Ngjarje

Avokati i Popullit kritikon Kadastrën: Joeficiente, sjellje arbitrare me qytetarët

Avokati i Popullit kritikon Kadastrën: Joeficiente, sjellje arbitrare me qytetarët

Nga Gazeta 'SI' - Problemet tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës duket se ka shqetësuar dhe Avokatin e Popullit.

Në raportin e depozituar në Kuvend, Avokati i Popullit thekson se shërbimet e Kadastrës nuk kanë rezultuar eficiente, që nga shërbimet më të thjeshta tek vonesat në procesin e legalizimeve.

Duke rikujtuar se e drejta e pronës është një e drejtë themelore, Avokati i Popullit gjykon se përqëndrimi i të gjitha aktiviteteve të kësaj natyre tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk ka zgjidhur problemet pasi qasja në të cilën u hodh ky hap nuk kishte qartësi.

“Krijimi i një institucioni të vetëm, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me qëllimin e centralizimit të të gjithë veprimtarisë së institucioneve të mëparshme, 138, u realizua formalisht por pa një qasje të qartë në mënyrën e zgjidhjes së problematikës, që këto institucione kishin pasur kur kishin funksionuar në mënyrë të pavarur.

Avokati i Popullit shkruan në raport se administrata shtetërore sillet në formë arbitrare me titullarët e së drejtës së pronës/pronarët, pasi poseduesit zhvishen nga e drejta e pronësisë dhe nuk dëmshpërblehen/kompensohen paraprakisht, kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe brenda afateve ligjore.

Institucioni i Avokatit të Popullit shprehet se ka pasur shumë ankesa për çështjet e pronësisë dhe i bën thirrje shtetit të kujdeset për interesat pronësore të qytetarëve, në rast shpronësimi, duke pasur në konsideratë procesin e rregullt ligjor dhe nevojat social-ekonomike të tyre.

 “Në lidhje më këto raste, përsërisim se shpronësimi për interes publik i pronës private, duhet të trajtohet me kujdesin e duhur dhe të jetë në vëmendjen e institucioneve shtetërore, duke respektuar të drejtën e pronësisë sikurse garantuar nga Kushtetuta dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore” nënvizon raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë