brenda vendit duhet të transferojnë gjendjen civile në komunitetin e ri ku vendosen dhe të provojnë ligjshmërinë e banesës së re nëpërmjet dokumentit të pronësisë, një kontrate qiramarrjeje të banesës, ose faturave të ujit dhe të dritave.

Sipas të dhënave të mbledhura në vend, por siç bën me dije edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me Lëvizjen e Lirë në Shqipëri, shumë individë në vend nuk mund të sigurojnë prova për çfarë thamë më sipër dhe si rrjedhojë nuk kanë mundësi të shfrytëzojnë shërbimet publike.

Një tjetër problematikë përbëjnë edhe qytetarë të tjerë, në veçanti të komuniteteve rom dhe egjiptiano-ballkanik, një pjesë e të cilëve nuk janë të regjistruar formalisht në komunitetet ku banojnë.

“Ligji nuk e ndalon regjistrimin e tyre, por ky shpesh ishte i vështirë për t’u realizuar. Shumë romë dhe egjiptiano-ballkanas nuk patën mundësitë financiare për t’u regjistruar. Në muajin shtator, media raportoi raste në të cilat Ministria e Brendshme, duke përgatitur listat e votuesve për zgjedhjet vendore të planifikuara për në muajin prill 2021, kishte transferuar vendbanimin e disa qytetarëve pa dijeninë e tyre. Ministria i korrigjoi disa prej këtyre transferimeve.”, - vërehet në raportin e DASH.

Në jo pak raste përfitimi i shërbimeve publike për qytetarët në vend është i vështirë dhe shndërrohet në stres të vërtetë, duke pasur parasysh sorollatjet në zyra apo ngatërresa burokratike nga më të ndryshmet.

Edhe raporti i fundit i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ngre shqetësime të thella për gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, ashtu si dhe raporti i Transparency International.

Një nga format e këtij korrupsioni haset edhe në sektorin e shërbimeve publike, ku në sumë raste njerëzit paguajnë nën dorë për shërbime publike, edhe për gjëra të thjeshta, si një certifikatë apo dokument. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë