Irena Beqiraj

Vajza, ju nuk mund t’i keni dhe bëni të gjitha…


Në leksionet e motivimit, vajzat e reja dëgjojnë shpesh shprehjen: "ju mund t'i keni të gjitha dhe t'i bëni të gjitha!" 

Dëshiron të drejtosh biznesin tënd? Pse jo, ti mundesh! 

A ëndërron të jesh një ministre, politikane apo gjyqtare e Gjykatës së Lartë? Patjetër e dashur, bota është jotja! Dëshiron të jesh tërheqëse, e parezistueshme, të kesh buzët e Monica Bellucci-t edhe mollëzat e Sharon Stone? E thjeshtë fare!

Sot me acid hialuronik, botox edhe kirurgjinë plastike mund të shndërrohesh në çfarë të pëlqen të jesh. E pra, modeli që kemi përkrahur edhe ofrohet çdo ditë, i fton gratë të kërkojnë gjithmonë më shumë.

Por ana negative e kësaj gjuhe dhe filozofie kaq aspirative është se ajo është shndërruar në një shqetësim të përhershëm personal për mijëra vajza. Qasja "gjithmonë më shumë" ka çuar në një paradoks. Çdo ditë e më shumë ne po zbulojmë se po rrisim një brez vajzash me mungesë të vetëvlerësimit. 

Ne po rrisim një brez vajzash të cilat janë jashtëzakonisht të vështira me veten – që shpesh vendosin standarde personale, ndonjëherë ndëshkuese, duke mos i dhënë vetes mundësinë për të menduar "kaq mjafton”, apo "kaq mundem".

Në emër të suksesit ne po i nxisim vajzat tona të tentojnë gjithmonë për më shumë, për më mirë apo të tejkalojnë të tjerët. Sot suksesi u përket vetëm grave ambicioze, me arsim të lartë, të cilat shkojnë në kolegje elitare botërore dhe arritjet profesionale janë pranuar si kulmi i të gjitha arritjeve.

Po a është domosdoshmërisht një fitore për gratë profesioniste që pas 40 vitesh pune, të jenë po aq të rraskapitura sa kanë qenë tradicionalisht burrat profesionistë?

Kujtoj që kur u shkëputa nga puna në qeveri, vajza ime në atë kohë 10 vjeç, më tregoi "se më shumë sesa koha që po harxhoja me të, ajo ishte e kënaqur që unë isha më pak e lodhur edhe e stresuar".

Isha rikthyer tek "mami i parë" që nuk e përfundonte argumentin me fjalët: “Më lodhe!”

Supozimi themelor se zgjedhja ime për t’u larguar ishte disi e trishtuar ose për të ardhur keq, një lloj dorëheqje nga "suksesi" ishte mjaft e bezdisshme. 

Por bindja se prindërimi dhe angazhimi im ndaj gjërave që doja ishin disi nën standardin që dëshiroja gjatë kohës që punova në qeveri, ishin argumente për të besuar se kisha bërë zgjedhjen e duhur.

Sot pa poste me të cilat matet suksesi por me më shumë kohë për familjen time,për miqtë,për studimet, leximet, shënimet e shkrimet e mia, pse jo edhe për punët e shtëpisë, ndihem e lirë si ajri edhe e qetë, edhe pse më pak e suksesshme po të përdor kutinë tradicionale të arritjeve.

Me kohën ndryshoi brenda meje përkufizimi i arritjeve në jetën e një gruaje. Më shumë se kredencialet, pozicioni apo pasuria, demonstrohet tek zgjedhjet e bëra mirë edhe vetmjaftueshmëria.

Ne jemi të talentuara, të zonjat, të bukura në mënyra të ndryshme, ndaj nuk ka asnjë rrugë apo mënyrë që të bën më të mirën në gjithçka. Suksesi u përket atyre grave që dinë të shtrojnë rrugën e të pasurit "një jetë me zgjedhje" edhe të jenë çfarë munden më mirë të jenë.

Ndaj gënjeshtrën ndëshkuese që ju recitojnë në trajnimet motivuese, se -“ju mund t'i keni e t'i bëni të gjitha"-braktiseni!

E vërteta këtë herë është më e thjeshtë edhe fatmirësisht aspak ndëshkuese:

"Vajza, ju nuk mund t'i keni e bëni të gjitha ose më mirë nuk mund t'i keni e bëni të gjitha në të njëjtën kohë! Mësoni të zgjidhni!


Copyright © Gazeta “Si”