Propozim i SI

"Shpëtova tim bir nga qiellza e çarë". Pse nuk duhet të neglizhojmë problemet e lindura faciale

Në pavijonin e kirurgjisë Oro-Maksifaciale përballë një prej sallave të operacionit gjendet i ulur Kastriot Xhexhi, një qytetar nga Laçi, i cili ka ardhur në spital për të sjellë djalin e tij. Që prej lindjes së bashku me bashkëshorten kishin parë një anomali në qiellzën e të birit. Orindi, djali 9-vjeçar i cili është në sallën e operacionit, duhej të ishte operuar kohë më parë por prindërit e kishin neglizhuar problemin që ai kishte. Kastrioti tregon se djali nuk ka pasur asnjë anomali me komunikimin, por ai ka vështirësi në të ngrënë.
“Problemin nuk e dalluan në eko dhe gjithë kohës mjekët na tregonin se gjithçka ishte në rregull”, shprehet Kastrioti, në fytyrën e të cilit dallohet njëkohësisht edhe frika edhe gëzimi.
Pasi operacioni shkoi shumë mirë, mjeku Ramazan Isufi tregon për Gazetën “Si” se diagnoza e saktë e djaloshit 9-vjeçar ishte “palato skizis completa”, e thënë ndryshe në gjuhën e popullit “gojë ujku”. Sipas mjekut, djaloshi është rekomanduar të operohej kohë më parë, duke plotësuar të gjitha ekzaminimet përkatëse dhe në bazë të protokollit.

Problemi i djaloshit 9-vjeçar

“Qiellzat e çara ne i operojmë që në moshën 12 deri në 18 muajsh, kur fëmija plotëson disa parametra të nevojshme për të kryer operacionin. Gjatë kësaj kohe prindi është shkëputur së bashkë me fëmijën për arsye familjare dhe është paraqitur para dy-tre javësh dhe është plotësuar me ekzaminimin përkatës dhe dokumentet përkatëse. Është konsultuar edhe me anestezist-reaminatorin dhe pasi është sqaruar për mënyrën e operacionit, për plastikën e qiellzës, për komplikcionet e mundshme dhe rreziqet, ka rënë dakord që të kryhet operacioni dhe të vazhdohet më tej me trajtimin e këtij rasti,” shprehet mjeku.
Me një fytyrë që shprehte hera herës faj, Kastrioti tregon se kanë qenë pamundësitë ekonomike për të trajtuar djalin e tij. Ai shprehet se Orindi është një fëmijë i shkathët që i pëlqen të luajë dhe kurrë nuk e ka vënë në duke problemin që kishte me qiellzën.
“Tek doktor Ramazani kemi ardhur që kur fëmija ka qenë dy muajsh, e kam ndjekur dy vjet pastaj nuk e ndoqa më. Nuk kishte kosto të madhe, por edhe e nënvlerësova më shumë, duke menduar së është diçka që pret. Djali është në klasë të tretë dhe nuk është shumë i afruar me moshatarët në shkollë. Kjo nuk ndodh për shkak të problemit që kishte, por në përgjithësi është tip i mbyllur. Është fëmijë i shkathët, por tregohet i afërt vetëm me familjarët,” tregon Kastrioti, i cili bën hapa të lehtë përpara derës së dhomës ku qëndron i vogli i tij.

Kastrioti tregon së shumicën e kohës ka punuar në ndërtim dhe shpenzimet e familjes i mbulonte ai, e kështu duke qenë vetëm një krah pune, ishte edhe më e vështirë për të ndjekur djalin e tij gjatë gjithë kohës nëpër spitale.
Në shërbimin e Kiurgjisë Oro-maksifaciale mbulohet i gjithë spektri i këtij specialiteti duke përfshirë diagnozën, trajtimin kirurgjikal spitalor dhe ambulator të shumë sëmundjeve të gojës, nofullave e fytyrës dhe gjatë gjithë vitit - sipas të dhënave - mund të kryhen rreth 600 operacione, 800 konsulta dhe arrijnë rreth 900 raste në urgjencë e cila normalisht është e hapur 24 orë.
Doktor Ramazani tregon se defektet e lindura të qiellzës janë defekte që shpesh janë të izoluara vetëm në qiellzë por shpesh janë të kombinuara dhe me defekte të buzës, ose në kuadër të disa anomalive të tjera, keq-formuese. Ai shpjegon se kur janë në kuadër të sindromave keq-formuese atëherë këto paraqiten më të vështira për t'u menaxhuar se në rastin kur është vetëm tek qiellza e izoluar. Mjeku shpjegon se operacioni i kryer quhet “palato plastika”, e cila realizohet me anestezi të përgjithshme që mund të zgjasë edhe dy orë në varësi të rastit klinik.
Mjeku shpjegon më tej se këta pacientë kanë gjithashtu probleme me dhëmbët dhe nofullat që shoqërohen me moszhvillim të nofullës, të cilat hap pas hapi kanë nevojë për ndërhyrje të tjera, që përfshijnë kirurgjinë ortognatike për zgjerim nofullash për të eliminuar anomalitë. Sipas tij, këta fëmijë pas operacionit të qiellzës, kanë nevojë edhe për ushtrimet e të folurit.

Mjeku Ramazan Isufi, pranë Departamentit të Kirurgjisë Oro-Maksifaciale & Paraklinike

“Këto operacione mund të shtyhen deri në moshën 3-4 vjeçare maksimumi. Ky fëmijë ka ardhur me vonesë dhe problemi në këtë rast qëndron se sa më të rritur të jenë, aq më vështirësi kanë në periudhën post-operatore dhe e dyta është se fëmijët kanë probleme në të folur, prandaj duhen që të plotësojnë patjetër protokollin multi-disiplinor; pediatri, mjeku i familjes, kirurgu omf, pasi kanë edhe probleme në vesh, orl, gjenetisti, neurologu dhe neuropsikiatri. Fatmirësisht rasti konkret nuk shoqërohet me anomali të tjera, të paktën me konstatimet që kemi kryer deri më tani,” shprehet mjeku.
Me një eksperiencë 20-vjeçare mjeku Isufi tregon se këto operacione mund të kryhen mjaft mirë në shërbimin e kirurgjisë oro-maksifaciale në spitalin francez në QSUT. Sipas tij, këto raste në dukje janë të lehta por secili ka problematikën e vet.
“Diçka tjetër që dua të theksoj është se ekipi multi-disiplinar në krahasim me disa vende europiane, nuk funksionon në nivelin e duhur. Kjo pasi “Euroklefit” që është një organizëm që trajton defektet e lindura të buzëz dhe të qiellzës, ka nxjerrë disa parametra, si për shembull “në rast se një shërbim apo shkollë trajton 35-40 raste në vit (që është gati me shifrat tona), atëherë atij i takon që ekipi multi-disiplinor të jetë enkas për defektet e lindura të buzës dhe qiellzës. Ne këtë kriter akoma nuk e kemi të plotësuar, por mendoj që në të ardhmen mund ta rregullojmë,” shprehet mjeku.

Ashtu në qetësinë pas operacionit e duke mos mundur të flasë dot, Orindi me sytë kafe që i shkëlqejnë buzëqesh dhe duket i lumtur që më në fund ia doli të largojë këtë problem të madh që e kishte ndjekur që nga lindja. Ndërkohë, i ati, Kastrioti duket më i qetë, pasi ka lënë pas një brengë ta madhe.
“E rëndësishme për këta pacientë është parandalimi, megjithëse defektet e lindura të qiellzës dhe të buzës në 30 për qind e rasteve, janë me natyrë të trashëguar. 70 për qind e rasteve janë nga faktorët ambiental. Atëherë ne japim porosi për prindërit që të shmangin infeksionet gjatë shtatzënisë, të shmangin përdorimin e medikamenteve, gjithashtu edhe veseve të dëmshme si alkooli, duhani, droga, sepse ndikojnë të gjitha. Pra, është më mirë që ne t'i parandalojmë dhe t’i minimizojmë këto. Rekomandoj që direkt sa vihet re problemi, prindërit dhe mjeku i familjes duhet t’i nisin ato të kirurgu oro-maksifacial. Sa më shpejt të vijnë, aq më shpejt futen në protokollin e trajtimit,” shpjegon mjeku Isufi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë