Mjedis

Të dytët nga fundi në Europë për cilësinë e ujit të plazheve

Teksa turizmi në Shqipëri është goditur fort nga pandemia e COVID-19 duke shkaktuar pasoja edhe në ekonominë në tërësi, pasi ekonomia shqiptare është një ekonomi e varur nga ky sektor, Agjencia Europiane e Mjedisit konfirmon se për ujërat e plazheve me cilësi të shkëlqyer në Europë në vitin 2019, Shqipëria renditet e dyta nga fundi.

Për sezonin e plazhit 2019 cilësia e ujërave shqiptare ka qenë e shkëlqyer për 70 plazhe ose 58,8 % të totalit prej 119 të tillë të marrë në studim (1071 mostra uji plazhesh).

Numri i plazheve  që plotësojnë kriteret për cilësi të shkëlqyer të ujit të plazhit shënuan një rënie nga 62.0 përqind në 2018 në 58.8 përqind në 2019. Për herë të parë, raporti përfshin të dhëna për ujin e banjës në brendësi. Pesë vendeve të plazhit në brendësi në Bregun e Liqenit të Ohrit janë klasifikuar si me cilësi të shkëlqyer.

Konskluzioni vjen në raportin e Agjencisë Europiane të Mjedisit.

Sipas këtij raporti 26 ujëra plazhesh klasifikohen në cilësinë si të mirë, 5 me cilësi të mjaftueshme, 7 të varfër dhe 11 nuk janë klasifikuar fare.

Sipas hartës së cilësisë së plazheve, vendet me ujëra të cilësisë së varfër rezultojnë Lumi Bistrica, Saranda, dy plazhe përgjatë Lungomare në Vlorë, plazhet mes Plepave dhe Shkëmbit të Kavajës në Durrës.

Renditja mund të lidhet edhe me faktin se nuk janë monitoruar të gjitha plazhet, por janë marrë mostra vetëm në 119 prej tyre.

Në të njëjtën kohë, numri i vendeve të plazheve që klasifikohen si me cilësi të dobët (të varfër) ka rënë nga dhjetë në vitin 2018 në shtatë në vitin 2019. Kjo gjithashtu shënon një ulje të konsiderueshme që nga viti 2015, kur 31 vendet e ujit të plazhit (ose 39.1%) u vlerësuan si të dobët.

Sipas parashikimeve të Direktivës së Ujit të Plazhit, më shumë se 21 ‘000 ujëra të tillë monitorohen në Europë çdo sezon. Të dhënat e monitorimit dhe informacionet e tjera në lidhje me menaxhimin e ujit të plazheve i raportohen Agjencisë Europiane të Mjedisit nga 30 vende europiane. Këto vlerësohen më pas për raportin vjetor europian të ujit për plazhin (Raporti Europian i Ujit të Plazhit deri në vitin 2020), botuar nga EEA dhe raporte më të detajuara kombëtare.

Cilësia e ujërave të plazheve klasifikohet sipas dy parametrave mikrobiologjikë (Escherichia coli dhe enterokoket e zorrëve) të përcaktuara në Direktivën e Ujit të Plazhit. Një total prej 84.9% e ujërave të plazheve të raportuara janë në përputhje me standardet minimale të cilësisë së Direktivës dhe kështu klasifikohen si "të mjaftueshme" ose të mira.

Ujërat e plazheve të  identifikuar nga vendi raportues duhet të kenë një kalendar monitorimi, të vendosur përpara sezonit të plazhit. Kërkesat e kalendarit monitorues mund të përmblidhen si më poshtë:  një mostër para-sezonit duhet të merret pak para fillimit të çdo sezoni të plazhit;  jo më pak se katër (në mënyrë opsionale, tre raste specifike) duhet të merren dhe të analizohen për sezonin e plazhit; dhe  intervali midis datave të marrjes së mostrave nuk duhet të kalojë kurrë një muaj. Përveç kalendarit monitorues, vlerësohen edhe specifikat e menaxhimit të periudhës së fundit të vlerësimit.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë