Ngjarje

Shqiptarë kujdes! Valë sulmesh për t’ju vjedhur pará në Iphone

Autorët kanë një database me kontakte dhe qëllimi i tyre sipas ekspertëve të fushës është që të fitojnë besueshmëri duke përdorur emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare. Si të mbroheni?

Nga Gazeta ‘Si’ - Prej dy ditësh qytetarë të shumtë që janë përdorues të Apple në Shqipëri po marrin mesazhe mashtruese.

Këto mesazhe që u shkojnë nëpërmjet adresave të ndryshme iCloud iu premtojnë atyre të ardhura të konsiderueshme në monedha të huaja, duke pasur si kusht vetëm përdorimin e celularit të tyre dhe më pas ftohen të komunikojnë nëpërmjet aplikacionit “Telegram”.

Megjithatë, kjo përmbajtje nuk është e vetmja formë mashtrimi. Pasditen e djeshme( 22 janar) qytetarët morën mesazhe të tjera që në mënyrë të supozuar vinin nga Posta Shqiptare, ku shkruhej se porosia e tyre kishte mbërritur në destinacion por adresa ishte e paqartë ndaj ata duhet të përgjigjeshin për ta saktësuar atë.

Autorët kanë një database me kontakte dhe adresa dhe qëllimi i tyre sipas ekspertëve të fushës është që të fitojnë besueshmëri duke përdorur emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare.

Kadri Manaj, programues dhe ekspert i fushës shpjegon për Gazetasi.al se logjika e hacker-ave është që të marrin para, por duke e bërë këtë në skenarë të ndryshëm. Ai thotë se ata kanë gjithmonë një plan B, C e me radhë.

“Hacker-at dërgojnë mesazhe të ndryshme në i-Massage dhe nëse qytetarët klikojnë tek ai link, u merren të dhënat që më pas ju shkojnë atyre. Logjika është që duan të marrin lekë por me skenarë të shumëllojshëm. Dikujt i thotë të ka ardhur një pako dhe duhet të paguash doganën dhe dikujt sikur është përfitues i ndonjë blerje me mbi 50% ulje”, thotë Manaj, i cili, njësoj siç apeloi edhe Policia, shpjegon se këtë e bëjnë për të përfituar para.

Manaj thotë se hackerat kanë gjithmonë një plan B, C e me radhë

Edhe mënyrat për përfitimin e parave, janë të ndryshme, vijon ai.

“Është shumë e rëndësishme që të qartësohen qytetarët. Nëse vendosin të dhënat bankare nga një website apo formë tjetër e caktuar që ata kërkojnë, hack-erat mund t’i aksesojnë pastaj menjëherë paratë.

Një tjetër mënyrë mund të jetë kur të thonë që të ka ardhur një porosi nga posta dhe duhet të paguash doganën. Dhe mund të kërkojnë të paguash me Western Union, Moneygram apo institucione të tjera jo-bankë që bëjnë transaksionin e monedhave. Dhe kështu qytetari kalon nga pagesa në pagesë, pa e marrë vesh ndërkohë që hacker-at përfitojnë paratë e tyre”, citon Manaj.

Si të mbroheni?

Manaj thotë për Gazetasi.al se qytetarët nuk duhet të klikojnë në mënyrë kategorike asnjë link që ata nuk njohin dhe të verifikojnë të gjithë shkronjat e një domain-i.

“P.r.sh, nëse i referohemi mesazhit nga posta, ata duhet ta kërkojnë vetë në Google web-in e postës dhe të mos shkojnë aty nëpërmjet linqeve. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që mos të fusin të dhëna bankare për diçka që nuk u bën sens që ta kenë blerë apo ta kenë porositur, një veprim që nuk e kanë bërë më parë.

Nëse mesazhi thotë që ti je fituese i diçkaje me ulje prej 50%, qytetarët duhet të kontrollojnë faqet zyrtare. Ata duhet të kuptojnë që nuk mund të përfitosh nëse realisht faqja zyrtare nuk e ka të shënuar në web.Pra hapi i vetëm që duhet të bëjnë është të verifikojnë”, thekson ai për Gazetasi.al.

Duke përsëritur thirrjen, policia i ftoi sërish qytetarët të cilët kanë shpërndarë të dhënat e tyre duke u mashtruar nga mesazhe të tilla, të paraqiten në zyrat e strukturave të Hetimit të Krimeve Kibernetike.

Edhe Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) ka ftuar qytetarët të rrisin nivelin e vigjilencës ndaj mesazheve të dyshimta, email-eve, dhe thirrjeve telefonike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë