Ngjarje

Policia e Shtetit njoftim për qytetarët me pajisje ‘Apple’: Kujdes nga mesazhet e hakerave. Përdorin emrin e Postës Shqiptare

Nga Gazeta 'SI' - Policia e Shtetit ka dalë sërish me një njoftim zyrtar për të informuar përdoruesit e pajisjeve Apple për rrezikun e hakerimit me anë të një mesazhi.

Autorët që dërgojnë këto mesazhe me qëllim mashtrimin, përdorin emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare, mes tyre edhe rasti nga një adresë joreale e Postës Shqiptare.

Duke përsëritur edhe thirrjen e ditës së djeshme policia fton qytetarët të cilët kanë shpërndarë të dhënat e tyre duke u mashtruar nga mesazhe të tilla, të paraqiten në zyrat e strukturave të Hetimit të Krimeve Kibernetike.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në vijim të njoftimit të ditës së djeshme, të strukturave të Hetimit të Krimeve Kibernetike, i cili bënte fjalë për mesazhe (iMessage), që iu dërgohen nga adresa të ndryshme iCloud, përdoruesve të Apple, ju informojmë se:

Autorët që dërgojnë këto mesazhe, për të fituar besueshmëri, përdorin emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare, siç është rasti i fundit i konstatuar, nga një adresë joreale e Postës Shqiptare.

Në asnjë rast mos klikoni dhe mos plotësoni formularë, pa u siguruar që faqja nga e cila jeni kontaktuar, është faqja zyrtare e institucionit.

Nëse ju ka ardhur një mesazh i tillë dhe ju keni shpërndarë të dhënat tuaja personale apo nëse jeni mashtruar nga një aktivitet i tillë, ju ftojmë të paraqiteni pranë zyrave tona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë